Nga Halil Matoshi
Një ditë në vitet ’90 Branka Bogavac, gazetare malazeze me banim në Paris, takoi një shkrimtar nga Ballkani. Ismail Kadarenë.
“E takova në metro, iu afrova dhe e përshëndeta. I tregova çfarë doja. Pastaj dalim nga metroja dhe ndodhi që edhe ai po shkonte në të njëjtin drejtim si unë dhe kur arritëm te shtëpia ime, ky është ai sistemi ballkanik dhe liria dhe mikpritja, sepse unë atëherë i thashë nëse do të vinte te unë në shtëpi. Dikush do të thoshte se jemi të thjeshtë, më të afërt, më intimë, më miqësor. Është e mundshme, sepse civilizimi bart në vete ndjenjat e vërteta. Ai pranoi. Kur e kam pyetur më vonë se si kishte marrë guximin të vijë, sepse në atë kohë nuk kishim as marrëdhënie diplomatike mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ai tha se në fytyrën time kishte parë se jam e sinqertë…”, ka treguar Bogavac për Radion Europa e Lirë.
Branka Bogavac jeton tashmë katër dekada në Paris. Ajo ka merita të mëdha në promovimin e kulturës së Ballkanit, e sidomos të Malit të Zi, në kryeqytetin e Francës. Për punën e saj është nderuar nga qeveria franceze me Urdhrin Kalorëse e Artit. Ajo ka botuar këto libra: «Biseda në Paris», «Piktura si fat joracional», «Mali i Zi në Paris». Mes shumë personaliteteve të kulturës që ka intervistuar është edhe Ismail Kadare.
Në një fejton të botuar në gazetën «Vijesti» të Podgoricës Bogavac ka bërë publike kujtimet e saj për shkrimtarin e madh jugosllav me origjinë hebraike dhe malazeze, Danilo Kiš, përfshirë edhe detaje nga intervista me Ismail Kadarenë.
Shkrimtari shqiptar e përshkruan kështu njohjen me Kiš-in:
“Danilo Kiš-in e kam njohur për herë të parë në takimet ndërkombëtare të shkrimtarëve në Athinë, më 1984.
Më kujtohet, sapo kisha arritur në hotel me një shkrimtar shqiptar me origjinë greke, dikush m’u afrua dhe më foli: “Tungjatjeta, unë jam Danilo Kiš, jugosllav. E di se ju jeni Kadare. Nëse doni, kam qejf të flas ty, nëse nuk keni ndonjë paragjykim?”
Isha shumë i kënaqur dhe i thashë se nuk kisha kurrfarë paragjykimi karshi shkrimtarëve jugosllavë. Kështu që drekuam së bashku në një atmosferë të shkëlqyeshme. Më tha se i kishte lexuar disa nga librat e mi. Iu përgjigja se kisha lexuar edhe unë «Varrezë për Boris Davidovicin» (libri është përkthyer në shqip nga Jusuf Gërvalla e botuar nga «Rilindja».
Pastaj kemi biseduar edhe gjatë kohës së pauzës. Gjatë ekskursionit me anije rreth disa ishujve, Danilo dhe unë ishim gati tërë ditën bashkë, kështu që na ngucnin shkrimtarët tjerë, sidomos ata që i njihnin raportet mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, posaçërisht francezët: Qysh është e mundur që dy armiq për vdekje, shqiptari me jugosllavin, të rrinë gjithnjë së bashku?
Kemi qeshur me këto pandehma. Ai ishte i vetmi përfaqësues nga Jugosllavia. Kemi folur për gjithçka, edhe për Kosovën, dhe për urrejtjen mes serbëve deh shqiptarëve.
Dhe ja çfarë më tha:
“Mjerisht, jam grindur me miqtë e mi të mëdhenj për hatër të shqiptarëve, sepse u kam thënë se për ta (shqiptarët, v.j.) nuk mund të flitet ashtu në shtëpinë time. Kështu që për shkak tuajin jam zënë me miq që nuk e kuptojnë situatën në Kosovë”.
Në vazhdim të intervistës me Branka Bogavacin Kadare lavdëron qëndrimin e drejtë dhe të ndershëm të Danilo Kiš-it ndaj shqiptarëve.
“Danilo e kuptonte qartë tërë atë situatë të pështjelluar. Më tha se në ushtri ishte në shkollën e oficerëve rezervë dhe se kishte ushtarë shembullorë shqiptarë. Dhe që nga shërbimi ushtarak nisi të interesohej për shqiptarët. Më tha se edhe nëna e tij malazeze ishte nga trevat afër Shqipërisë, ku janë mjaft të fuqishme ndikimet e ndërsjella dhe ku fshatarët ndihen si përzierje e të dyja kombeve, çka është normale për fshatrat kufitare. Më tha edhe diçka shumë mirënjohëse për shqiptarët: “Nga nëna ime njëherë kam dëgjuar se njerëzit më të mirë në botë janë malazezët, porse shqiptarët mbase janë edhe më të mirë. Kjo vërtet ishte e habitshme dhe më vjen keq që nuk i kërkova më shumë shpjegime për atë konstatim, sepse kur ma kishte thënë këtë unë isha ende fëmijë dhe nuk i kisha kushtuar kësaj shumë kujdes. Nga vdekja e saj shumë herë e kam pyetur vetën: a thua ishte kjo fjalë për shkak të lidhjeve farefisnore apo për shkak të ndonjë gjesti madhështor?””.
Danilo Kiš vdiq në Paris në vitin 1989 nga një sëmundje e rëndë. Nga shumë kritikë letrarë është vlerësuar si njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm të Ballkanit në shekullin e ’20. Supozohet se po të mos kishte vdekur aq i ri, 54-vjeçar, me siguri do të merrte çmimin Nobel për Letërsi. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të mëdha. Historiani nga Oksfordi Mark Thompson ka botuar vite më parë biografinë e Danilo Kiš-it: «Certifikata e lindjes. Historia e Danilo Kiš-it».