Dashuri e pafund

TAGORE

Më duket sikur të kam dashuruar ty me mijëra trajta, mijëra herë…
Jetë pas jete, epokë pas epoke, përgjithmonë.
Zemra ime e magjepsur ka thurur për ty këngë pambarim,
Që ti i merr si dhuratë, i vë në qafë si varëse me hiret e tua,
Jetë pas jete, epokë pas epoke, përgjithmonë.

Sa herë dëgjoj histori të vjetra dashurie, me dhimbjen,
E fabulës së kahershme e të qenit bashkë ose të ndarë.
Ndërsa ngultas vështroj kah e shkuara, atje ti shfaqesh,
Veshur me dritën e yllit polar, që përshkon terrin e kohës.
Më bëhesh një vegim i asaj që s’harrohet kurrë.

Unë dhe ti kemi notuar në rrjedhat që dalin prej burimit.
Në zemër të kohës, dashuria për njëri-tjetrin.
Jemi endur sëbashku me miliona dashnorë të tjerë,
Me të njëjtën drojë të ëmbël të takimit,
dhe lotët trishtë të lamtumirës,
Të së njëjtës dashuri, por në forma që rilindin pareshtur.

Sot ka ardhur te këmbët e tua, të ka gjetur më në fund
Dashuria e ditëve të burrit, atij të djeshëm e atij të përjetshëm;
Hare e përbotshme, brengë e përhershme, jetë e amshuar.
Kujtimet e të gjitha dashurive shkrihen në këtë dashuri tonën –
Të gjitha këngët e poetëve të përjetshëm, të sotëm e të shkuar.

(Përktheu Genci Muçollari)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *