Debati publik për legalizimin e prostitucionit dhe kanabisit medicinal është zhvendosur mbremje e djeshme në studion e emisionit “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili. Në panel janë ‘përplasur’ Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, shkrimtaret Natasha Lako, Flutura Açka (lidhje nga Holanda), Aktivistja e Shoqërisë Civile, Dalina Fico dhe opinionisti Dritan Hila.
Debati merr shkas nga deklaratat e bëra nga Jaka pak ditë më parë i cili kërkoi legalizimin e ‘shërbimit të femrës’ dhe kanabisit për përdorim farmaceutik.
Po Jaka disi është tërhequr nga qëndrimi i tij dhe tha se ishte një opinion personal nisur nga situata në vend dhe jo i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Nga ana tjetër shkrimtarja Lako e ka quajtur turpin më të madh botëror përdorimin e shprehjes ‘shërbimi i femrës’ nga Jaka. Ky i fundit tha se ishte maskiliste dhe se është korrigjuar menjëherë.
Debati për canabisin:
Pas përplasjes për liberalizimin e prostitucionit, mes palëve në studio është ndezur debati për liberlaizimin e kanabisit. Ndëra pro ishin kreu i DHTI-së, Nikolin Jaka dhe aktivistja e shoqërisë civile Dalina Fico, kundër ishin shkrimtaret Flutura Açka dhe Natasha Lako si dhe analisti Dritan Hila.
Açka nga Holanda iu kërkoi të pranishmëve t’iu bëjnë thirrje shqiptarëve t’i kthehen punës, e jo të mbjellin kanabis. Ndërsa deklaratat e saj, disi moraliste dhe të shkrimtares Lako, e cila e quajti një ‘shaka’ debatin për këto tema, kanë irrituar Ficon. Ajo tha se po i trajtojnë shqiptarët si injorantë dhe se s’mund t’u thonë shqiptarëve ju jeni plehrat e botës dhe nuk meritoni asnjë pikë lirie.
Si ndiheni, keni marrë disa fyerje sot?
Nikolin Jaka: Do doja ta filloja me një interpretim që të kuptohet koncentrati i deklaratës sime. Nuk është një kauzë e imja apo Dhomës së Tregtisë. Është përgjigjja e pyetjes së një gazetari.
Ishte përgjigje pas pyetjes si e shikoni kanabizimin e vendit. Më vjen keq që nuk janë thelluar në opinionin tim. Politika nuk e ka analizuar por ka qenë refuzuese.
Ishte pyetje që kërkon përgjigje specifike. Rasti i prononcimit tim nuk është kauzë është opinion. Unë jam mëse dakord që të filloje një debat për të trajtuar këto dy tema. Në Gjermani është dashur 5 vite që të legalizohej prostitucioni.
Flutura Açka: Nuk kam asnjë zemërim me zotin Jaka. Është e drejtë e tij. Unë si qytetare shqiptare nuk do ta shikoja si një debat të momentit. Nuk duhet bërë sot. Është një debat bosh dhe i pavend. Kemi probleme të tjera shumë më të mëdha për t’u zgjidhur. Kur të krijojmë terrenin e duhur mund ta diskutojmë këtë.
Unë jetoj një vend ku është e lejuar, por pikërisht Holanda sot përballet me një problem pikërisht se pas këtij legalizimi fshihet një trafik i madh pas të cilit janë shqiptarët.
Dalina Fico: Unë jam këtu në cilësinë time personale. Në fakt debati për legalizimin e prostitucionit është bërë në Shqipëri në 2011-2012-2013. Neni 113 i kodit të procedurës penale ishte skandaloz, dënonte punonjëset e seksit dhe jo blerësi. Në 2012 me presionin e shoqërisë civile u bë një hap, jo krejt hapi që donim por një hap që tani dënohet edhe ai që e blen seksin, që jep para për shërbimin seksual.
Në një vend si Shqipëria ku çështja e prostitucionit ka qenë një plagë shumë e madhe dhe vijon të jetë problematike, ky është një debat që duhet bërë sepse ne jemi në një regjim ekstremisht të dëmshëm dhe të dhunshëm në raport me viktimat e trafikimit të prostitucionit. Ne i dënojmë sot punonjësit e seksit. Një vajzë që është detyruar të prostituojë nuk shkon dot tek policia të denoncojë atë që e shfrytëzon sepse mund të dënohet vetë. Flitet për kriminalizimin e prostitucionit.
Në Gjermani nuk dënohet as ai që e blen dhe as ai që e shet. Në Suedi dënohet ai që e blen nuk dënohet ai që e shet. O do bëjmë bisedë profesionale, ose do vazhdojmë të flasim bardh e zi që njerëzit të nxjerrin frustrimet e veta morale.
Natasha Lako: Kur e kam bërë deklaratën time, kam qenë e befasuar. Unë jam shkrimtare, shkrimtarët janë njerëzit më liberalë të botës. Por paradoksi ndodh këtu, në vend ta ngrejë një shkrimtar, këtu vjen nga Dhoma e Tregtisë.
Ky është një problem që ngjall diskutime. Një ditë do vijë dita që prostitucioni do legalizohet ndoshta.
Ju keni thënë “shërbimi i femrës” nëse e keni thënë këtë është turpi më i madh botëror. Nuk ka shërbim femre. Njerëzimi ka një ecuri shumë të madhe në këtë rrugë. Në ‘96 për herë të parë në botë edhe gjer në luftën e Bosnjës, përdhunimet nuk quheshin gjenocid. Unë nuk jam skandalizuar për këtë, legalizimin, por të thotë një njeri “të njihet shërbimi i femrës”. Këtu fillon koncepti i gabuar.
Nikolin Jaka: Maskilizëm është, por është korrigjuar në sekondë. Unë vlerësoj opinionin tuaj. Ju nuk keni asnjë informacion për platformën e dhomës për gjithë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Nikolin Jaka ka shpjeguar edhe arsyet se pse është pro legalizimit të kanabisit.
“Gjermania ka të legalizuar edhe prostitucionin, edhe kanabisin farmaceutik, Holanda e Greqia kanë të legalizuar kanabisin farmaceutik, ndërsa vendet e rajonit kanë të legalizuar edhe vende te kanabisit. Kjo klasë politike duhet të ndërgjegjësohen për të zhvilluar debatin e gjerave reale.
Të jenë realë me fenomenet që ndodhin në vend, të marrin përsipër përgjegjësinë. Pra përderisa kanabisi kultivohet, atëherë të legalizohet dhe të kontrollohet nga shteti”, tha Jaka.
Në kushtet ku është Shqipëria, varfëria a do incentivonte legalizimi i prostitucionit?
Dalina Fico: Unë jam për dekriminalizimin e prostituimit dhe të mos dënohet personi që e blen shërbimin në shkëmbim një me një, sepse ti këtë nuk e kontrollon dot. Unë jam kundër menaxhimit të punonjësve të seksit dhe do të isha për një proces gradual.
Jam më shumë kundra se pro shtëpive publike. E qartë jam me këtë që nuk duhet kriminalizuar shërbimi një me një mes një burri dhe një gruaja që vendosin të shesin dhe blejnë prostitucionit.
Unë nuk mendoj që ndalimi funksionon me përjashtim të rasteve ekstreme si pedofilia.
Dritan Hila: Është një lloj skenari apokaliptik. Sodoma dhe Gomorra në Bibël. Mos të jetë ana ligjore unë e shoh shumë të rrezikshme. N.q.s. shteti do çedonte, është një luftë që do ta luftojë çdo ditë.
Delina Fico: Edhe unë jam kundër drogës.
Dritan Hila: Shtetet e BE-së nuk e kanë, vetëm nën kontroll në 3 shtete. Në Shqipëri e ka çdo fshatar. Ka statistika që shoqëria shqiptare ka një degradim të madh dhe në këtë moment e ka të pamundur ta përballojë edhe legalizimin e kanabisit edhe drogën. Në mjekësi kemi dhënë koncesione s’kemi agjenci t’i kontrollojmë. Ti thua ta legalizojmë dhe ta kontrollojmë, por një polic me 400 mijë lekë drogë nuk e kontrollon dot.
Është diçka që shoqëritë e kanë provuar me kalimin e kohës dhe nuk funksionon.
Në Itali me referendum është lejuar përdorimi i kanabisit për nevoja farmaceutike në dy zona. Është anti-dolorifik jo shërues.
Delina Fico: Tendenca është për legalizim.
Nikolin Jaka: Hajde të debatojmë
Dritan Hila: Doli një Koço Kokëdhima dhe thanë hajde se na shkeli syrin, është mbushur Shqipëria me drogë.
Delina Fico: Nëse jemi në këtë botë, duhet të diskutojmë sipas tendencave në botë.
Flutura Açka: Pa bërë detyrat e shtëpisë nuk mund ta legalizojmë. Duhet ta kontrollojmë. Unë që nuk jam specialiste, kam parë me sy të lirë 2 vende të mbjella me hashash. Imagjino se çfarë bëhet. Ju zoti Jaka thatë kush janë shkrimtarët që të përfaqësojnë mendimin e popullit.
Kush jeni ju zoti Jaka që të flisni në emër të femrave shqiptare duan apo jo të jenë prostituta?
Nikolin Jaka: Kam dhënë vetëm mendimin tim personal. Nuk kam akuzuar asnjë opinionist.
Natasha Lako: Në një shoqëri si tonat, pres të diskutohen edhe këto. Është diçka që mund në radhë të parë të vijë nga një sociolog, nga një shoqatë. Por kur arrin të bëhet një problem aq i sensibilizuar nga Dhoma e Tregtisë, kur ka aq shumë gjera.
Nikolin Jaka: Më ke përballë, e kam emrin Nikolin Jaka. Nëse do t’i japim debatit ngjyrat e duhura, hajde t’i japim.
Natasha Lako: Ju duhet të mblidhni të dhëna, sa prostituta ka, sa të ardhura merr shteti. kur të realizohen këta, atëherë hyni ju si rregullatorë, në fund. Kjo është absurde.
Nikolin Jaka: Ju jeni e formalizuar në atë që thoni.
Delina Fico: Studimet shkencore nuk i kanë vërtetuar dëmet nga hashashi.
Flutura Açka: Do bëni mirë t’i bëni thirrje shqiptarët t’i kthehen punës. Ju në studio duhet t’u bëni thirrje shqiptarëve dhe fermerëve t’i kthehen punës, jo të mbjellin hashash dhe të çojnë vajzat prostituta.
Delina Fico: Kam paraqitur pozicionin tim, prej 25 vitesh në harmoni me bindjet e mia dhe të drejtat e njeriut.
Natasha Lako: Kjo është për të bërë shaka.
Dalina Fico: Si i trajtoni shqiptarët si injorantë, sikur nuk dinë asgjë, si injorantë. Erdha me një taksist që kishte rritur 2 fëmijë të mrekullueshëm pa patur mendjen time dhe tënden. Nuk e duroj dot këtë elitizëm ekstrem të personave në Shqipëri.
Kush jam unë dhe ti t’u tregojmë shqiptarëve. Çfarë është ky përçmim për shqiptarët. S’mund t’u themi shqiptarëve ju jeni plehrat e botës dhe nuk meritoni asnjë pikë lirie. Keni 1 orë që i thoni shqiptarëve ju nuk dini. Ç’është kjo. Unë kam dhënë pikëpamjen time.
Natasha Lako: Ule zërin, nuk është normale.
Delina Fico: Hiqni dorë nga të bërat si zysh me shqiptarët.