Studimet e Tibor Hajas u ndërprenë prej arrestimit të tij si një nga pjesëmarrësit në protestat e Budapestit të vitit 1965. Më vonë u fal dhe u la i lirë e megjithëse nuk u shkollua kurrë për art, prezenca e tij ishte e jashtëzakonshme në atë që quhej skena e artit jozyrtar- ose sfera e dytë e dytë publike.
Nga Fatmira Nikolli/ Gazeta Shqiptare
Vepra e tij “Një letër mikut tim në Paris” 1975, dokumentim fotografik i një “letre” shkruar mureve të Budapestit shfaqet në Galerinë Kombëtare të Arteve deri më 14 gusht, bashkë me 26 artistë të tjerë të po kësaj rryme: Jozyrtarë e rebelë, të para e pas rënies së Murit të Berlinit. Kjo përzgjedhje veprash nga koleksioni i muzeut “Ludvig” në Budapest nën titullin “Ideale dhe Vepra Arti”, dëshmon se me gjithë sistemin politik në Hungarinë e para 1990-ës si një nga vendet e lindjes, artistët mund të protestonin duke ironizuar si Sandor Pinczehelyi më 1973 me yllin e kuq pesëcepësh tek “Lamtumirë” apo me “Draprin e çekanin” po 1973; të nxirrnin Leninin nga konteksti i tij duke e përdorur për një vepër arti si tek “Lenin në Budapest” i Balint Szombathy -1972; ose të ironizonin e të kritikonin sistemin politik pas revolucionit Hungarez 1956, lëvizjes së studentëve më 1968 apo pranverës së Pragës duke përdorur për këtë gur kalldrëmi që merret me vete (duke e kapur në dy anë me mbajtëse hekuri) mbi të cilët shkruhet “Prodhuar në Hungari” si Gyula Gulyas me “Portable Cobblestone” më 1972. Madje, në të njëjtën kohë me SHBA-në në Budapest kishte edhe performanca arti, ku vetë trupi i artistit përdorej si i tillë. “Unë jam një vepër arti” e Judit Kele më 1979 është veçse një prej tyre, që në Tiranë ekspozohet si foto. Kele e prezantoi veten si ‘vepër arti'(ulur në karrige) në Muzeun e Arteve të Bukura në një vend ku një pikturë e El Grecos do qëndronte, po të mos ishte dhënë për ekspozim diku tjetër. Përkrah saj, në këmbë rri i armatosur një rojë, i cili ruante ‘veprën e artit’. Mandej më 1980, si vijim i punëve të saj të mëparshme, ndërmori një hap tjetër. E ftuar në Bienalen e Parisit nga Georges Boudaille, ajo nxori veten në ankand po si një vepër arti. Në një shpallje në gazetën “Liberation” lajmëronte se një artiste e Lindjes ishte në kërkim të një burri. Ankandi u mbajt si pjesë e Binealës së Parisit dhe koleksionisti që ofroi më shumë e mori për vete “veprën e artit”.
Më vonë, blerësi/koleksionisti dhe “vepra e artit” u martuan në Budapest dhe lëvizën drejt Parisit. Vite më pas, Kele foli në televizion për marrëdhënien asimetrike të ‘veprës së artit’ dhe të zotit, një marrëdhënie e vështirë mes të resë emigrante pa një dyshkë në xhep dhe pasanikut francez.
Asnjë prej këtyre veprave, as performanca nuk mund të imagjinohej në Shqipërinë e ‘revolucionit kinez të kohës’.
Kuratorja e ekspozitës “Ideale dhe vepra arti”, Kristine Szipocs, vërejti se kanë sjellë në Tiranë artistë që e nisën karrierën në vitet 1960-1970. “Ata janë artistët jozyrtarë që ishin aktivë në atë kohë e që nuk i qëndronin konform sistemit politik të kohës”. E pyetur se cila ishte periudha më e errët e artit hungarez, kur ideologjia i zuri frymën artit, ajo përmendi vitet 1950. “Ajo ishte koha më e vështirë. Më pas tendenca ishte shkolla realiste, por kemi artistë që shihnin perëndimin, ndiqnin tendencat e artit të trupit, pop-artit, performancës, artit abstrakt etj. Nga 800 vepra që ka koleksioni i “Ludvig Museum”, në Tiranë kanë ardhur ato vepra të viteve 1970 e deri në vitet 2012, tregojnë shqetësimin e artistit për shoqërinë, që ngrenë pyetje, ata që kishin qëndrim të qartë para 1990-ës, ata që shqetësoheshin për rolin e artistit, që ironizojnë propagandën, që merren me përkatësinë gjinore, me kombin dhe bashkimin e kombeve. Ekspozita sipas kuratores Krisztina Szipocs shfaq vepra konceptuale, me bazë fotografinë, aksione artistike dhe performanca, që u morën me kategori të njohura ideologjike dhe formale – simbolet e lëvizjes punëtore, figurën e punëtorit dhe atë artistit – e kështu në mënyrë indirekte vetë regjimin, si objekt shqyrtimi dhe kritike; si edhe ndryshimet komplekse në fillim të viteve 1990-të në vendet e Evropës Lindore që – sollën me vete një trend doktrinash të vjetra dhe të reja dhe ideale të ndryshme për jetën, nga individualizmi përmes konsumizmit, te rizgjimi i nacionalizmit apo religjionit, në përhapjen e të cilave media, mbi të gjitha televizioni, ka luajtur një rol të rëndësishëm.