Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, i ka dërguar një rekomandim Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqja, për marrjen e masave dhe rritjen e efektivitetit të Zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimi. Në këtë rekomandim Avokati i Popullit kërkon:
Marrjen e masave të shpejta për parashikimin e blerjes së aparaturave për matjen e rrezatimit jojonizues, të nevojshme për kryerjen e veprimtarisë efektive nga ana e zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimet, në buxhetin e përcaktuar për ISHP-në, mundësisht brenda këtij viti ose maksimalisht për vitin 2017.
Pranë institucionit të Avokatit të Popullit është paraqitur një ankesë nga shtetasi O. S. lidhur me vendosjen e disa antenave celulare në pallatin ku ai banon. Ankuesi O.S. shkruan se: në dt. 09.04. 2014, shtetasja I.Q, në cilësinë e përfaqësues së disa banorëve të një pallati në rrugën “Stefan Kotelli” lagjja nr. 4, Korcë është ankuar në disa institucione, për vendosjen e 3 antenave të kompanive celulare në tarracën e pallatit. Ankuesi O. S. I ishte drejtuar edhe Zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimi , komisionit të Mbrojtjes nga rrezatimi në Ministrinë e Shëndetësisë, por nga përfaqësues të saj i është thënë se kjo zyrë nuk dispononte aparatura për të bërë matjet.
Pritshmëria e subjekteve që i drejtohen Zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimi është që kjo e fundit në përmbushje të funksioneve të ngarkuara prej ligjit nr 104698 datë13.10.2011 “Për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese” të kryejë plotësisht të gjitha ato funksione për të cilat është krijuar dhe zhvillon aktivitet. Megjithatë kjo zyrë si njësi ekzekutive e Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimi nuk mund të përmbushë plotësisht objektivin e saj bazë, të kontrollit të ekspozimeve të publikut dhe të punonjësve, si dhe monitorimin e rrezatimeve jojonizuese, pa patur në dispozicion aparaturat e posacme.
Cështja e rrezatimeve që përhapen prej antenave, stacione bazë të telefonisë celulare është sensitive, dhe shpesh ngre pikëpyetje të mëdha për objektivitetin e vlerësimit të treguesve të rrezatimit, rast pas rasti, nga ekspertët e pavarur të fushës.
Në këtë situatë, pas disa vitesh aktiviteti, është e papranueshme që Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet të mos përmbushë dot plotësisht standardet bazë të monitorimit në terren, për shkak të mungesës së aparaturave që masin rrezatimin jojonizues.
Avokati i Popullit, një nga fushat me përparësi për veprimtarinë e tij konsideron garantimin dhe promovimin e të drejtës së individit për një ambient dhe mjedis të shëndetshëm dhe ofrimin e garancive dhe marrjen e masave nga ana e autoriteteve përgjegjëse që ofrojnë dhe sigurojnë standarde të pranueshme e cilësore.
Në këtë këndvështrim vlerësojmë se pavarësisht elementeve pozitivë që vërehen në komponentë të caktuar të veprimtarisë së Ministrisë së Shëndetësisë, nuk mundet që të neglizhohen disa investime apo parashikime buxhetore, të cilat luajnë rol bazik në funksionimin e strukturave përgjegjëse për mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese, duke mos ofruar kështu cilësinë dhe standardet e kërkuara të këtij shërbimi.
Mungesa e pajisjeve për ZMR-në nuk mundet dhe nuk duhet parë thjesht si një cështje teknike, por si një element që cenon kryerjen dhe përmbushjen e një shërbimi publik dhe që rrjedhimisht cenon të drejtat e njeriut që synohen të garantohen përmes këtij shërbimi, që lidhen me mbrojtjen nga rrezatimet jojonizuese.