“Annabel Lee” nga Edgar Allan Poe

ANNABEL LEE
Edgar Allan POE

Ndodhi shumë vite më parë, shumë,
Në bregdet, në një mbretëri,
Qe një vajzë, emrin jua them unë
I thoshin Anabel Li;
Dhe tjetër gjë nuk donte, dreq o punë
Veç prej meje dashuri.

Unë i ri, ajo pothuaj fëmijë,
Atje, n’atë mbretëri,
Por ç’ndjenim ne, kalonte dashurinë
Unë dhe Anabel Li,
Sa nga qielli engjëjt serafinë
Na vështronin me zili.

Ndaj për këtë arsye ndodhi dikur,
Në të largtën mbretëri,
Një er’ e ftohtë nga lart, e bëri gur,
Të hijshmen Anabel Li;
Të fismit njerëz të saj erdhën me nxitim
Dhe morën vajzën e shkretë,
Ta varrosnin sipas sërës, me nderim
Atje larg, në vendin e vet.

Na morën inat engjëjt në qiell lart,
Na patën shumë zili,
Po! E dinë të gjithë, kjo u bë shkak
Atje të gjithë e dinë,
Që një natë fryu një erë nga lart
Dhe vrau Anabel Li-në.

Jona nga çdo dashuri qe m’e fortë
Edhe se e atyre më të mëdhej se ne,
Apo dhe shumë më të mençur se ne,
Ndaj as djajtë, në fund të detit, poshtë,
As të gjithë engjëjt atje në lartësi
Kurrë shpirtrat tanë s’mund t’i shqisin dot
E shtrenjta Anabel Li;

Ndaj hëna nuk shkëlqen, nëse natën s’më sjell
Ëndrra nga Anabel Li;
Dhe në s’dalshin yjet, mjafton drit’ e syve
Të së ëmblës Anabel Li;
Dhe kështu çdo natë, me të jam në shtrat
Me të shtrenjtën, nusen që pata për fat,
Atje, te varrezat ndanë detit,
Te varri i saj në breg të detit.

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Edgar Allan Poe 1809-1849

Sot, më 19 janar, kalendari poetik shënon datën e lindjes së Edgar Allan Poe-s, shkrimtar, poet, kritik letrar, gazetar dhe botues amerikan. Mbahet si një nga shkrimtarët me ndikim më të madh në letërsinë amerikane, si pararendësi i letërsisë policore, asaj me tmerre dhe letërsisë së verdhë-psikologjike. Autor i poezisë ‘Korbi’, sjellë mrekullisht në shqip nga përkthyesi i madh Fan Noli. Gjithë jetën luftoi me vështirësitë ekonomike, teprimet me alkolin dhe drogat e ndryshme dhe me moskuptimin e lexuesve dhe kritikës letrare të kohës. Sjell sot, në datëlindjen e Poe-s, shqipërimin tim të një poeme të mrekullueshme të Tij, ‘Annabel Lee’; e di, e kanë shqipëruar edhe përkthyes të shquar, gjithsesi, ky shqipërim është imi. E kam për nder të matem me të mëdhejtë-M.R.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *