“Brother sweet brother” – “Vëllezër në brisk” prezantohet në Serbi

Arian Leka në Festivalin KIKINDA SHORTNga data 28 Qershor deri në 2 korrik, shkrimtari Arian Leka do të kryejë 3 lexime autoriale të krijimtarisë së tij në Timisoara (Romani), Szeged (Hungari), Zrenjanin dhe në Beograd (Serbi).
Kikinda SHORT është një veprimtari letrare që organizohet çdo vit si takim i prozatorëve që lëvrojnë gjininë e tregimit në Europë. Ai mbahet në qytetin e Kikinda (Serbia veriore) dhe këtë vit shënon edicionin e vet të 11-të.
Një nga të veçantat e këtij festivali është, mes të tjerash, edhe fakti se qyteti Kikinda është vetëm disa kilometra larg nga Hungaria dhe Rumania. Për këtë shkak organizatorët, duke përfituar nga pozicion unik gjeografik, kanë krijuar një urë lidhëse mes Europës juglindore dhe të Europës së mesme, duke e zhvilluar festivalin në të tria këto hapësira.
Tregimet me të cilat autori shqiptar do të paraqitet në këtë veprimtari janë “Vëllezër në brisk / Brother sweet Brother ” dhe “Pema”. Leximi autorial është në gjuhën shqipe, versioni në serbisht nga Natalia Zaba dhe në anglisht nga Sara Lynn Smith.
Të dy tregimet janë botuar për herë të parë në vitin 2005, si pjesë e vëllimit me tregime “Shpina e burrit”. Në Shqipëri ky libër është vlerësuar me çmimin letrar “Europa atdheu ynë i përbashkët”, akorduar nga Ministria e Kulturës në vitin 2006.
Në vitin 2011, tregimi “Vëllezër në brisk”, (Brothers of the Blade, transl. Sara Lynn Smith), është bërë pjesë e antologjisë “BEST EUROPEAN FICTION” (Dalkey Archive Press) përzgjedhur dhe edituar nga shkrimtari Aleksandar Hemon dhe me parathënie nga romancieri irlandez Colum McCann.

Tregimi “Brothers of the Blade”, ka pasur recensione e shënime kritike vlerësuese, mes të cilave ai shkrimtari Peter Byrne, nën titullin “Nonstandard Tales From The Real Europe”, ku mes të tjerash autori shprehet: “Arian Leka na tondit me rrëfimin e tij, tek na përball me peshën e përgjegjësisë që mund të rëndojë mbi familjen shqiptare. Veçse një barrë e atillë rëndon po aq edhe në një mori vendesh të tjera europiane. Ështe interesant portretizimi i ndjerë i anoreksisë nga Hilary Mantel, që vëzhgon një familje britanike në kahun “perëndimor” të Europës. Familja aty është e njësuar dhe nënkupton “edukim prindëror”, ndërsa në Shqipëri ajo merr kuptimin e “detyrimit fisnor”.

Shkrimtari dhe studiuesi letrar Brandon Wicks, në “Art & Literature”, duke shkruar rreth antologjisë “Best European Fiction” nënvijëzon: “Vëllimi përfundon me një tekst të shkurtër, ngarkuar me tension të pabesueshem, me tregimin elegant “Vëllezër në brisk” i autorit Arian Leka, ku si në një ritual, personazhi është i detyruar rruajë fytin pa qime të të vëllait në ditën që atë do ta bëjnë dhëndër – një çast i vogël domethënës, i ngarkuar me ankth dhe me dëshira sublime.”

Kritiku dhe shkrimtari Kevin Frazier, në tekstin botuar në “A Map of Faces”, duke parashtruar për lexuesin synopsisin tregimit thekson edhe se “…Në paraqitjen shqiptare, “Vëllezër në brisk” nga Arian Leka, vëllai i madh duhet të rruajë vëllain më të ri në një akt të ndërlikuar përkushtimi dhe keqardhjeje, përshkruar me nëntinguj të dhunshëm dhe që na kujtojnë skenën e të njëjtit rit nga “Benito Cereno” e Herman Melville-it. Vëllai i vogël, një njeri guximtar dhe tërësisht njerëzor, për vite me radhë ka qenë shtylla e familjes, por që tash, kur martohet, i duhet të ndahet prej saj. “Pas gjithe kësaj” – vëllai i madh ngarkohet me dilemën – “…nësë vëllai ynë i vogël nuk do të jetë më babá për ne, cili do të jetë ati ynë i vërtetë? Po unë kush do të jem? Çdo të jemi ne të gjithë, babai, motra, nëna dhe unë vetë, kur ai të mos jetë më ky që është? Kur të mos na përkasë më ne, por njerëzve të tjerë, atyre që sot po bëhen gati të mësyjnë në jetën e tij, duke na flakur ne të gjithëve, familjarëve të tij jashtë nga parajsa jonë.” Teksa mediton me brisk në dorë mbi fytyrën e vëllait të vogël, akti na kthen mbrapsht, në të kaluarën e familjes: “…kudo plagë, vraja, blana, lytha të vegjël, gropëza, të çara e vijëzime sa do të mjaftonte vetëm një kalim i pakujdesshëm brisku, që fytyra të lahej në gjak. Dhe sakaq, fëmijëria, koha e pakthyeshme kur ata ishin të pandarë, i kaloi brenda një çasti. Mes gishtërinjve dhe në hapësirën mes dy plagëve iu faneps një tjetër kohë: koha kur ata llangosnin njëri-tjetrin me bojë këpucësh e me kolinoz në gushë, nën hundë e në faqe për t’u bërë sa më shpejt burra me mustaqe të sajuara…” Historia mbyllet me një shënim që do të shërbente si një epigraf për të gjithë përmbledhjen: “Ne ndryshojmë veten për shkak të të tjerëve, ne paguajë çmim të lartë vetëm për të qenë së bashku …”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *