Cesare Pavese – Dy cigare

Çdo natë është çlirim. Shihen pasqyrimet
e asfaltit mbi shëtitorët vezulluese ballë erës.
Për çdo kalimtar të rastit, një fytyrë e një rrëfim.
Në këtë orë lodhje s’ka më hiç: me mijëra shtylla feneri
veç për kë ndal hapin të ndezë një shkrepëse.

Flakëza shuhet mbi fytyrën e një gruaje.
Më kërkoi një shkrepëse që shuhet prej erës
dhe gruaja, e zhgënjyer, më kërkon një tjetër
e cila shuhet sërish: ajo qesh tashmë, kokulur.
Këtu mund dhe të llafosemi me zë të lartë, të ulërasim,
se askush nuk na dëgjon. Heqim vështrimet
nga shumë dritare – sy të shuar që dremisin –
dhe presim. Gruaja mbledh supet
dhe qahet se ka humbur shallin me ngjyra
që natës e ka në vend të sobës. Na mjafton megjithatë
të mbështetemi ndanë cepit dhe era shndërohet në një grahmë.
Mbi asfaltin e tretur duket tashmë një bisht cigareje.
Shallin ma prunë nga Rio, thotë gruaja, por
është e kënaqur që e humbi, ngase më takoi mua.
Nëse shallin ia prunë nga Rio, natën ka rrugëtuar
mbi oqeanin e zhytur nën dritat e vaporit ndëratlantik.
Qartë, netë me erë. Dhuratë e marinarit të saj.
Marinari s’është më. Gruaja më pëshpërit
se, nëse ngjitem lart me të, do më tregojë një portret të tij,
me flokë kaçurrela dhe zeshkan. Udhëtonte mbi vaporë të pisët
dhe u pastronta makineritë: unë jam më i bukur.
Mbi asfalt gjenden dy bishta. Shohim qiellin:
dritarja atje lart – tregon gruaja me gisht – është e jona.
Atje, megjithkëtë, s’gjendet sobë. Nata, vaporët humbur larg
kanë jo shumë ndriçues, mbase vetëm yjet.
Kalojmë asfaltin krah për krah, lodrojmë duke ngrohur njëri-tjetrin.

(Shqipërimi – Edon Qesari)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *