Dështimi i Facebook: A e zgjodhën lajmet e rreme dhe politika e polarizuar, Donald Trumpin president?

Nga Olivia Solon

“Nëse do të kandidoja, do ta bëja si Republikan. Ata janë grupi më i trashë i votuesve në vend. Ata besojnë gjithçka që shohin në Fox News. Unë do të mund të gënjeja dhe ata prapë se prapë, do ta hanin. Jam i bindur se do të arrija shifra fantastike.”

Shumë lexues mund ta kenë parë këtë thënie, e cila i atribuohet një interviste të Donald Trump në vitin 1998, për revistën People, në profilet e tyre në Facebook.

Është një thënie fantastike, vetëm se ai nuk e ka thënë kurrë.

Ky është shembulli tipik i lajmeve të rreme dhe keqinformimit, që kanë prekur zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, në një shkallë të paprecedent. Në zgjimin e befasishëm  të zgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA, presioni ndaj Facebook për të gjetur një zgjidhje, ka ardhur duke u rritur.

Më tepër sesa të lidhë njerëzit, siç pretendon misioni euforik i Facebook, polarizimi i hidhur i rrjetit social gjatë tetë muajve të fundit, tregon se ai në fakt po e përçan botën më tepër…

…Facebook do t’i duhet të ndryshojë modelin e vet të biznesit, nëse dëshiron t’iu qaset sfidave editoriale. Aktualisht, vërtetësia e një artikulli është shumë më pak e rëndësishme, sesa fakti nëse është shpërndarë, pëlqyer, apo monetizuar. Këto të dhëna “angazhimi,” shformojnë peizazhin mediatik, duke lejuar “artikujt karrem,” hiperbolizimet dhe keqinformimin të shumëfishohen. Dhe, për Facebook, thelbi qëndron tek sasia e postimeve dhe jo shpenzimi i kohës për një gazetari të fortë, autoritare dhe të mirëkërkuar…

“Pluhurnaja e gjepurave”

Këto flluska informacioni nuk shpërthyen më 8 Nëntor, por rezultati i zgjedhjeve tregoi sesi mediat e zakonshme dhe sistemet e sondazheve, nënvlerësuan fuqinë e burimeve të lajmeve të së djathtës radikale dhe website-ve të vogla konservatore, të cilat mbështeten kryesisht tek Facebook për të arritur një audiencë të tyren…

…Megjithatë, lajmet e rreme nuk janë një problem vetëm republikan. Në një analizë të “BuzzFeed,” u zbulua se 38% e postimeve të shpërndara në Facebook nga tri faqe të njohura politike të djathta , përfshinin “informacion të rremë ose keqinformues.”…

…Trump vazhdimisht ka përsëritur lajme të rreme dhe ka ngritur teori konspirative – qoftë kjo dyshimi për prejardhjen e Obama-s, quajtja e ndryshimeve klimatike një mashtrim, ose duke hedhur hipoteza mbi shëndetin e “së ligës” Hillary Clinton – gjatë fjalimeve të tij, ndërsa iu kërkonte mbështetësve të mos i besonin medias tradicionale…

…Situata është kaq e rëndë, saqë këtë javë presidenti Obama foli për “çmendurinë e teorive konspirative,” të shpërndara në Facebook, duke krijuar një “pluhurnajë gjepurash…”

Në kërkim të asaj që duam të dëgjojmë

Shpërndarja e keqinformimit, nuk përfshin gjithmonë vetëm teori konspirative të huaja. Por, ka edhe një sërë gjysmë të vërtetash të brendshme dhe interpretimesh të gabuara, të cilat bien në zonën gri, veçanërisht kur është fjala për çështje delikate si emigracioni, ndryshimet klimatike apo ekonomia.

“Jo gjithçka është e vërtetë ose e gabuar dhe në hapësirat mes asaj që mund të vërtetojmë dhe asaj që nuk mund ta kontrollojmë, mund të krijojmë një narrativë,” thotë shkencëtari Italian Ëalter Quattrociocchi. “Trumpi ia doli në këtë aspekt. Ai qe në gjendje të mblidhte gjithë mosbesimin ndaj pushtetit institucional, duke ofruar një opsion për njerëzit, të cilët kërkonin ndryshim…”

…”Njerëzit janë më të prirur të pranojnë informacion të rremë dhe të injorojnë atë ç’ka s’iu pëlqen,” thotë i. “Ne thjesht kërkojmë atë çfarë ne duam të dëgjojmë…”

…Ndërsa është pjesë e natyrës njerëzore të besojmë ato që duam të dëgjojmë, algoritmet e Facebook përforcojnë polarizimin politik. “Ti manipulohesh nga sistemi [pasi bie pre e lajmit të rremëç dhe njëkohësisht bëhesh edhe fajtor, pasi ti e shpërndan atë me miqtë, të cilët të besojnë, e kështu vazhdon,” thotë Menczer.

Është një cikël i përkryrer. Por, si mund ta prishësh? Menczer thotë se zgjidhja është krijimi i një filtri. Përpara rrjeteve sociale, filtri sigurohej nga kompanitë mediatike, të cilat  vepronin si rojtare të lajmit dhe kishin staf të trajnuar për ta vërtetuar informacionin. Por, në një epokë ku buxheti i medias tradicionale është zvogëluar, ndërsa “artikujt karrem” vijnë në rritje, standartet kanë rrëshqitur tej mase…

Lufta mes gazetarëve njerëz dhe atyre të automatizuar

Ndërkohë, Facebook e gjeti veten në telashe në lidhje me personat që manaxhonin seksionin e lajmeve më të ndjekura. Sipas një gazetari, i cili punoi në këtë projekt, ekipit i kërkohej vazhdimisht t’iu ofronte lajme me interes, lexuesve konservatorë. Por, kompania u kritikua se kishte luajtur rolin e censuruesit dhe se ishte vendosur kundër republikanëve.

Kjo e detyroi Facebook të pushonte editorët dhe t’ia linte algoritmeve vendimmarrjen se cilat ishin lajmet e rëndësishme. Qysh atëherë, lajmet e rreme kanë gjetur gjithmonë mënyrën për të hyrë në këtë listë…

…Refuzimi i vazhdueshëm i idesë se është një kompani mediatike nga ana e Facebook, nuk është pranuar mirë nga disa kritikë. “Tingëllon si një budallallëk,” thotë Dave McClure, një investitor i rëndësishëm, “Ai është qartësisht një burim lajmesh dhe informacioni për miliarda njerëz. Nëse kjo nuk është një organizatë mediatike, atëherë nuk e di se çfarë është.”

Ai shtoi se zhvilluesit e teknologjisë kanë një përgjegjësi për të krijuar një përvojë më të mirë për audiencën e tyre. “Pjesa më e madhe mendojnë vetëm se si të fitojnë para. Noshta duhet të shtojmë edhe etikën, parimet dhe kujdesin ndaj faktit se njerëzit kanë një përvojë të arsyeshme dhe racionale për informacionin që marrin. Ndonëse, kjo tingëllon pak si shumë utopike.”

Një zgjidhje mund të ishte përpjekja për të pakësuar efektin e flluskave filtruese, duke iu treguar përdoruesve një varietet opinionesh veç atij të tyrin. Edhe nëse njerëzit kanë tendencën të mos i pranojnë këto opinione, të paktën do të ekspozohen ndaj një shumëllojshmërie  këndvështrimesh…

…Të gjitha këto probleme çojnë drejt pashmangshmërisë së pranimit nga Facebook, se nuk është më thjesht një kompani teknologjike, por edhe një kompani mediatie, ose më saktë, kompania kryesore mediatike.

Në një përditësim të Marck Zuckerberg menjëherë pas zgjedhjeve, ai foli për nevojën e bashkëpunimit. “Ne të gjithë jemi të benkuar të kemi mundësinë për ta bërë botën një vend më të mirë, dhe kemi përgjegjësinë për ta bërë këtë. Le të punojmë edhe më fort,” tha ai.

Por, Wardle mbetet skeptik. “Kjo është diçka e mirë dhe keqe, por le të fillo duke ndryshuar platformën tënde,” tha ai. Solli në shqip për Pasqyre.al, Bjorn Runa/ The Guardian 

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *