Cilat janë katër gratë që mund të sfidojnë Ramën për stadiumin?

Në një kohë që debati për projektin e stadiumit të ri është kthyer në një debat të gjerë, mes politikanësh e mandej mes profesionistësh arkitektë, disi në heshtje kanë mbetur instancat e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Prej ditës së djeshme flitet për një drejtoreshë të Trashëgimisë së Kulturës në Ministrinë e Kulturës, e cila thuhet se ka refuzuar ta firmosë projektin me argumentin “mbrojtje trashëgimie”. Dhe deri diku ka të drejtë. Por deri më tani zyrtarisht nuk ka zëra zyrtarë nga kjo ministri mbi qëndrimin e saj ndaj edhe “qëndrimi i drejtoreshës trime” është kthyer gati në një legjendë urbane mediatike. Përtej legjendës, janë katër gra që mund të pengojnë dhe ta sfidojnë Ramën: Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, Zhulieta Harasani drejtoreshë e Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, Kozeta Angjeliu drejtoreshë e Muzeve në Ministrinë e Kulturës dhe Arta Dollani drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Të katërta ato, veç pozicioneve të sipërpërmendura në ministri, kanë edhe një detyrë tjetër qe u jep të drejtën të pengojnë projektin e shumëkritikuar: ato janë të katërta anëtare (ministrja është kryetare) në Këshillin Kombëtar të Resataurimeve- ku kalon çdo projekt që prek drejtpërdrejtë apo tërthorazi trashëgiminë kulturore, objektet monument kulture që mbrohen nga shteti e që në fakt, ka për detyrë të kujdeset edhe për peizazhet historike. Këto të fundit shpesh i harrojmë ose nuk i njohim si koncept- kujtesën e qyteteve si peizazhe, çka Tirana, e jo vetëm, madje jo veçse tani po prej vitesh e ka dhunuar dhe e ka humbur. A do kenë këto katër gra fuqinë morale t’i dalin kundër kryeministrit dhe të kërkojnë një projekt që qëndron në harmoni me sheshin dhe ndërtesat e tjera, në vend të projektin aktual, i cili estetikisht nuk qëndron mirë, pa zënë kullën në gojë?

Themi fuqinë morale, sepse atë ligjore e kanë dhe, e kanë si një hallkë të fuqishme që po vetë shteti ua ka dhënë për t’i bërë ballë abuzimeve në emër të së ardhmes, të së mirës dhe të zhvillimit.

Këto gra, ose disa prej tyre dolën me zë në mbrojtje të vilave pranë Ambasadës Holandeze, kur në krye të Bashkisë ishte lideri i opozitës. Mbase duhet ta gjejnë forcën të bëjnë të njëjtë gjë kundra qeverisë së tyre, në mbrojtje të trashëgimisë së shtetit që qeveria e tyre drejton dhe në fund të fundit në kryerjen e detyrës së tyre, detyrë që është e tillë për të mbrojtur shtetin nga vetëvetja. Mbase shefi i qeverisë nuk do tu jetë mirënjohës, por e ardhmja po./Shënim, Pasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *