Edvin Kukunja
Rutinë e të mbijetuarit
Dy vesh sallatë
Një domate
Zemër kau po e gjete
Dy fije qepë të njomë
Frut veror
Bën mirë për sytë
Thonë
Djathë i bardhë fileto pule tre birra
Guinness
Dublineze është më e mira
Një, dy filma
Një libër për më vonë
Ikën me bindjen që njerëzia
Është më e këndshme e veshur
Të paktën difektet mund ti imagjinosh
Universi mund të jetë i pafundshëm
Por vështrimi e ka gjithsesi një kufi
Thjesht etik apo estetik
Moralin nuk po e fus në mes
Sepse është ingredient zullumqar
E sigurtë që në fund të ditës
Do e bëjë ndonjë viktimë
Ikën pra me hap të sigurtë drejt shtëpisë
Buzë detit sigurisht
Por perdet ti i mban mbyllur
Sepse pamjen e detit ti e pranon
Vetëm në version nocturn
Të zhveshur prej elementit epshor
Dhe tollovitjes
Në fund të fundit
Ti e di që shpëtimi do të të vijë
Si gjithnjë prej librit
Tabucchi Tregime me vizatime
Ti ikën prej qytetit
Prej alkolit dhe tymnajës qyl
Me arrogancën e njerëzve
Që vesin e kanë shndërruar
Në shprehi të shpërfilljes njërezorë
Ikën ikën
Dhe prej vargut
Gjest vanitoz
Shprehi e plogështisë
Prej intelektuali evolucionist
Që nuk beson as në revolucion
E as në reaksion
Ikën dhe e mbyll vargun
Si të kishe fikur dritën e botës mbi ty
Një ndërgjegjie e bezdisur dhe e bezdisshme
Prej njeriu milingonë
Me prirjen për të qenë gjinkallë
E gjithë jetën lufton për të fituar lirinë
Jo prej nevojës dhe domosdoshmërisë
Po prej tjetrit
Një tjetri që në fund të ditës të shfaqet në pasqyrë
Ndërsa me totemfurçën e dhëmbëve në dorë
Me dhimbje zbulon që gjithçka
Ikjet mbërritjet takimet
Kanë qenë një trill
Një përçapje e kotë për të mbushur me diçka asgjënë