Është botuar në shqipe romani “Ditari i një pabesie” i shkrimtarit grek Emilios Solomou, përkthyer mjeshtërisht nga origjinali nga Kristo Pullo. “Ditari i një pabesie” është një roman kushtuar kohës, zvetënimit, kujtimeve, dashurisë dhe pabesisë, midis së tashmes dhe së shkuarës. Fitues i Çmimit Europian për Letërsinë në vitin 2013.
Jorgo Dhukareli, arkeolog dhe pedagog në Universitetin e Athinës, kthehet në ishujt e Cikladheve të Vogla njëzet vjet pas gërmimeve arkeologjike, të cilat e bënë të famshëm dhe ndryshuan përgjithmonë jetën e tij personale dhe profesionale.
Tashmë Dhukarelit i duhet të bëjë edhe një gërmim tjetër, por këtë herë në thellësi të shpirtit të tij. Duke u endur në ato vende ku jetoi dhe punoi dikur, midis kujtimeve, nëpër fijet e padukshme që e lidhin me tri gra, nga lashtësia, nga e kaluara e afërt dhe nga e tashmja, nën diellin e detit Egje, midis shkëmbinjve, në atë tokë jopjellore, në atë det dhe kaltërsinë e tij të paanë, Dhukareli do të përpiqet të vendosë rregull në jetën e tij dhe të sjellë përsëri ndër mend ngjarjet që u zhvilluan në atë stinë vere – përcaktuese për jetën e tij.