Bota në ankth, ngaqë po ndihemi të panevojshëm

Shumëkush është i hutuar dhe i frikësuar teksa sheh zemërimin dhe frustrimin që po përhapet si flakë zjarri gjithandej shoqërive që historikisht kanë gëzuar siguri dhe prosperitet. Por refuzimi i tyre që të kënaqen vetëm me sigurinë fizike dhe materiale në fakt vë në pah diçka të bukur: një uri universale njerëzore që të ndihemi TË NEVOJSHËM. Le të punojmë së bashku që të ndërtojmë një shoqëri që e ushqen këtë uri. Nëse analizohet prej shumë aspekteve, asnjëherë nuk ka qenë kohë më e mirë për të jetuar. Dhuna ka pllakosur disa qoshe të botës, dhe megjithatë njerëzit ia dalin të mbesin gjallë edhe nën regjime tiranike. E megjithëse të gjitha fetë e botës na mësojnë dashurinë, pasionin dhe tolerancën, dhuna e paimagjinueshme po ushtrohet në emër të fesë.

Prapëseprapë, kemi më pak të uritur, më pak të varfër, më pak fëmijë që po vdesin, dhe shumë më shumë burra e gra dinë shkrim e lexim. Në shumë shtete, është bërë normë njohja e të drejtave të grave dhe pakicave. Por ka ende shumë punë për të bërë afërmendsh, por ka shpresë dhe përparim.
Sa e çuditshme është atëherë të shohësh gjithë këtë zemërim dhe pakënaqësi të madhe në disa prej shteteve më të pasura të botës. Njerëzit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britani dhe anembanë Bashkimit Europian janë kapluar nga frustrimi dhe ankthi politik për të ardhmen. Refugjatët dhe emigrantët qahen që t’u jepet një mundësi për të jetuar në këto shtete të sigurta dhe prosperuese, por ata që tashmë jetojnë në këto toka të premtuara, raportojnë për trazimin që ndjejnë për të ardhmen e tyre që duket se ka prekur kufijtë e pashpresës.
Athua pse?
Një shenjë e qartë vjen prej një hulumtimi interesant për mënyrën se si njerëzit gjallërojnë. Në një eksperiment tronditës, hulumtuesit kanë mësuar se qytetarët e arsimuar që nuk ndiheshin të dobishëm për të tjerët kishin pothuajse tri herë më shumë mundësi të vdisnin para kohe, krahasuar me ata që ndihen të dobishëm. Kjo, për një të vërtetë më të madhe
njerëzore: Të gjithë ndjejmë nevojën që të jemi të nevojshëm.

Ndjenja për të qenë «i nevojshëm» nuk ngërthen krenarinë vetjake ose shkrirjen e padobishme në frymën shoqërore. Kjo ndjenjë konsiston prej etjes së natyrshme njerëzore për t’iu shërbyer vëllezërve e motrave tona në shoqëri si pjesë e njerëzimit. Më së miri këtë e shpreh një thënie e urtë budiste e shekullit trembëdhjetë: «Nëse ndez një pishtar për të tjerët, flakët e tij do të ndrisin edhe rrugën tënde».

Në thelb, të gjitha fetë e mëdha të botës predikojnë se puna e dinjitetshme në shërbim të të tjerëve tregon lartësinë e shpirtit tonë dhe për rrjedhojë është në thelb të një jete të lumtur.
Anketimet dhe studimet shkencore konfirmojnë parimet e përbashkëta të besimeve tona. Amerikanët që kanë prirje t’u bëjnë mirë të tjerëve kanë dyfish më shumë mundësi të jenë të
lumtur në jetë. Në Gjermani njerëzit që mundohen t’u shërbejnë të tjerëve në shoqëri kane pesëfish më shumë mundësi të thonë se janë shumë të lumtur krahasuar me ata që nuk e
shohin shërbimin si pjesë të rëndësishme të jetës. Shërbimi ndaj shoqërisë dhe kënaqësia janë të ndërlidhura. Sa më shumë që të njësohemi me pjesën tjetër të njerëzimit, aq më mirë
do të ndihemi.

Kjo na ndihmon të shpjegojmë pse dhimbja dhe indinjimi po përhapen gjithandej vendeve prosperuese. Halli nuk është te mungesa e të mirave materiale. Po shtohet numri i atyre që
më nuk ndihen të dobishëm, jo më të nevojshëm dhe jo më të njësuar me shoqëritë e tyre.
Në Amerikë sot, krahasuar me pesëdhjetë vite më parë, ka trefish më shumë burra të pjekur për punë që janë jashtë fuqisë punëtore të vendit. Kjo po ndodh përgjatë gjithë shteteve të
zhvilluara – dhe pasojat nuk janë bash krejt ekonomike. Të ndihesh i tepërt është goditje e rëndë për frymën njerëzore. Kjo gjendje çon drejt izolimit shoqëror dhe vuajtjes emocionale, si dhe krijon kushte që të rrënjosen emocionet negative.

Por çfarë mund të bëjmë që të ndihmojmë disi? E para e punës, përgjigja nuk është sistematike. Është personale. Gjithsecili ka diçka të çmueshme për ta ndarë me të tjerët. Ne
si të zgjohemi në mëngjes duhet ta pyesim veten me ndërgjegje të plotë: «Çfarë mund të bëj sot që t’ia di vlerën të mirave që të tjerët m’i ofrojnë?» Duhet të sigurohemi që vëllazëria
botërore dhe njëshmëria me të tjerët nuk janë vetëm ide abstrakte që i predikojmë, por zotime personale që mund t’i zbatojmë me ndërgjegje në praktikë.
Secili prej nesh ka përgjegjësi që këtë ta bëjë shprehi. Por ata që kanë përgjegjësi zyrtare e kanë një mundësi të veçantë për të përhapur gjithëpërfshirjen dhe ndërtimin e shoqërive që
përnjëmend e bëjnë secilin të ndihet i dobishëm.

Liderët duhet ta pranojnë se një shoqëri e përkushtuar gjithsesi krijon një mori mundësish të shëndosha për punë kuptimplotë, që kushdo që është i zoti, edhe të mund të kontribuojë.
Një shoqëri e përkushtuar duhet t’u ofrojë fëmijëve arsim dhe trajnim që pasurojnë jetën e tyre, me mirënjohje më të mirë etike dhe me shkathtësi praktike që çojnë drejt sigurisë
ekonomike dhe paqes së brendshme. Një shoqëri e përkushtuar duhet të mbrojë të ligshtin, njëherësh duke u siguruar që këto politika të mos i zhysin njerëzit në mjerim dhe varësi.
Ndërtimi i një shoqërie të tillë nuk është punë e lehtë. Asnjë ideologji a parti politike nuk i ka të gjitha përgjigjet. Mendimi dashakeq i kontribuon përjashtimit shoqëror, duke ua
cenuar njerëzve mundësitë për zgjidhje kreative. Në fakt ajo çfarë na bashkon ne dyve si miqësi dhe bashkëpunim nuk janë politikat e përbashkëta, ose feja e përbashkët. Është diçka
më e thjeshtë: bindja e përbashkët për zotim e përkushtim, për dinjitetin njerëzor, dobinë e përbashkët që secili person të japë diçka nga vetja për një botë më të mirë dhe më të
kuptimshme. Problemet me të cilat përballemi na shkrijnë kufijtë e ndryshimeve; andaj edhe dialogu dhe miqësia jonë nuk duhet të ketë asnjë kufi .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *