Nga Ahmet Dursun
Është e vërtetë aq sa emri im: në luftën çlirimtare turke të udhëhequr nga Mustafa Qemali, 46% e atyre që shkuan në front dezertuan, pra e prenë në besë. Ky 46% dhe degëzimet e tyre kudo, synojnë të denigrojnë çdo hero kombëtar të ngjashëm nga vlerat dhe për atë që kanë luftuar…Ashtu si Ataturkun në Turqi, si Skënderbeun në Shqipëri, nuk është çudi që nesër edhe Aleksandrin e Madh ta quajnë një lider terrorist!
& & &
Të dashur miq,
Dëbimi i shqiptarëve prej trojeve të tyre në fund të shekullit të XIX dhe në fillim të shekullit të XX drejt lindjes, ndikuan thelbësisht rendin e shoqërive autoktone atje. Errësira e perëndimit të perandorisë otomane e asaj periudhe, i vuri shqiptarët përballë një sfide të jashtëzakonshme kulturore me popujt vendas. Emrat dhe feja përputheshin, por fizionomia, zakonet dhe gjuha, krejtësisht e pa dëgjuar, nuk kish asnjë lidhje me popujt gjerësisht myslimane, si turqishtja, arabishtja, apo persishtja.
Por, çfarë është më e rëndësishmja?
Bashkë me ta, në të gjitha hapësirat jo vetëm në Turqinë e sotme, por në Siri, në Liban, më pak në Irak dhe në Iran, doli në pah institucioni i besës së shqiptarëve, e cila pa u bërë pjesë e ligësive, u mbajt në këmbë veçse me mirënjohje.
Ky institucion -i besës- ashtu si në perandoritë e tjera, edhe në atë otomane, i ka dalluar shqiptarët dhe i ka bërë të ngjiten në majat e ushtrive. Por shpërngulja e gati një milion shqiptarëve, këtë institucion e bëri të preket, të njihet e të respektohet nga çdo shtresë e shoqërisë, derisa një marrëdhënie tregtare, një fqinjësi, apo një krushqi kur bëhej me një shqiptar, fjala mjaftonte!
Historikisht, të gjithë popujt që jetojnë në Turqi ashtu si tani edhe atëherë, – kur nuk indoktrinohen prej pushtetit, si sot- , marrin prej pasurive më të jashtëzakonshme të historisë mijëra vjeçare të njerëzimit të fjetur mbi këtë tokë. Sa më tepër janë lënë të lirë, aq më tepër kanë jetuar në një harmoni pavarësisht etnisë, gjuhës, besimit, zakoneve…etj.
Sot, pse kanë ndryshuar kaq shumë gjërat në Turqi? Në të vërtetë, ku po e çon kjo injorancë Turqinë sot? A mund të evitohet copëtimi i Turqisë, që po afron me hapa gjigande? Kjo katastrofë prek vetëm Turqinë dhe banorët e saj, apo mund të shtrihet edhe në Ballkan e më gjerë?
Pikërisht prej sulmeve të jashtme (jo si tani, nga brenda) u synua copëtimi i perandorisë otomane e degraduar tërësisht. Papritmas, doli një njëri i besës, Mustafa Qemali, i cili ashtu si Skënderbeu 6 shekuj më parë, i dëboi një nga një të gjithë grabitqarët e tokës më të bukur në botë, edhe pse në luftimet më të rëndësishme 46% e të pabesëve dezertuan nga fushat e betejave…plot 46%!
Megjithatë, besa e tij ndaj kombit Turk nuk ishte e kufizuar veçse me këto fitore. Ai shpalli luftën më të vështirë, atë ndaj padijes; realizoi reformat më të paimagjinueshme dhe i dha Turqisë në 15 vite, një fytyrë tërësisht bashkëkohore. Pikërisht, kjo besë, i dha më pas, emrin e pashlyeshëm, Ataturk, “babai i turqve”.
A ka qenë besimtar Ataturku? Nëse ishte i pari që me rrogën e tij si askush më parë financoi përkthimin e Kuranit nga arabishtja në Turqisht; nëse hapi me mijëra shkolla; nëse nuk vuri asnjë grosh pasuri mënjanë dhe pas vdekjes ia dhuroi gjithçka shtetit, a mund të themi që nuk ishte?!
Sipas meje, besimi qëndron veçse te njeriu i besës…
Po, pabesia e besimit të atyre 46% që dezertuan, ku qëndron?! Te kutia, te sënduku, te fuqia imponuese? A u shfaq te memoriali i Skënderbeut në Lezhë?! Te PKK-ja, apo te ISIS-i?! Pikërisht, 46% e tradhëtarëve dhe dezertorëve të atyre ditëve, nuk kanë pushuar asnjë ditë për realizimin e qëllimit të tyre, pra shkatërrimin dhe copëtimin e Turqisë dhe këdo që i del para…
Të quhesh shqiptar është i lidhur ngushtësisht me institucionin e besës, dhe ky institucion qëndron mbi themelet e të kuptuarit të tjetrit pavarësisht ngjyrës, gjuhës, zakoneve, fesë, krahinës dhe të bindjeve…pasi dy të ngjashëm s’kanë arsye ti japin besën njeri-tjetrit! Një bari në malin e Tomorrit, një bujk në rrafshin e Dukagjinit, një malësore në Mirditë, me po të njëjtën mirësi e duan Turqinë. Duan një Turqi të fortë, të begatë, që ia mundëson gjithsecilit ta jetojë i lirë bindjen dhe besimin, siç ia la amanet Ataturku. Ky është një komunikim shpirtërash mes çdo shqiptari dhe atyre shqiptarve që u dëbuan dhe ky komunikim ia prish lojën gjithë arrogancë, intriga dhe përçarëse të atyre të pabesëve që ikën nga betejat!
Sot më shumë së kurrë, në këtë realitet, çdo shqiptar i ndërgjegjshëm duhet të nxjerrë në pah parimet e gdhendura të Ataturkut, i cili ngriti një Turqi bashkëkohore, që i ndau punët e fesë me atë të shtetit dhe tha “paqe në vend, paqe në botë”. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund të shpëtohet Turqia e kapllosur nën këtë injorancë, çdo mënyrë tjetër ia përforcon rreshtat e “xhematit” të tyre të pabesë…
“A ma jepni besën bre burra, për me shpëtue Turkin?” thonë miliona shpirtëra që me mirënjohje e kanë dhënë trupin për ta sjellë Turqinë në lartësinë e qytetërimeve bashkëkohore.
Unë, ia kam dhënë…