Borxhet e vjetra ndaj SHBA-së

Dom Gjergj Meta

Ne shqiptarët, SHBA-ve i kemi një borxh të madh historik qysh me presidentin Willson i cili ndikoi fuqishëm që ne te kemi sadopak Shqipëri e sadopak kufij. Po ashtu ishin Kancelaritë perëndimore ato që rendën të parat për të njohur mëvetësinë e Shqipërisë nga Porta e Lartë, për t’i dhënë një populli të vogël mundësinë që të rrugëtojë ndërmjet popujsh të lire, duke ndjerë se edhe ky popull i vogël ka një vokacion europian e perëndimor. Pikërisht në këto Kancelari trokitën atdhedashës si Ismail Qemali, Nikoll Kaçori,Luigj Grakuqi e më vonë Luigj Bumçi e Gjergj Fishta e ata nuk ua mbyllën dyert asnjëherë.

Edhe sot janë po ato Kancelari perëndimore që po bëjnë çmosin më shumë se ne vetë që të kemi një shtet të së drejtës që na rradhit ndër vendet europiane me një shtet të së drejtës. Për këtë ne nuk mund të mos i falenderojmë. Ua kemi borxh edhe këtë historia do ta tregojë.

Por a e dinë ata që përpjekjet e tyre dhe sinqeriteti i tyre përqeshet në skutat e errëta të korridoreve të partive politike dhe pushteteve okulte që nuk kanë interes për një vend demokratik? Ata nuk e dinë se metamorfozat pro-perëndimore dhe anti-perëndimore këtu janë si ngjyrat e kameleontëve që vishen sa herë ka ndonjë përfitim dhe jo sepse jane nje bindje e brendshme, jo sepse ndjehet një vokacion i brendshëm. Ketë ata nuk e dine, sepse nuk kanë lindur këtu dhe nuk kanë se si ta dinë. Ata nuk e dinë se këtu është prishur shpirti dhe pikërisht këtë ata nuk e kuptojnë. Ata nuk e dijnë se këtu protestat dhe reagimet e popullit janë gjithmonë të porositura nga zyrat e partive dhe asnjëherë një thirrje e brendshme për ndryshim. Këtë ata nuk e kuptojnë dhe prandaj janë mendoj shumë naivë.

Ata po presim edhe ne po presim tik-takun e një konsensusi të mundshëm që të vijë për të mirën e shumë njerëzve, të një populli të vuajtur që akoma vuan, edhe pse ka një vend që është një parajsë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *