Arti në ish-Jugosllavi dhe Shqipëri në Panairin e Vjenës me Adela Demetjan

Panairi ndërkombëtar i artit që mbahet në Vjenë ka paralajmëruar se në sektorin special të sivjetmë eksploron një rajon në Evropën Juglindore – ish-Jugosllavinë dhe Shqipërinë.
“Focus: Ex-Yugosllavia and Albania” është titulli i ekspozitës me kuratore Adela Demetja, që do të jetë pjesë e edicionit të dytë të “Viennacontemporary 2016” që mban edicion e dytë midis datave 22 e 25 shtator në “Marx Halle” të kryeqytetit austriak.
Portali “ende.blouinartinfo.com” ka shkruar se pas suksesit të edicionit të parë, “Viennacontemporary 2016” do të bëjë bashkë më shumë se 100 galeri nga 26 shtete që ekspozojnë punën e artistëve bashkëkohorë nga e gjithë bota.
“Viennacontemporary 2016” është organizuar rreth tre sektorëve të përgjithshëm dhe katër sektorëve specialë, duke përfshirë edhe një që është titulluar “Solo Expanded”, shkruan sot “Koha Ditore”. I kuruar nga producenti e kuratori nga Berlini që jeton në Mexico City, Abaseh Mirvali, “Solo Expanded” do të shfaqë ekspozita solo, dyshe apo grupore që kanë në fokus “gjuhët bashkëkohore”.
Një sektor special i këtij viti përfshin edhe “Nordic Highlights”, që ekspozon art bashkëkohor nga galeritë e përzgjedhura në Finlandë, Danimarkë dhe Suedi, sikurse edhe ekspozitën “Foxus: Ex-Yugoslavia and Albania” e kuruar nga shkrimtarja e kuratorja shqiptare Adela Demetja, dhe sektorin “Zone1” për prezantime solo të artistëve të rinj austriakë, të përzgjedhur nga Severin Dünser.
Në ueb faqen zyrtare të panairit është dhënë përshkrimi i detajuar për “Focus: Ex0Yugosllavia and Albania”. Siç thuhet aty, përderisa hapësirat alternative e të pavarura të artit në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara ishin themeluar më 1970, dhe me zhvillimin e tyre ato kishin luajtur një rol të rëndësishëm për shfaqjen e kritikës institucionale, skena alternative e artit në ish-Jugosllavi e Shqipëri ka dalë në sipërfaqe dhe është zhvilluar për arsye krejtësisht të kundërta: mungesën e institucioneve të artit dhe mungesën e një tregu të artit. Prandaj, hapësirat e pavarura të artit të themeluara më 1990 – të iniciuara nga një gjeneratë e re artistësh, kuratorësh e historianësh të artit – kanë luajtur rol të rëndësishëm në themelimin e një sistemi të artit bashkëkohor në këtë rajon dhe në komunikimin e tij përtej kufijve.
Adela Demetja ka kryer studimet për master në “Goethe University” në Frankfurt. Ajo është bashkëthemeluese e “Tirana Art Lab- Centre for Contemporary Art” dhe ka kuruar disa ekspozita ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ekspozitën tematike “Estetika e gjesteve të vogla” më 2014 për festivalin e artit vizual në Selanik dhe “Zërat e së vërtetës” më 2012 në “Villa Romana” në Firencë. Ajo jeton dhe punon në Shqipëri dhe Gjermani… (“Koha Ditore”)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *