Dashuria e damës Toptanase me djalin e Haxhi Et’hem Beut

Kësaj radhe nuk do të vijë historia e Bovarizmit të Floberit, as ajo e “Zonjës me kone” të Çehovit, as dëshpërimi i “Gruas me flatra” të Buzzatit, apo mesazhi i jetës te “Zonja me kamelie” i Aleksandër Dymasë, por një histori që theu tabutë e mia personale mbi konceptin dashuri. Ajo do të jetë gruaja e kryeqytetase – “Zonja Tirana”, Qevser Toptani (Tirana). Botimi i ri i psikologes Anxhela Peza rrëfen këtë grua. “Zonja Tirana” është bazuar mbi historinë e vërtetë të Qevser Toptanit. Historia nis me vitet 1850 e vjen deri vonë duke bërë të parakalojnë zonja të fisshme me kapele, të cilat dhanë një kontribut të vyer për kryeqytetin e Tiranës. Bëhet fjalë për mbesën e poetit të madh rilindas, Naim Frashërit vajzën e Murad Toptanit, e cila u martua me djalin e vetëm të Haxhi Et’hem Bej Tirana (i riu). Lindi në Turqi e jetoi në Tiranë, duke dhënë kontribute për të hapur maternitetin për herë të parë. Njëherësh, merrte fëmijët nga Veriu për t’i rritur në shtëpinë e saj, i shkollonte dhe më pas i linte të lirë me një sasi parash. Investoi sasi të mëdha parash në rindërtimin e xhamisë dhe të minares. Ndoqi gjithë jetën politika sociale për të ndihmuar më të varfrit dhe investoi pasurinë në ndërtimin e kryeqytetit. Jeta që ajo bënte ishte krejtësisht perëndimore. Një zonjë e hekurt, që as komunizmi nuk ia theu dot personalitetin. Linte një përshtypje elegante dhe në sallonet e Europës. U shkollua në Romë, zotëronte 6 gjuhë të huaja. E vetmja motër mes 9 vëllezërve, e cila u edukua në vendet më të mira të botës dhe nga nëna e saj, Asije Frashëri.
QEVSERI DHE NJAZI
Libri rrëfen jetën e fëmijëve të Murad Toptanit dhe Asije Frashërit. Qevseri ishte vajza e Murad Toptanit dhe u martua me djalin e vetëm të Haxhi Et’hem Beut, inxhinierin e naftës (AIPA) Njazi bej Tirana.
Në një çast të historisë, familja Toptani dhe ajo Frashëri ishin bërë një – Vesimeja, motra e Murad dhe Refik Toptanit, u martua me më të voglin e vëllezërve Frashëri, me Mehmet Frashërin. Më pas Asija, vajza e Naim Frashërit, u martua me Muradin kështu, në një farë mënyre, ato u bënë një familje e vetme. E vogël, Qevseri qetësohej vetëm me piano dhe kishte një kureshtje të ekzagjeruar. Hipte mbi karrige dhe u binte tasteve me pëllëmbë për të imituar nënën. Ishte 18 vjeçe kur puthi tokën shqiptare. Njaziu, një burrë i gjatë, i pashëm, i veshur si gjithnjë me kostum të bardhë perle, me një shkëlqim që vinte si në gri, po qëndronte në cepin e sallonit të hotel “Dajtit”. Ndërsa në skajin tjetër, përballë, qëndronte Qevseri, me krahun e vet të mbështetur tek i ati. Në profil i dalloheshin kaçurrelat e bollshme, por edhe mimika disi. Ata po bisedonin me dy të tjerë përballë tyre. Kur ata bashkëbisedues u larguan pas pak, fytyra e saj u rrotullua drejt Njaziut. Dhëmbët e kristaltë e të fortë i shndrisnin që nga larg. Disi vrikthi shikimi i tij e zuri. Hoqi kapelën ngadalë prej koke, duke e parë më me vëmendje dhe pyeti Lym Petrelën: – Më thuaj, për sytë e ballit, ajo është xhevahiri që doni të më bëni për nuse?
Djali i Haxhi Et’hem Beut, i vetmi trashëgimtari tij, deshi të martohej me një Toptanase. Më parë shumë djem Toptanas qenë martuar me vajza Bargjinjë, prandaj deshi që një Bargji tjetër të martohej me atë princeshë Toptanase. Donte vajzën e Murad Beut për një krushqi Bargjinjë e Toptanas? E kishin këshilluar të martohej me të, por kur e pa, e deshi patjetër.
“Çfarë finese! Vrej, vrej si e ka bërë pelerinën… si kurorë, hedhur supeve të mëdha e të bardha… si pulëbardhat e Riminit. Jam i sigurt se duhet të jetë ajo. Bukuria e saj më verbon… Më e bukura e të gjitha bejlereshave që kam parë; më madhështorja e të gjitha salloneve mondane. Megjithëse më patën folur për të, nuk e prisja të rrëzëllente kaq shumë. Qevser Toptani ishte një grua që, kur kalonte, lëshonte hije të rëndë në tokë. Trup mesatar, me shpatulla të drejta, e busti përpara vinte i plotë. Mjekra në formën e një “U”-je të shtypur nga poshtë. Vetullën të gjatë, të përkulur bukur; me sy të vegjël, të rrumbullakët e të shkruar. E përkundte dorën duke shoqëruar fjalët. Ishte ndër femrat e para tiranase, që kërkonte të përqafonte risitë e modës në veshje. E kishte shumë kollaj të adoptohej me ekstravagancën e kohës. Pëlqente kapelat e ndryshme: ato me pupla, ato të mënjanuara. Në sallone mbante kurora dhe bizhu me diamante, të cilat i bënte me porosi, me modelin që dëshironte. Kur ecte, e rëndonte këmbën në hapa. Qafa e gjatë i jepte një vetësiguri personalitetit të saj. Qëndronte sinkron në gjithçka.
Si bijë e Murad Toptanit dhe mbesë e Naim Frashërit krijonte shumë përshtypje kudo që shkonte. Burrneshë, këmbëngulëse. Të impononte seriozitet. Vendoste autoritet që në minutat e para.
Njaziu po qëndronte në Vjenë. Vazhdonte studimet universitare mbi mineralin e naftës, si inxhinier i ardhshëm i saj. Të studioje atë degë, kërkonte përkushtimin e duhur. Shpesh e merrte malli për Qevserin dhe ajo të paktën një herë në muaj udhëtonte shpesh për atje. Në Austri studionin në një kolegj universitar edhe vëllezërit e saj. Kunetërit i kishte bërë edhe shokë, jo vetëm si lidhje krushqie. Martesa midis Njaziut dhe Qevserit për të pajtuar dy familjet (Bargjini dhe Toptanas), për më tepër se një shekull në konflikte, sheshuan sagën e grindjes. Toptanasit kishin qenë gjithnjë të pushkës, por Bargjinjtë, që kishin themeluar Tiranën, patën një influencë të madhe në popullsinë e saj. Kur Qevseri qëndronte në Austri, ajo shkonte me Njaziun dhe vëllezërit në sallonet dhe ballot e organizuara nga aristokracia vendëse, duke shfaqur interes mbi modën, letërsinë, kulturën dhe për abonimet e revistave, për t’i sjellë në Tiranë.
DHURATA E SULLTANIT
I shoqi i vuri në dorë një kuti. Kur Qevseri e pyet se çfarë ka brenda, ai e hapi dhe që andej doli një balerinë duke bërë një piruetë, nën tingujt e një melodie në sfond. Ajo melodi i ngjante himnit turk. Brenda në kuti kishte tre gurë të çmuar: zafir, rubin, diamant. Më 1603 sulltan Mehmedi III, i biri i sulltan Ahmetit I, këtë dhuratë ia kishte bërë Ahmet Pashë Bargjinit. Meqenëse ai lindi vetëm vajza dhe i martoi të gjitha me Toptanas, ato vetë vendosën për t’ia dhënë Mulla Beut. Kjo është përmbysje e martesës mes meje dhe teje, sepse i vetmi djalë Bargji u martua me një vajzë Toptanase kësaj radhe. Është trashëgimi e fisit tonë kjo dhuratë e sulltan Mehmedit III dhe baba e la amanet për mua. Kështu që, edhe pse është vajzë, do ta trashëgojë bija jonë. /gsh.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *