Prej thuajse 2 javësh u vumë në dijeni, si publik, për dorëheqjen e Drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Arsyet, prej dy javësh, janë ende të paqarta. Natyrisht kur them të paqarta, është thjeshtë sepse nuk kemi asnjë deklaratë të aktorit kryesor të përfshirë, dhe aq më pak të eprorëve direkt të tij, Mirela Kumbaro dhe Edi Rama.
Nga Romeo Kodra*
Por diçka, prej statuseve fejsbukjane, mund të deduktojmë; fundja fejsbuku është kthyer në mediumin parësor të qeverisë për çështjet publike (shih sëfundmi parkimin nëntokësor për Sheshin Skënderbej në faqen FB të Ramës). Pra, prej fejsbukut (të Kernit) mund të themi që Drejtori i TKOBAP ishte nën presion për “reformën e re të menaxhimit” alla rilindase që i kërkonte Mirela Kumbaro dhe Edi Rama, të cilët gjithë qejf pritën dhe menjëherë pranuan dorëheqjen e drejtorit më të vlerësuar të epokës së “Rilindjes”.
Personalisht mendoj, e kam thënë që kur u zgjodh, Kerni ishte i vetmi person i zgjedhur prej “Rilindjes”për të drejtuar një institucion kombëtar të artit që kishte lidhje me thelbin e artit të institucionit që do të drejtonte. Natyrisht të jesh balerin, sado i aftë, nuk të bën automatikisht menaxher të një institucioni, aq më shumë kur ky institucion është më i larti në rang kombëtar. Nga kjo pikëpamje, pra, përsa i përket menaxhimit, Kerni, si gjithë profilet drejtuese të “Rilindjes” – dhe këtë e tregoi dorëheqja e tij – ishte një dështim.
Ndokush mund të ketë probleme me përcaktimin “dështim” të eksperiencës së Kernit, duke evidentuar, siç bëri edhe vetë Kerni para largimit (gjithmonë nëpër fejsbukëra), prurjen apo hapjen e dyerve të TKOBAP për personalitetet e shqiptarëve të suksesshëm jashtë shtetit. Mua, personalisht, ndryshe nga sa ç’duket të jetë për vetë Kernin apo fansat e fundjavave në Opera, nuk është se më eksiton shumë kjo hapje dyersh, qoftë edhe për Angjelin Preljocajn apo Ermonela Jahon. Pasionin për artin e kam për më shumë se 2 orë javore dhe, duke qenë se nuk jemi më në Koncert në vitin ’36, nuk më mjafton të shoh 4-5 herë në vit shqiptarë që kanë bërë karrierë “jashtetit” për t’u kënaqur me cilësinë e artit dhe menaxhimit të institucionit më të lartë kombëtar për artin e muzikës dhe kërcimit. Madje, mendoj se ata që kënaqen me kaq janë të cekët në mendim, intelekt dhe si rrjedhojë në përgatitje e njohuri profesionale artistike.
Por ç’ka më bën më shumë përshtypje nuk është dështimi (i pritshëm) i Kernit, por heshtja e tij pas dorëheqjes. Ndonjë trucekët mund të vlerësojë këtë heshtje si një fair play, politically correct apo si një mospështytje në pjatën ku ka ngrënë a ndonjë fjalë e mbajtur burrash. Nëse ndokush mendon kështu, atëherë duhet t’i bëjë pyetje vetes se kundrejt kujt duhet të mbajë fjalën Kerni: kundrejt eprorëve, të cilët e zgjodhën qoftë edhe abuzivisht (shih zgjedhjet tërësisht jo trasparente të çdo lloj drejtori në Ministri të Kulturës) apo publikut prej të cilit në fund të fundit merrte rrogën? Duke mbajtur fjalën po tregohet burrë si shqiptarët e një herë e një kohe, apo po vazhdon të zbatojë kodikun e fjalëmbajtjes së mafias (ma+fja = mbaj + fjalën …tingëllon shqiptare, apo jo?)? Omertà/heshtje mbi krimin i thonë italianët.
Kështu që, nëse do t’i japë kuptim dështimit, Kerni duhet përsëpaku të shpjegojë publikun taksapagues. Jo për gjë, por në të kundërt, i lejon ende Mirela Kumbaros dhe Edi Ramës të prostituojnë si mafiozë që janë jo vetëm me artin, siç kanë bërë këto tre vjet, por edhe me fjalën. Mjafton për këtë të shihet thirrja e hapur prej Ministrisë së Kulturës për Drejtor të TKOBAP ku ende përdoret kurvërisht togfjalëshi “reformë në menaxhim”, që nënkupton shkurtim të kohëzgjatjes së kontratave, shkurtim të kohës për përgatitjen e shfaqjeve dhe si rrjedhojë dobësim të cilësisë për të justifikuar më vonë mbylljen totale të institucioneve të artit dhe për të nxjerrë në dritë Artistin e vetëm dhe COD-ifikim Center pranë Kryeministrisë.
Shpresoj, në mbyllje, që Ilir Kerni të gjejë kohën për të shpjeguar publikun dhe për të demonstruar në mos gjë tjetër, integritetin e tij si intelektual dhe jo vetëm si balerin apo ish-drejtues institucioni publik. Le të jetë së paku integriteti intelektual vlera e fundme që duhet trashëguar në një institucion publik të artit, pavarësisht dështimit apo suksesit të eksperiencës së një drejtuesi.
*Marrë nga Aksrevista