“Atë ditë që të shtiva në dorë…”

Nga Monika Stafa

“Atë ditë që të shtiva në dorë…” Pushkin

Me këtë varg fillon një nga poezitë më të bukura të dashurisë të letërsisë botërore, poezia që Pushkini, ati i letërsisë moderne ruse, i kushtoi Ana P. Kernës, vajzës që dashuroi me aq zjarr dhe e bëri të pavdekshme përmes këtij kushtimi.
Në të vërtetë poezia e Pushkinit përmban një shprehje më të drejtpërdrejtë, që mund të duket gati e papajtueshme me fjalorin e “artit të lartë”. Por, në të gjitha përkthimet shqip, përfshirë dhe atë të I. Kadaresë në librin “Muzgu i perëndive të stepës”, shprehja “e fortë” e Pushkinit është shqipëruar me idiomën “të shtiva në dorë”.
Vargu i Pushkinit më erdhi ndërmend jorastësisht. Ndoshta si një përftim vetëmbrojtës që ndërgjegjja apo më saktë nënvetëdija na ofron kur gjendemi përballë një realiteti që na trondit, na mpin, na kristalizon si një masiv akulli. Ndoshta si një inkurajim se jo, s’është e vërtetë, s’ka se si të jetë e vërtetë, që njeriun e gjallë të kësaj bote ta ketë zëvendësuar njeriu i drunjësuar, si të thuash “homos chiberneticus”, që na çudit përditë e më shumë me vetëmashtrimin e tij. Ndoshta si një shajni e bekuar se ajo “mënyra e vjetër”, e qëmoçme, e të jetuarit me dashurinë, s’ka mbaruar njëherë e mirë; për t’ia lënë vendin “dashurisë me mend”, në distancë, në paprekshmëri, në përmasën e së paqenës, përtej ekraneve kompjuterikë dhe shenjave që duken e zhduken me një të prekur të tastierës.
Qëkurse djaloshi pragmatik amerikan shpiku shenjën “@”: “a-në në rreth”, si i thonë shqiptarët në Kosovë; “majmunkën”, sipas zhargonit të informaticienëve të këtushëm; shumë gjëra ndryshuan. Njerëzit nisën të flasin për e-mail, në vend të postës së dikurshme, me letra të nxehta, aroma lulesh e parfumesh dhe shenja të puthurash brenda tyre, që ia kalonin për nga fuqia ndikuese çdo timbri e vule mbretërore. Pastaj thanë se edhe financa nuk ka pse të jetë më e tillë, me bordero, me portofol, me para: mjafton një kartë, mjafton “e-finance”. Dhe ca kohë më pas terminologjisë socio-politike iu shtua nocioni “e-gouvernement”, qeverisje elektronike, qeverisje në largësi.
Të gjitha këto do të ishin të mirëseardhura një ditë në mëmëdheun tonë dhe do të shenjonin një fillim të ri.
Të gjitha këto janë për t’u përshëndetur. Mirëpo të gjitha këto nuk janë shpikur për të ndryshuar thelbin e njeriut, domethënë për ta përfytyruar jetën me mend, për t’i zëvendësuar dhuntitë dhe kandjet e jetës me gjendje që janë “in the state of mind”.
Ç’po ngjet me një brez të ri të Shqipërisë – jo vetëm me të, por dhe me të tjerë para e pasardhës?! Mos vallë atë “metodën e vjetër pushkiniane” të shprehjes së njëri-tjetrit në dashuri po e zëvendëson “e-love”, dashuria virtuale, vetëmashtrimi dhe vetëmjaftimi me përmasën e paqenë?! Si mund të mos e mendosh këtë kur sheh se si këmbejnë “fjalë dashurie” në zonat ndërvepruese televizive Ndoci nga Laçi me Rozën nga Peqini, një gjysmë-analfabete me banim në Torino që kërkon një mashkull kaq vjeç e kaq të gjatë, “pa ndonjë qëllim jete”, ku fjalia nis shqip, vijon italisht me shkurtime dhe përmbyllet anglisht pa sintaksë?
“Ajo e kuptoi se Pjer Bezuhov nuk kishte për ta dashur kurrë, qysh në atë çast kur tjetri i tha “Je t’aime!”.
Kështu shkruan rusi tjetër gjenial Lev Tolstoi në romanin e vet, duke ironizuar ndjenjat e paqena të personazheve që krijoi. Ashtu ishte: një dashuri “in the state of mind”.
Kaq i fismë tw ketw qenë dikur njeriu! Tek dashuria çkriptohej thelbi i njeriut, tek fjalët e dashurisë zbulohej vërtetësia, tek vargu i Pushkinit provohej bashkimi i shenjtë. Ndoshta diçka e ngjashme si në ritet e “Graalit të shenjtë” që përshkruan Dan Brown.
Nëse pyetja se ç’po ndodh me njeriun sot është një prej më tronditëseve, pamjen e vet më tronditëse ajo do ta shfaqte pikërisht duke vërejtur se cila është përmasa shpirtërore e tij. “U-topos” dhe “u-hronos” njëherësh, wshtw një realitet pa vend e pa kohë, pa shpirt e pa frymë, pa gjithçka që është njerëzore tek qenia e kryeveprës së hyjit. Mjerimi i sotëm s’ka fytyrën e hijeve të Migjenit. Mjerimi i sotëm ka fytyrën e njeriut të gëlltitur në “përmasën e katërt”, në përmasën e së paqenës, prekjes virtuale, pushtetit të mashtrimit, dashurisë së mendjes. Diku-diku, për të mos thënë shumëkund, ajo e ka një përligjje: intensiteti i jetës së përditshme, pamundësia për të njohur njerëz të vërtetë, kodet deontologjikë brenda zyrave, e bëjnë përmasën virtuale dhe ndjenjën cerebrale një lloj ngushëllimi për njeriun e gjorë. Mirëpo në këtë Shqipërinë tonë, ku njerëzit përballen me njëri-tjetrin dy-tri herë në ditë gjatë shetitjeve rutinë; nuk është intensiteti i jetës që po e sjell këtë mjerim. E rëndë të thuhet, por ndoshta më shumë është pamjaftueshmëria shpirtërore për të dhuruar ndjenja të forta. Pas kësaj mund të jetë kalkulimi shpirtëror: dalja nga shtëpia, kafeja rutinë, bisedat për shtypin e ditës, shfrimet për pasione politike, mitingjet, grindjet me kolegët, përfoljet e rastit, kthimi, mbyllja, “autostrada e dijes”, “shekulli i internetit”, vetëledhatimi me “të qenit modern”, anglishtja teknokratike me 300 fjalë që mësohet vetvetiu, letrat dikujt atje tej, që s’ka identitet njerëzor, por thjesht një ID (“digital identity”).
Burrat shqiptarë, të njëjtët që dikur u këndonin vashave të tyre me zjarrin e ndjenjave të përndezura; ata që dinin të kushtoheshin më shumë në dashuri se në trimëri, sot i mburren njëri-tjetrit me Pamela Andersone-t që kanë takuar në kryqëzimet e trafikut, me videot e lakuriqta që kanë marrë e dhënë me vajza të paraqitura si djem apo djem të paraqitura si vajza.
Bota moderne, që e ka kaluar një stad të tillë varfërues me kohë, tani e përqesh përmes artit dashurinë virtuale, dashurinë me mend. Gjasa e vetme që realiteti i gënjeshtërt të kthehet në dashuri njerëzore, është që ai atje tej, që jep shenjë herë pas here në ekran, duke njoftuar mekanikisht “Një letër për ty!”, si në filmin me të njëjtin titull të T. Hanks dhe M. Gibs, të qëllojë një njeri që e njeh, qoftë dhe ai që të ka nxirë jetën, të ka shkatërruar librarinë, dyqanin, bisnesin, shtëpinë; që do të thotë të jetë një njeri i vërtetë, që ka mendjen për të arsyetuar, zemrën për të dashuruar dhe shpirtin për t’u përkushtuar. Por këto ndodhin vetëm në filma. Në jetën e përditshme ai që fshihet, fshihet për të mos pasur identitet. Dhe të mendosh për një çast se jetojmë në një botë në të cilën dhjetëra milionë njerëz ushqehen përditë me të njëjtën gjë, në një botë ku Parmalat-i për pak sa nuk u ble nga japonezët, ku gjithçka është mallkimisht standard dhe e vetmja gjë vetjake është ajo shpirtërore. Vandale dhe burracake mund të quhet ta shkelësh me këmbë dhe atë!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *