Henri Michaux (1899-1984)
Diku dikush është qen dhe i leh hënës
Dikush është lindur kineze dhe tani është shtatëmbëdhjetë vjeçe
Dikush është bjonde dhe e motra është e lëvizshme, vërtet e gjallë
Dikush e ka të atin malësor
Dikush… dhe pastaj i kanë therur veshkat dhe tani mori fund, thotë se i pëlqen të vdesë në spital
Dikush e ka shtëpinë me soleta të mëdha
Dikush do ende pak krem. Por tjetri dikush, e vret mendjen për ekzistencën e Zotit
Dikush sapo ka pasur një çast krenarie të cilën do ta paguajë shtrenjtë
Dikush, bie shi
Dikush, kësaj here bie vërtet shumë shi
Dikush fqinjët i kthehen pas pak
Dikush nuk ka pasur puhizë sot, dhe dallgët në thellësi janë ende të forta
Dikush, vazhdon të bjerë shi ; e keqe për çatitë
Diku, Dikush rilind insekt, ha jashtëqitje gjithë ditën, antenat i lagen në lëndën fekale ; e duke u përpjekur të kujtohet për një jetë të mëparshme, padashje ëndërron për një të ardhme kur jashtëqitjet do të jenë më të bollshme dhe më mirë të shpërndara që të ketë për të gjithë
Diçka diku është shinë, nën një tren gjashtëqind tonësh, dhe përkulet e dridhet, dhe në fund drejtohet
Dikush, të lodhshëm të tjerët
Dikush, i lodhshëm dhe unë
Dikush derr-me-gjemba-klarinetë
Dikush, vetëm klarinetë
Dikush e ka pirogën si ishull të vet
Dikush, skamjen për ishull
Dikush, fustanin
Dikush, fëmijërinë
Dikush, të bëjë supë në kuzhinë është ishulli i vet
Dikush, e ka ishullin kur të tjerët flasin
Dikush nuk ka ishull
Dikush, ka veç një ishull shumë të vogël
Dikush, ju kujtoni se do ta donte një ishull
Dikush, më 1938 asnjë ishull më, vdekur në ishuj, të gjithë në uniformë
Dikush, një rrymë ajri mjafton për t’ia vënë ishullin në rrezik
Dikush, të jetë i idhnuar me familjen është ishulli i vet
Dikush, ka më shumë lumë se ishull
Dikush ka më shumë digë se lumë
Dikush ka më shumë horizont se digë
Dikush, ka më shumë dituri se horizont
Dikush, ndjek më shumë të përpjetën
Dikush, talent si çizmet e mia
Dikush, diplomat-rrethanë
Dikush, më shumë shkallë se mendime
Dikush, për të zgjimi është një kikirik
Dikush, për të zgjimi është një filxhan
Dikush, për të zgjimi është një mjekësi
Dikush, për të është një gëlbazë
Dikush, për të është një gozhdë
Dikush, për të gjumi është një pjepër
Dikush fle në një liqen. Herë në një liqen, herë në një çisternë.
Dikush fle në një turbinë ; herë në një turbinë, herë në një rrotullamë
Dikush, ka një gjumë qingji
Dikush është nga ata që pëlqejnë të kruajnë një mace në një tendë
Dikush është nga ata që s’kanë tjetër veç frikën e tyre për ta vënë nën kafkë
Dikush është nga ata që kanë pesëdhjetë herë njëzet vjet para se të mplaken
Dikush është metafizikan me ankthin në bark
Dikush sheh nga njëra anë diejt, nga tjetra gjarpërinjtë
Dikush është nga ata që, edhe në ëndërr, nuk do ta zgjonin një shurdhan nga frika mos duhet t’i bërtasin në vesh : « Shko… Shkoo… Ik, po, Iiiik »
Dikush është nga ata që do të donin të drejtonin një orkestër në një peshkopatë, të zbukuronin një qepallë nën një tendë mbreti
Dikush është nga ata dëshira e fshehtë e të cilëve është të botojnë harta shtatmadhorie të palexueshme edhe nën lupat më të forta
Dikush pa një ujitëse nuk do të shkonte në një karvan saraj
Dikush, piedestalin e ka të humbur në llucë
Dikush e ka shpirtin të përqëndruar
Dikush e ka në lecka ose të lyer me gjalpë
Dikush është nga ata që rreth orës pesë ndjejnë një rëndesë si një meditim, por është sidomos kapsllëk
Dikush është nga ata që përgatiten të shkojnë të shohin një lumë por me të mbërritur ia kthejnë shpinën… janë të lumtur sidoqoftë
Dikush është nga ata që përgatisin një dalje nga shinat në një linjë ku që prej dhjetë vjetësh nuk kalon asnjë tren
Dikush diku quhet Lu
Dikush, me duart nën shall, është nga ata që jeta e tyre i rrethon edhe pse ata s’bëjnë gjë të madhe
Dikush është i rrethuar më tepër me « do të kisha dashur »
Dikush është mik i drurit
Dikush është mik i ujit
Dikush, jo, nuk është kështu që e kuptonte Jetën
Dikush, në Detrat e Jugut do të ishte mirë, mendon ai
Dikush, ka rreth Dikushit diçka që ndodh, si të ishin duke fshirë rrugën
Por është e vërtetë që po fshijnë dhe dëgjohet një lehje
Dikush, po të ishte se duhet vetëm fije në këmbë, do të ishte me dëshirë merimangë
Dikush është shumë i ndjeshëm për të dashuruar, i dhemb
Dikush, për të dashuria është thjesht një ndërmjet-dy
Dikush, për të dashuria zë vendin e më së mirës
Dikush është nga ata që turbullohen nga kënaqësia kur shohin një cicë rrjedhojë, besojnë ata, e ngjyrës së trëndafiltë të filtruar aq hollë nga lëkura sa kjo lëkurë është thuajse e bardhë
Dikush në një epokë më të trazuar, do ta priste me një kënaqësi ende më të madhe, më të fshehtë, më vetjake
Dikush që prej njëfarë kohe e ka ligësinë e vet të paralizuar
Dikush ka shurdho-shenjtëri
Dikush, duke menduar, largohet
Dikush, duke menduar, afrohet
Dikush, duke menduar, forcohet
Dikush, duke menduar, dobësohet dhe anemizohet
Dikush, nuk ka mendim të freskët kurrë
Dikush, ka mendime vetëm në varg
Dikush, me synimin që të mendojë, mendon ai, mendon
Dikush, nuk ka palcën që i shkon fytyrës së vet
Dikush, e kapin nga poli i vet dhe e sjellin ngadalë, shumë ngadalë ku të dëshirojnë
Dikush, me katërdhjetëeshtatë kromozomet e veta, është një krenar budalla
Dikush, ka dhe ai « Weltanschauung-un » e vet
Dikush këndon për bajgën fqinje
Dikush, vera e kuqe i zbret në këmbë është tanini sigurisht ose është këmba, ose është zemra, ose janë damarët, tuba trishtimi. Është gjaku blu që kërkon prehje në vena, është disfata, janë dhjetë vjet të humbura në jetë
Dikush është në hamendësime
Dikush është në tangenciale, në perimetrale. Fakt i dëgjuar në anale
Dikush është për pulsionet
Dikush është për Mitin
Dikush është për Materializmin historik
Dikush s’është tjetër veç erë
Zotëriu është Paleoklimatolog
Dikush është në një bar
Dikush është në kudhër, në prerje
Dikush, është një antilopë në savanet e Katangas
Dikush është tip shitësi, gazetari, bujku, qymyrxhiu, kafexhiu, konçensionari, importuesi, rregulluesi
Dikush është tip mjau-mjau, fustane dekolte, korse të çara
Dikush është tip oratori, bombarduesi. Testatë të blinduar, helikë të sinkronizuar, rrota avioni që fshihen. Lufta e Spanjës, revolucionare thotë ai
Dikush është tip sindikalisti
Dikush është tip blerësi liçencash balonash
Dikush shumë klas, tip anim qafe të platintë
Dikush tip « thuajuni mirë lexuesve tuaj se i, dhe se i dhe se i i »
Dikush një ndjellës, ushtar i Zotit, kanarinë parajse
Dikush që thotë
Dikush, është ai që e ka zbuluar në pllaka trupin qiellor që desh është përplasur me tokën tani vonë
Dikush, ashtu qoftë !
Dikush 000 000 000 01
Dikush 000 000 000 000 03
Dikush është dikush si një pikë uji është një maket i Oqeanit
Dikush është në poroskopi
Dikush, « po sikur të ketë bacile në një korp krishti ? »
Dikush, dhimbje… gjumë pranë sharrash me avull dhe borish të tërbuara lajle-lule
Dikush ka tepër « Dikusha »
Dikush-nëpërkë që shmang një gjethe, zbret drejt viktimës që merr frymë qetësisht me sytë të ngulur mbi lumturinë e vet
Dikush-mizë bën histeriken pranë një fytyre të bukur së cilës ende nuk e di çfarë dëshiron t’i thithë
Dikush është një vartës melankolik markezi
Dikush-milingonë ndërmjet greminash gjethesh të kalbura nuk ka asnjë çast për të humbur
Dikush është prodhues sallami
Dikush, është dikush jo i vështirë në jetë
Dikush nuk çflet që prej mëngjesit dhe tani do të donte të pushonte
Dikush dëshiron të arrijë diçka
Dikush dhe një tjetër dikush e pengojnë njëri-tjetrin
Dikush përcakton Dikë dhe Dikush telekomandon dikë dhe rrjedh që dikush nuk është më Dikush si dikur
Është njëlloj për prehjen tonë që Dikush të mos jetë më Dikush ose të paktën Dikushi që e kishte zakon të ishte dhe të dilte para vështrimeve të fqinjëve
Dikush është i vështirë mbi poezinë e të tjerëve
Dikush rrrrrr…
Dikush çup… çup… çup…
Dikush në këtë orë sheh detin, ndjen aromën e detit, lahet në aromën e detit
Diku është mesditë, bebëza e Dikujt tkurret ; pas vdekjes, veshi mjafton
Dikush ka tepër muroja
Dikush nuk di të lulëzojë në dhjetor
Dikush nuk di ta bëjë folenë e vet në çelik
Dikush beson në përparësinë e mendjes ndaj lëndës e të ideales ndaj reales
Dikush do që kjo të jetë më e saktë, më kushtetuese, më logjike
Dikush që nuk kupton më, bën shpejt një buzëqeshje
Dikush i zënë ngushtë, janë dy bretkosa që ua kanë ndërruar gjinitë
Dikush është për të ndarë, « llulla ime në xhepin tënd, e gruaja jote në dhomën time… »
Dikush është i fortë në rrafshe, por e ka vënë fiksuesen e këmbës në pedal në xhiron e La Turbie
Dikush, thoni më mirë një kot !
Dikush diku thërret « Rroftë lufta » pastaj ajo ngjitet në skenë
Dikush nuk dëgjon më. Është gjithmonë në skelat e veta
Dikush, është nga ata që bien në gjunjë në det
Dikush, qoftë dhe në një flakë lagen
Dikush, ka breshëri në të qeshurën e vet
Dikush është arab. Deliri i fajësisë nuk është vënë re kurrë tek Arabi
Dikush është për përparimin e Shkencës, ka vrarë me 926 vezë bletësh një gjarpër të ri helmues që mbeti shumë i habitur
Dikush magazinon trungje drush në Niger
Dikush Honolulu Llokum
Dikush papagall me bazament
Dikush Fili, golli, golla
Dikush dielli nuk i shkëlqen më mbi pemë
Dikush nuk ndodh asgjë në asgjënë e vet, asgjë, asgjë, asgjë veç hiç, asgjë, asgjë
Heshtje dëshiron Dikushi
Dikush kërkon një dritare të re./ Përkthyer nga: Urim Nerguti