Nga Rita Petro
Mënyra se si sillet edukatorja me fëmijën na tregon se sa të paedukuar, të pamësuar e primitivë jemi në këtë drejtim ne si shoqëri. Të gjithë jemi të bindur se kjo sjellje nuk është rast i veçuar. Jemi të egër, të dhunshëm si edukatorë dhe si prindër. Nuk e kemi fare për gjë që për një reagim jo bindës të fëmijëve, gjëja e parë që na shkon në mend është ngritja e krahut të djathtë lart: Pusho se të vrava! Këtë e thotë edhe një mama primitive për fëmijën e saj. Dhe jo se ajo nuk e do fëmijën dhe jo se do ta vrasë vërtet. Madje në rastin e edukatores në fjalë, ka dhe komente të tilla, që nëna dhe babai janë të përligjur ta ngrenë dorën ndaj fëmijës së tyre, ndërsa mësuesi dhe edukatori JO! E pse ndodh kjo? Është ndjesia e pronës që na ka mbërthyer si shoqëri e nuk po na shqitet.
Edhe rasti i edukatores në fjalë, që për mua s’ka fare rëndësi se si e ka emrin apo nëse është pronare apo jo e kopshtit. Ajo sillet si pronare e atyre fëmijëve që ka në ngarkim. Mendon se ashtu mund ta bëjë një fëmijë të pushojë së qari, siç ka dhe mësues që mendojnë se mund ta bëjnë një fëmijë të mësojë me “shkop”.
Institucionet e edukimit duhet të jenë shembull në këtë drejtim, madje për mendimin tim përpara edhe familjes. Familja është më pak e kontrollueshme për shkak të një pozicioni komod, ku shoqëria dhe shteti nuk lejohet të hyjnë nga dera e mbyllur e saj. Ata që reagojnë më keq ndaj kësaj situate janë prindërit…me të drejtë se janë aq shumë të ndjeshëm ndaj kësaj situate.
Nuk do ta harroj asnjëherë kur para oborrit të shtëpisë ku luante vajza, në atë kohë, e vogël, nga ballkoni pashë mamanë e një shoqes së vajzës që qëllonte me shpulla vajzën time dhe një shoqen e saj. Ajo ishte e nervozuar se këto e kishin ngacmuar dhe e kishin bërë vajzën e saj, të ndihej keq. Edhe sot më ndrydhet zemra kur e kujtoj atë skenë. Në moment ndjeva një forcë agresive që më shtynte të zbrisja shkallët e t’i sulesha asaj gruaje që më rrahu vajzën. Po përpara se ta bëja unë, e bëri mamaja e vajzës tjetër që u rrah. Sa mirë që nuk zbrita shkallët! Këtë mendova kur pashë se sa situatë e shëmtuar u krijua nga zënka e dy mamave dhe vajzat që shihnin këtë skenë.
Jemi të dhunshëm si shoqëri. Bëjmë komente akoma më të dhunshme. Reagojmë në mënyrë të dhunshme. Mendoj se është një situatë kur duhet të tregohemi të matur, përderisa të gjithë e kemi ushqyer këtë dhunë në shoqërinë tonë.
Ndërsa për shtetin, për institucionet e edukimit duhet të ketë kritere të rrepta ndaj dhënies së licencave si dhe ndaj edukatorëve që kryejnë këtë mision. Fëmija duhet të jetë i sigurt në këto institucione. Fëmija, që i vogël, që 3 vjeç, të mos ushqehet vetëm me përralla. Ai duhet të mësojë (dhe ka të drejtë të mësojë) se ka disa të drejta që i garantohen me ligj dhe që e mbrojnë atë nga dhuna e të rriturve si jashtë familjes, ashtu dhe brenda saj. Ligji duhet të veprojë (as me dorë të hekurt dhe as me dorë të butë) dhe të mos presë vetëm që këto raste të bëhen mediatike.