Çfarë do të gjeni në Lin

Gadishulli i Linit është i pari që të shfaqet me bukuritë e tij sapo nis dhe zbret Qafën e Thanës, e cila ndan fushëgropën e Prrenjasit me fushëgropën e Pogradecit.
Nga lart, Lini, duket si një shputë dore që futet në liqen. Arkeologët kanë dokumentuar se ky gadishull shkëmbor është banuar qysh në periudhën e hekurit. Fshati është vendosur në anën perëndimore të tij dhe përbën një simbiozë të çuditshme midis njerëzve dhe natyrës. Brenda gjirit të mbrojtur në anën veriore ankorohen varkat e peshkatarëve, ndërsa në anën lindore të Linit ndodhen ‘zagragjet’, kopshtet e banorëve të tij, të cilat nuk janë veçse ngastra të vogla të rrethuara me mure guri, në të cilat kultivohen perimet.
Të quajtura si “dyqanet e familjes”, në to prodhohen sipas stinës domatet, specat, sallata jeshile, lakrat dhe veçanërisht qepët e kuqe të Linit, me të cilat gatuhet tava e famshme e peshkut. I gjithë fshati përshkohet nga një rrugë gjatësore, përgjatë së cilës në të dyja anët janë vendosur shtëpitë dykatëshe.
Këtu është zhvilluar turizmi familjar ku banesat e fshatit janë përshtatur për shtëpi pushimi. Përveç plazheve, ajrit të pastër dhe të freskët, natyrës së bukur, kuzhinës dhe gatimeve në saç, Lini ofron edhe shëtitje dhe eksursione në natyrë përgjatë monopateve të kodrave. Midis plazheve të shumtë, si më i madhi dhe më i bukuri është ai i Neli Resort. I vendosur në rrëzë të shkëmbit të Barkalicës, ai dallohet për ujin e pastër, qetësinë, varkat dhe trampolinat. Përpara bregut të tij hapet një panoramë mahnitëse ku nëpërmjet pasqyrës së ujit shfaqen qartë Ohri me kështjellën e tij majë kodrës, Shën Naumi dhe Mali i Thatë.
Bazilika e Linit është një faltore paleokristiane e ndërtuar diku në shekullin e VI-të. Nga arkitektura ajo është trikonkëshe dhe përbëhet nga naosi, baptisteri, atrium, dhe tre kapela të vogla, të cilat ndodhen në anët veriore, verilindore dhe jugore të naosit. Bazilika ka qenë e pajisur me ikonostas guri dhe dyshemetë e saj janë zbukuruar me mozaikë shumëngjyrësh, ku nuk mungojnë motivet floreale, nga fauna dhe ata gjeometrikë.
-foto copyright Alket Islami & Gon Islami

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *