Një grua nga Algjeria rrëfen vendin e saj përmes gjuhës së pushtuesit! Amantia Kapo, para se të përkthente librin e Assia Djebar-it kish dëgjuar për të si feministe, shkrimtare e angazhuar e anëtare e Akademisë Franceze. Në gjuhën e lirisë e të robërisë, ajo rrëfen botën e pasur të grave të Algjerit, arritjet e vogla e të mëdha, rrëfen jetën e saj, dashurinë e parë, humbjen e parë, dhimbjen e saj, luftën e saj e luftën e kombit të saj. Përkthyesja Amantia Kapo na prezanton me botën e madhe e të vogël të Assia-s në librin “Dashuria, Fantasia” (Albas).
– Përmes një përshkrimi të magjishëm e njëherësh tejet të dhimbshëm të rënies së qytetit të pathyeshëm në duart e francezëve ajo sjell “150 vite më vonë në gjuhën e pushtuesit” historinë e saj e të Algjerisë. A është ky i dyti (gjuha e shkrimit), një pushtim i dytë, më i fuqishëm se i pari?
Heroina e librit, një vajzë e vogël, është gjithashtu dhe narratorja e një historie të dyfishtë: historisë së saj personale dhe të familjes së saj, por paralelisht edhe historisë së Algjerisë gjatë pushtimit nga trupat franceze në vitin 1830. Djebar na jep një vizion femëror të historisë së pushtimit të Algjerisë, gjë që është tejet e veçantë, ndoshta edhe unike në këtë zhanër. Këtë moment historik, ajo e gjykon nga dy këndvështrime, ai i algjerianëve dhe i francezëve, duke qenë se ajo përdor të njëjtën gjuhë me atë të shtabit të përgjithshëm francez. Dhe kjo duket qartë që në faqet e para të librit, ku u jep zë mendimeve të pushtuesit të ardhshëm. Apo kur shprehet mbi aftësitë e Dey Hyseinit (kreu i regjencës së Algjerit) për mbrojtjen e qytetit të pathyeshëm. Pra, përgjatë gjithë tekstit ajo zhvendoset në të dyja anët e barrikadës dhe njëkohësisht refuzon të bëjë një interpretim të historisë të ngjashme me atë që burrat kanë dashur gjithmonë të imponojnë. Ajo hedh poshtë tezën mallëngjyese, që nxjerr në plan të parë pretekstin e forcës shtypëse së pushtuesit përballë luftëtarëve algjerianë. Pyetja që ajo parashtron është: përse ata arritën ta pushtojnë vendin? Burrat diku gabuan. Por, Djebar nuk vë në pikëpyetje guximin e burrave që mbrojtën tokën algjeriane, madje jep shumë shembuj të trimërisë së tyre gjatë luftimeve vdekjeprurëse. Gjithashtu, nga ana tjetër e barrikadës, ajo nuk lë pa kritikuar disa oficerë të ushtrisë franceze, që u sollën si xhelatë të vërtetë gjatë kësaj lufte sundimi. Pra, përdorimi i gjuhës frënge ndoshta është një “mjet inteligjent” për t’u zhveshur nga çdo patos që mund të mbartë gjuha amtare.
– Fëmijëria e Djebar ka ndikuar në një farë forme dhe e ka shënjuar në letërsinë e saj, ajo u rikthehet në mënyra të ndryshme kujtimeve e ndjesive. Këtu ajo tregon fillesën e një jetë ndryshe prej femrës algjeriane, ngaqë ishte bija e një mësuesi të frëngjishtes. Si do e portretizonit ju Assian në këtë libër?
Assia Djebar kreu të gjitha studimet e saj gjatë “Regjimit të Vjetër francez” (Ancien Régime, kështu quhet periudha prej dy shekujsh, që i paraprin revolucionit francez). Shkollën e mesme në liceun e Blida-s, klasat përgatitore Hypokhâgne-n dhe Khâgne në Algjer dhe Paris, për të vazhduar më tej universitetin prestigjioz Ecole Normale de Sèvres. Ajo ka qenë algjeriania parë që u pranua në këtë shkollë të famshme. Pra, mund të themi se mjedisi ku Djebar është rritur, – duke pasur parasysh se vjen nga klasa e mesme dhe se babai i saj ishte mësues i dalë nga bankat e shkollës Normale të Bouzaréah-it, si dhe studimet universitare, kanë ndikuar thellësisht në formimin dhe veprën e saj letrare. Pra, në libër – deri diku biografik, mund të themi, – Assia jep një portret të sajin, i cili shoqërohet nga metamorfoza të ndryshme përgjatë faqeve të librit.
– Ajo flet për mohimin e trupit, e thotë se ndërsa burrat kishin ende të drejtën për katër gra, vajzat e gratë kishin katër gjuhë: frëngjishten, arabishten, libikoberbere, që i çonte në paganizëm dhe gjuhën e trupit; a është kjo grua, një grua e “pasur”, një thesar i fshehur?
“Trupi” është koncepti kyç në veprën djebariane. Ky i fundit, falë një osmoze, shndërrohet në funksion të dijes që narratorja ka fituar falë kulturës së tjetrit. Ajo siguron gjithashtu kalimin nga fusha e konkretes në atë të imagjinatës, por njëkohësisht ngre edhe pyetje në lidhje me statusin e grave algjeriane dhe të qenët shkrimtare në shoqërinë bashkëkohore. Te Djebar- i, gratë janë të përfshira plotësisht në rrjedhën e historisë. Të pafajshme përballë gjithë këtyre trazirave, të braktisura nga njerëzit (burrat) e administratës së qytetit, ato nxitojnë kokulur në çdo lëvizje që mund të ndryshojë atdheun dhe botën e tyre. Vullnetare për të kryer akte të rrezikshme, ato marrin përsipër me guxim të madh përgjegjësitë e reja që u jepen atyre nga burrat. Ato kanë një sjellje shumë më të sinqertë se burrat, të cilët duan të shtrembërojnë ëndrrat e tyre revolucionare. Pra, gratë te Djebar-i përveçse një thesar, janë një energji kokëfortë që shtyn përpara.
– Gruaja e Algjerit herë-herë krahasohet me vetë Algjerinë – e mbyllur, e ngujuar e prapë e pushtuar, por edhe e dhunuar nga shteti i kulturës, që ata e njohën përmes dhunës, apo jo?
Me ardhjen e Djebar-it në botën e letrare, konstatohet edhe hyrja në fuqi e grave në letërsinë artistike të Algjerisë së asaj periudhe. Në të vërtetë, deri në atë kohë ato zinin vetëm një hapësirë të vogël në botën e letërsisë. Kjo ndërhyrje femërore në botën mashkullore, kur disa prej tyre ishin të përfshira në mënyrë aktive në luftën e pavarësisë, tregon se autorja ka një vizion përparimtar të botës. Në fakt, në një vend ku meshkujt zënë të gjitha hapësirat, duke imponuar vlerat e tyre në pjesën tjetër të shoqërisë, një autore femër algjeriane portretizon gratë si për t’u kujtuar atyre se ato ekzistojnë dhe kanë një rol për të luajtur: këtë ato e përsërisin falë fiksionit me dëshirën për të kaluar në anën tjetër të pasqyrës e për të arritur në botën e të gjallëve. Pra, falë Djebar- it, këto gra fitojnë zërin dhe të drejtën legjitime për t’u shprehur. Këtë temë, kaq të dashur për të, Assia Djebar është përpjekur ta trajtojë edhe në forma të tjera dhe një zgjidhje të pjesshme, ajo mundi ta shprehë nëpërmjet kinemasë. Këtë material, shkrimtarja e përdor edhe në pjesën e dytë të “Dashuria, Fantasia”, në kapitujt e titulluar “Zëra”.
– Raporti i saj me gjuhën frënge: me gjuhën e pushtuesit, me gjuhën e vendimeve të gjykatave, por edhe me gjuhën e kulturës dhe gjuhën e “lirisë” – që i dha asaj liri, ndërsa popullit të saj robëri, është një raport dashurie e urrejtjeje. Ajo thotë se, “kjo gjuhë është përdorur më parë për të varrosur popullin tim; Nga ana ime, edhe kur hartoj fjalinë më të zakonshme, shkrimi im kapet menjëherë në lakun e luftës së vjetër mes dy popujve”. Ju si e shihni këtë raport?
Një përgjigje vetë Djebar-i e jep në një libër autobiografik, ku thotë se “të lexosh dhe shkruash në atë gjuhë, në vitet 1950, ishte edhe për gratë algjerianë një mënyrë për të qenë të lira, për të prekur dijen, për të dalë nga rrethi ekskluzivisht femëror. Kur nëpërmjet narratores ende adoleshente ajo shprehet se: “Një uri e tillë në shkrim më kujton grafomaninë e vajzave të ngujuara të fëmijërisë sime: të shkruarit drejt diçkaje të panjohur ishte për to një mënyrë frymëmarrjeje dhe mbushjeje me oksigjen të ri, një zgjidhje e përkohshme e izolimit të tyre…”. Ajo është më se e vetëdijshme se tranzicioni nga gjuha amtare në gjuhën frënge, gjuhën e shkollimit të saj, e ndryshon krejtësisht marrëdhënien e saj me botën që e rrethon. Gjuha ndryshon shprehitë e të menduarit, botëkuptimin e individit. Gjuha e tjetrit transformon personin që e flet, veçanërisht femrën, sepse përvetësimi i një gjuhe të re modifikon marrëdhëniet e saj me seksin e kundërt. Po ashtu, kur e ëma e narratores flet për bashkëshortin, ajo nuk përdor përemrin “ai”. Përkundrazi, ajo guxon dhe e shqipton emrin e të shoqit edhe kur flet në arabisht me gratë e tjera. Kështu, nëna spikat nga femrat e tjera dhe vishet me një status më të lartë sesa gratë e tjera, sepse ajo flet frëngjisht. Kjo gjuhë i jep gruas të drejtën e komunikimit me burrin e saj në kushte pothuajse të barabarta apo të privilegjuara. Kjo shpjegohet qartë kur i ati narratores, gjatë një udhëtimi, i shkroi gruas së tij një kartolinë. Në zarf, ai kishte shënuar emrin dhe mbiemrin e bashkëshortes së tij. Pra, zbulimi i emrit të gruas para syve të të gjithëve – ndërkohë që thuhet se në publik dhe para miqve të tyre burrat flasin për “shtëpinë”, kur e kanë fjalën për gratë e tyre – është i ngjashëm me një sakrilegj. Por, njëkohësisht mund të imagjinohet se zgjedhja për të shkruar në gjuhën e kolonizatorit përtej ndjesisë së çlirimit përbënte gjithashtu dhe një vuajtje. Mjeshtëria e Djebar-it qëndron në faktin se ajo ka ditur të shndërrojë dilemën e saj në një projekt letrar. Përmes narracionit, ajo shpalos një polifoni zërash dhe regjistrash gjuhësorë dhe këtë e bën për t’iu kundërvënë monolinguizmit artificial, që shtypte Algjerinë e asaj periudhe. Pra, si shkrimtare e angazhuar, ajo vë në pikëpyetje çështjet e fundamentalizmit dhe diktaturës, të cilat siç shprehet ajo, janë të lidhura ngushtë me “makthin nevrotik të një gjuhe të vetme”. Dhe duke iu kundërvënë Arabizmit të detyruar të vendit, që nga fitimi i pavarësisë, në dëm të frëngjishtes, por edhe gjuhës berbere dhe dialekteve të tjera, ajo e ktheu zhdukjen e gjuhëve në një nga temat qendrore të prozës së saj.
– Imazhet e tmerrshme të luftës, tablotë e detajuara në libër, duken si një akuzë tashmë në frëngjisht, që ajo i bënte Francës nga toka franceze për të 150 vitet e robërisë. A është kjo një akuzë për mëkatet e tmerrshme të luftërave?
Djebar, në këtë roman është njëkohësisht kroniste dhe shkrimtare e luftës. Hulumtimi historik shpalos një shekull mizorish, vrasjesh dhe masakrash të kryera nga pushtuesit kundër bashkatdhetarëve të saj. Tek i rikthehet relatimit të këtyre ngjarjeve, u lë vend të vdekurve në autobiografinë e saj, u lë fjalën sidomos në kapitullin “Zëra të varrosur”, ku ajo zgjon zërat e grave, të cilat ashtu si në një kor vajtues lëshojnë britma për çdo të vdekur që përshkruhet, çdo trup të varrosur apo kufomë të braktisur në “mëshirën” e çakejve dhe skifterëve. Djebar bën një hulumtim rrënjësor për të nxjerrë në pah historinë e luftës dhe historinë e vendit të saj. Ajo kërkon të ringjallë viktimat e kësaj lufte, për t’i dhënë atyre zë, një zë i cili mund të dëgjohet edhe si një thirrje universale.
– Ka detaje personale ky libër: letra e parë që babai i shkruan nënës, letra e parë që merr ajo e që ua kushton “grave që nuk morën asnjë letër, që nuk i ka prekur asnjë fjalë”. A ishte Assia edhe një grua e ndjeshme, përveçse një grua e fortë?
Sigurisht që ka detaje personale dhe duke qenë se ajo shprehet përmes narratores, do të thotë që shumë nga ndjenjat, ndjesitë, dhimbja, dashuria për nënën, vëllezërit, tregojnë që Djebar përveçse një grua e fortë, ishte tejet e ndjeshme, madje e lidhur jo vetëm me fatin e familjes së saj të ngushtë, por edhe me atë të grave algjeriane dhe të popullit të saj. Gjithashtu, nëpërmjet strukturës së vetë librit, Assia thur një koncept të veçantë në përqasjen e elementeve autobiografike. Alternimi i kapitujve historik dhe ata autobiografik, i bëjnë këta të fundit të duken më të brishtë dhe pikërisht në këtë përballje mes luftës dhe dashurisë mund të lexohet në filigran dhe ndjeshmëria e Djebar-it. ( GSH-Fatmira Nikolli)