“Angelus Novus” i Bashkim Shehut në spanjisht

Romani “Angelus Novus” sapo qarkulloi në spanjisht nga Shtëpia Botuese Siruela, një nga më të prestigjiozet e këtij vendi, me përkthim të María Roces González dhe parathënie të Bernardo Atxaga.
Ky roman është botuar dhe ka qarkulluar në vitin 2010 edhe në gjuhën rumune me përkthimin e Kopi Kyçykut.
“Angelus Novus” ka qenë më parë finalist në konkurrimin për çmimin “Balkanika 2007” dhe një prej rrëfimeve të përfshirë në të është botuar edhe si libër më vete në Francë me titullin “Gracka”.
Disa muaj më parë romani “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” të shkrimatrit Bashkim Shehu meritoi Çmimin Kombëtar në Letërsi.
Gjatë muajit prill qarkulloi në frengjisht romanit i tij “Loja, shembja e qiellit”.
Ndërsa, në vjeshtën e 2016 u botua në Spanjë libri me korrespondenca i shkrimtarit Bashkim Shehu me Bernardo Atxaga, libër që përcoll me një parathënie nga shkrimtari Amos Oz.

Bernardo Atxaga ka shkruar se faqe mbas faqeje, si elemente të një kaleideskopi ose të një fuge, dhe nga të gjitha pamjet që na shfaqen në to ndoshta më të qartat janë ato të burgut të Burrelit, në Shqipëri, dhe ato të dy të burgosurve që kaluan atje vitet e fundit, vitet e shumta të fundit të diktaturës së Enver Hoxhës: vetë autori, Bashkim Shehu, dhe bashkëbiseduesi i tij kryesor, Mark Gjoka, i quajtur gjithashtu Mark Shpendi. Janë pjesë me një thellësi të madhe biografike, bartëse detajesh që mund të njihen vetëm nëpërmjet përvojës, sikurse shkronja R që u takonte të ridënuarve, apo si ato ganxhat në mure, të cilat, pasi ishin vënë dikur, gjatë luftës, për kafshët e barrës të ushtrisë, tani përdoreshin si elemente shtesë torture për të dënuarit në qelitë e izolimit: lidhur në to, duke mos mundur të rrinë as në këmbë, as ulur, të burgosurit e ndëshkuar duhej të kalonin javë të tëra në një pozicion çnjerëzor, të kundërnatyrshëm.
Kur labirinti i pasqyrave i mishëruar në të shkruarit e Bashkim Shehut arrin te kjo pikë, gjithçka errësohet. Ishte gjë e pritshme që utopitë e vjetra, si ajo e Qytetit të Diellit të Campanella-s, të dështonin dhe të mos realizoheshin asnjëherë, ngaqë tekefundit nuk ishin gjë tjetër veçse përralla; por që, përpos tyre, të dështonte ajo lëvizje emancipuese që kish filluar me Ilumizmin dhe me Enciklopedinë, domethënë, që Epoka e Arsyes të mos kishte tjetër fund përveç barbarisë, kjo ishte shumë e vështirë për t’u pranuar. Po realiteti është kokëfortë: për Walter Benjamin-in, Gjermania naziste, Franca kolaboracioniste, Spanja frankiste; për Bashkimin, për Markun dhe për të gjithë të burgosurit e Shqipërisë së Enver Hoxhës, një regjim totalitar që dikur, pothuajse gjatë gjithë shekullit XX, ka qenë utopia kryesore, ajo komuniste. Në roman, ndoshta së bashku me kujtimin e ganxhave të qelive ndëshkimore, me e errëta e copave të pasqyrës është ajo ku mbivendoset vetëvrasja e Walter Benjamin-it me vetëvrasjet e disave prej të burgosurve të Burrelit, midis tyre edhe njeriu të cilit i kushtohet ky libër, Mustafa Bajraktari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *