Demiurge- Blerta Hoçia me “I thought of you so hard”

Nga Shkëlzen Maliqi

Demiurge
Blerta Hoçia, ekspozitë në Zeta Galeri Tiranë, 8.-18.6.2016
Veprat që ekspozon Blerta Hoçia në dukje si daguerreotype të kohës së regjistrimeve të para të imazheve, duken sikur vijnë nga shek. XIX. Por autorja mbase nuk motivohet nga nostalgjia për zanafillën e fotografisë, sa mëton reflektimin e raportit të fotografisë dhe artit. Sepse aq sa janë fotografi, punët e saja janë thuajse edhe piktura bardhezi.
Fotografia që dikur perceptohej si medium që rrezikon pikturën, qëmoti nuk shikohet si një rival përmbysës. Përkundrazi, arti konceptual ua ka dhënë lirinë artistëve që të shprehin lirshëm idetë dhe emocionet e tyre në çdo medium që u përshtatet. Vetëm se rritja marramendëse e sasisë së artefakteve dhe fotografive, dhe sidomos kjo e dyta, shtron pyetjen e njohjes se çka është art dhe çka shkart në shumësinë e imazheve që përbëjnë godinën e arteve pamore bashkëkohore.
Gjithëprezenca në rritje e fotografisë në botën e sotme është bërë megastrukturë. Shtirja është aq e madhe (nga ambijentet jetësore deri tek imazhet e sipërfaqes së Marsit dhe mikrostrukturat kristalore të një fjolle dëbore…) sa që ballafaqohemi me fenomenin e stërngopjes me imazhe. Në këtë shumësi vështirë se të zgjohet malli për artin.
Pikënisja e Blerta Hoçias mund të jetë reagimi ndaj këtij ekspandimi marramendës e ngopës. Ajo eksploron një shteg tjetër, jo të shtrirjes, por të rrudhjes, implozionit, lëvizjes së brendshmi drejt momenteve që strukturojnë fotografinë e që njëkohësisht janë edhe instanca lirie dhe autorësie: momenti i Shkrepjes kur mendja dhe syri zgjedhin objektin, kohën, rrethanat, blendën, dritën, këndin etj.; momenti i Zhvillimit të imazhit në dhomën e errët kur mund të rimanipulohet larja në përmasat që e deformojnë, ristrukturojnë ose edhe fshehin dhe zhdukin imazhin bazë.
Shtegu i përshkruar nuk është i pashkelur në mjeshtërinë e fotografisë dhe në art sepse janë bërë eksperimente të ndryshme që ia dredhin aparatit dhe procesit kimik të larjes së fotografive. Blerta Hoçia e kalon këtë shteg për ta demonstruar një qasje autoriale; ajo e realizon këtë përmes filtrimit të trajtave efemere dhe dytësore, nga ato që i zgjedh dhe thekson si trajta kyçe dhe domethënëse të imazhit. Procedimi në instancën e parë duket si dekonstruktim, ndërkaq që më pastaj merr kahjen konstruktive duke nxjerr në pah raportet thelbësore të dritëhijeve brenda imazhit. Në shumicën e punëve nga këto intervenimet gati që nuk dallohen fare motivet parësore. Vetëm me shikim të koncentruar mund të shohim ca gjymtyra njerëzore, ndonjë fytyrë apo sy, rrallëherë pjesë peisazhesh, detaje degësh dhe lulesh kopshti…
Vetë ndërhyrja e autores është proces që shpesh emërtohet si krijim, por është më e saktë nëse e quajmë riaranzhim artistik i imazhit bazë. Hoçia në të vërtetë edhe e sugjeron të dytën pasi që ciklit kryesor të punëve ia vë titullin Demiurgu. Ideja antike e demiurgut si e perëndisë që e farkon botën nga një kaos zanafillor, dallon shumë nga ideja krishtere të prejardhjes së botës nga asgjëja fal fuqisë omnipotente të një Krijuesi par ekselancë: Zoti krijoi botën nga hiçi!
Pra, kemi dallimin thelbësor mes krijimit, nga njëra anë, dhe farkimit ose prodhimit nga ana tjetër.
Në procedimin ndërhyrës të Blerta Hoçias vërtet është veprues një si demiurg artistik (në Antikë, te Platoni dhe Aristoteli, demiurgu edhe përshkruhet në analogji me artistin). Idetë dhe shija e saj udhëheqin riaranzhimet e imazheve që i ka shkrepur vetë, duke i shfrytëzuar ato si një demiurge, pra, duke i trajtuar si lëndë të parë në farkimin e veprës. Imazhet finale të saja edhe duken si kompozicione ku disa trajta sapo të formësuara sikur dalin në dritë nga një mjegullnajë ose kaos zanafillor.
Por këto imazhe mund të interpretohen edhe si vepër e një demiurgeje të trishtimit sepse në to pluskimi i bukurive subtile në kompozicionet abstrakte, ose detajet që spikaten pëlqyeshëm nga loja e dritëhijeve, mund të lexohen në dy drejtime: në atë optimist të grishjes së shpresës se natyra, rendi, bukuria dhe arti mund të ngadhënjejnë mbi kaosin, por edhe në atë pesimist (për çka unë kam prirje të them se është ndjesi më e saktë), se ato janë behare dhe lule jetëshkurtëra të farkimeve për së koti, por heroike, pa u dorëzuar asnjëherë, në përpjekjet e mbijetimit përkundër kërcënimeve të përhershme nga entropia e përgjithshme dhe e pamëshreceived_10154420692482044irë.

Mendoj se vlera e veprës së Blerta Hoçias konsiston në ndjesinë e stërholluar, ndonjëherë edhe mistike, me të cilën zbulohen tensionet shpresëdhënëse, si dhe ato shpërthyese, në raportet më elementare brenda imazhit; tensione këto që janë si ato nukleare, ku i kemi themelet gati paimagjinueshëm të vogla, por që kanë fuqi enorme për të mirën dhe të keqen e botës duke i dhënë asaj energji dhe jetë, por edhe t’i shkatërrojë ato pandreqshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *