Nga Petro Marko
“Dy gazetarë kinezë në frontin e Kinës, një poloneze dhe një kanadez në lëmet luftarake të Spanjës, paguan detyrën me gjakun e tyre. Tre të parët me vdekje dhe me prerjen e këmbës i dyti. Mjafton ky gjak për t’u kushtuar këto rreshta kolegëve tanë dëshmorë. Sa vjellin fjalë të liga, me ironi dhe tallje, për të gjithë ata që shkruajnë me djersë dhe me gjakun e tyre ngjarjen e ditës, le të ndalen para tre arkivoleve dhe këmbës së prerë. Asnjeri s’do tu kërkojë të vendosin kurora mbi varret e këtyre heronjve. Profesioni nuk është heroizëm. Është detyrë. Dhe njerëzit që i hodhi përdhe lufta në krye të detyrës, le të na gjejnë pakëz minuta….gatitu!
Heroi ndriçohet nga feneri i besimit, misionari ecën drejt idealit të tij. Gazetarin e përvëlon dhëmbja e punës së tij. Dhe puna e tij nuk është as floridhënëse, as e mërzitshme as edhe e kollajshme. S’është gjë për ata që e lënë me kohë këtë profesion, por është e zorshme për ata që i qëndrojnë besnik. Kërkon shumë, jep pak. Punëtori i shtypit nuk ka atë kënaqësi morale që ka shkrimtari ose cilido krijonjës. Megjithatë edhe ky krijon. Vetëm pakëz orë jeton pjella e tij. Dhe kur kalon dita pjella e tij bëhet plaçkë mbështjellëse dhe, Zoti na ruajtë….bëhet edhe më keq. Kështu gazetari ditën tjetër të vdekjes së tij harrohet. Ah, mjerisht s’jemi të gjithë të famshëm. Shkencëtari, shkrimtari, inxhinieri, artisti, do të qëndrojnë para veprës së tyre dhe do të kënaqen. Gazetari s’ka kohë. Sepse në mëngjes do të përgatitë veprën e tij për pasdreke dhe pasdreke veprën e së nesërmes. Luftë vrapimi është jeta e tij dhe në fundin e rrugës është edhe fundi i qënies së tij, gjëndet harresa. Edhe ky ndihmon në ngrehjen e faltoreve. Po turmat që do të përulen nëpër faltore, kurrën e kurrës nuk do ta kutojnë. Thonë se shtypi është zëri i njerëzimit. Dhe zëri ndihet në tërë anët e rrozullimit, entusiazmon, ngreh, qetëson, prin drejt brigjeve të mira ose të këqija. Mirëpo njeriu që nxjerr këtë zë humbet pas mikrofonit. Ka të drejtë Zola, që gazetarin e quan kaminë. Dhe ankohet se flakët e tij i ushqen kjo kaminë pa llogari. E ku ta ngopë. Të tëra i djeg, i humbet;talent, kulturë, djalëri, shëndet. Të gjitha, përveç zemrës. Dhe kjo zemër që nuk numëron as lodhje, as pleqëri dhe mbetet kurdoherë e virgjërt dhe e palodhur, qëndron tamam si atëherë kur ndjen të rrahurat e para të profesionit të saj. Kështu do të rrihet dhe zemra e kolegëve tanë, kur një darkë, papritur, u këshilluan dhe u ngarkuan për të shkuar në front.
-Për pakëz duhet të shkojmë…
Nuk ka kohë për përgatitje. Valixhe, fëmijë, gra? Mos i përmendni në tryezat e redaksisë, sepse këto gjëra radhiten në faqet letrare dhe të gjithë do të qeshin pas kurrizit tuaj. Gazeta s’ka kohë dhe nxitohet, se dhe publiku i saj s’ka kohë, nxitohet. Këndonjësi, porsa të hapë fletoren, do që redaktorin ta gjejë në vendin e ngjarjes. Në vendin e vrasjes, të mbytjes, të luftës, të zjarrit… të vdekjes. Kërkon që prej shtyllave të fletores të dalin flakë,të bërtasin të mbyturit, të flasin kriminelët, të tërhiqen zvarrë trupa të gjakosur, të lartsohet tymi i topave, të ndihet krisma e bombave. Me sa mundime, me sa therori do të bëhen gjithë këto, vetëm e vetëm për të përcjellur flakën tënde, o i dashur këndonjës.
Me kodakun varur mbi sup, gjetën të vdekur polonezen, Gerda Taro, një vogëlushe flokëverdhë që sapo i kishte mbushur të njëzetepestë pranverat. Shënimet e tyre që i mbanin shtrënguar në dorë, i kishin të dy gazetarët kinezë, midis gishtërinjve të tyre të ngrirë. Dhe kanadezi porsa hynte në derën e spitalit, kërkonte kartë e kalem që t’i dërgonte lajme telegrafike fletores së tij që priste ngjarjet e luftës. A kini shëmbëlla të tilla profesionistësh të ndryshëm, me kaq dashuri në punë dhe me kaq besnikëri në detyrë?
Nuk ka, jo, mor i dashur koleg. Por, sidoqoftë, nganjëherë le të ngushëllohemi vetë, duke shprehur atë që rrallë na bie ndërmend. Se puna jonë me të vërtetë është një kaminë që djeg hem shëndetin, hem rininë, përveç zemrës sonë…..
“Shtypi”, 11 gusht 1937./Pasqyre.al