TIRANE– Aksidenti tragjik me motor i ndodhur më 21 nëntor në kryeqytet, u mori jetën dy të rinjve Ergi Dini 22 vjeç, dhe Kejdi Halili 21 vjeç. Fati tragjik i tyre shkaktoi dhimbje të madhe tek familjarët, miqtë e të afërmit. Madje edhe ndjeshmëria që kjo ngjarje shkaktoi në publik, ishte e madhe.
Ajo çka ra në sy më pas, ishte një poezi e shkruar nga babai i Ergit, gazetari i TVSh dhe poeti Dashamir Dini, një ditë para aksidentit.
Më 20 nëntor, ai posti në rrjetin social “Facebook”, një poezi rrëqethëse, a thua se po ndiente gjëmën që po i afrohej.
“Çast i keq” e titullonte poezinë e tij Dashamiri, në vargjet e të cilës duket sikur shpirti i tij parandiente një gjënë të madhe.
“Vdekja më vështron me sytë tuaj…
Retë dhe pulëbardhat digjen nga perëndimi.
Mbi buzët tuaja prej lamtumire, më pret puthja e fundit.
Hëh!
Trëndafilat prej gjaku të urrejtjes, do të thahen në parvazin e horizontit.
Unë pres i veshur me smokingun e zi të muzgut, të takoj ditën tjetër…”
Por për herë të parë, katër ditë pas vdekjes së djalit, gazetari Dashamir Dini ka reaguar ditën e sotme, duke u shprehur “S’di pse e shkrova atë poezi, mu thaftë dora”.
“Fatkeqësisht kjo poezi u shkrua një ditë përpara kobit, mua m’u thaftë dora. Nuk arrita të kuptoj kur e shkruajta, se për çfarë e shkruajta, çfarë doja të thoja?! Hedhja e saj që shumë instiktive. Kuptimin e mora vesh vetëm të nesërmen në mbrëmje … kur mora lajmin e kobshëm”, thotë Dashamir Dini në përgjigje të një miku në rrjetin social “Facebook”. (BalkanWeb)