Zhanret e ndryshme muzikore, instrumentistët e shumtë e koncertet premierë do të jenë pjesë e “menysë” kulturore të kryeqytetit me edicionin e 11-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAMFestival”.
Mbi 100 mysafirë do të performojnë për shtatë net në kuadër të rreth 20 koncerteve që kryesisht do të mbahen në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Në një konferencë për media të hënën organizatorët kanë shpalosur detajet e javës muzikore që do të ofrojë shumëllojshmëri interpretimesh, shkruan sot “Koha Ditore”.
Drejtoresha artistike e festivalit, Rreze Kryeziu, ka thënë se hapja e këtij edicioni do të bëhet me një performancë nga artistët Dardan Zhegrova dhe Lola Sylaj. Sipas saj më pas do të vazhdohet me Korin e Flauteve të Kosovës, që si grup është formuar vitin e kaluar. Pjesë e programit të natës së parë do të jetë edhe trio e solistëve nga Mannheimi, Robert Kowalski, Boris Nedialkov dhe Olga Zado. Trioja nuk do të ndalet me kaq.
“Më datën 24 këta do të ekzekutojnë veprën e kompozitorit Igor Stravinsky, që është njëri ndër kompozitorët më me influencë në shekullin XX. Është vepra ‘Historia e ushtarit’”, ka thënë ajo.