Çfarë shkruante Noli për qeverisjen e vet: Të gjithëve iu duket vetja kalorës…

Nga Dorian Koçi

Shqipëria si vend, me shtresëzimet e veta sociale ka habitur, jo vetëm të huajt që kanë shkruar për karekterin e veçantë të shqiptarëve në raport me popullsitë e tjera në Ballkan por edhe vet politikanët që kanë udhëhequr dhe përfaqësuar për momente të caktuara vullnetin e shqiptarëve.

Duket se mungesa e jetesës së gjithë popullsisë nën një influencë të vetëm shtetërore e fetare , kapërcimi i rendeve të ndryshëm shoqërorë pa u thelluar aspak në asnjërin prej tyre, traditat e ndryshme të pushteteve politikë, administrativë e gjyqësorë duke filluar nga ai i  despotëve të pavarur bizantinë ,traditës venedikase me Këshillin e të dhjetëve,pushtetit lokal të venomeve dhe Kanuneve, dhe pushtetit perandorak otoman nën presionin e një modernizimi të ethshëm të ardhur nga Europa, kanë krijuar klimën e veçantë sui generis të shqiptarëve dhe sjelljeve të tyre sociale. Fan Noli, një nga personalitet më të mëdha të vendit, ish ministër e ish kryeministër , shkrimtar e historian në një bisedë me Eqerem bej Vlorën ia përshkruante kështu përvojat e tij nga qeverisja e bashkëpatriotëve të vet.

“Ky vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh beu mund të jetë një fshatar, fshatari një patric, të gjithëve nën ato gunat e lypësit iu duket vetja kalorës i barabartë dhe madhështor sa tjetri. Këtu ndryshimi mid is të pasurit dhe të varfrit, midis të fortit dhe të dobëtit fshihet nga ndjesia e dinjitetit të barabartë apo të përshtatjes. Këtu është sinori midis mënyrës europiane dhe asaj aziatike të jetës, midis koncepteve sociale gjermanike dhe latine, midis etikës së krishterë dhe asaj myslimane, këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha refleksionet e së kaluarës dhe të tashmes.”

Ndoshta, pa dashur ai kish arritur në përfundimin që Milan Shuflai, një nga albanalogët më të mëdhenj kish arritur përmes leximit të kujdesshëm të dokumentacionit rreth shqiptarëve dhe studimit të sjelljeve të tyre sociale. Në një nga veprat e veta ai shkruante për Shqipërinë se në vetvete (ajo)  është monada e Ballkanit, në të cilën pasqyrohet krejt kozmosi ballkanik me gjithë ngjyresat e veta latine, greke, romane, bizantine, italiane dhe sllave, ku ende sot vezullojnë kristale të shumta të gjendjes zanafillore, ku ende duken ato shtresa themelore etnike të Gadishullit ballkanik, ngulmimi dhe qendresa e të cilave u dha gjuhëve ballkanike vulën e një fizionomije të përbashkët e ndihmoi edhe në krijimin e një karakteri të përbashkët të kulturës mesjetare ballkanike.

Gjithsesi, pavarësisht këtyre komenteve,  Fan Noli  s’u mërzit kurrë me vendin e vet e mbeti fisnik deri në palcë. E deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin miserabël që kishin ndërtuar ‘’dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru”. I paepur vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet dhe letërsinë që krijonte duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *