Poezia e tij qëndron mes klasikes dhe avangardës. Strukturalisht është vijuese e poezisë së traditës poetike shqipe, ndërsa në pikëpamjen përmbajtjesore gjejmë prirjen surrealiste, si një trajtë për të shpikur një realitet tjetër që nuk ekziston në të vërtetë.
Nga Dr. Jolanda LILA
Në 90-vjetorin e lindjes së Kasëm Trebeshinës sjellim në vëmendje një nga zhanret e lëvruara më së shumti prej tij, por më pak të njohurën për vlerat që e karakterizojnë, pikërisht poezinë. Edhe pse numërohen 30 vëllime poetike të shkruara prej tij, vetëm katër prej tyre kanë parë dritën e botimit. Konkretisht, vëllimet poetike të botuara janë: “Artani dhe Milja”, poemë e shkruar në vitin 1959 dhe e botuar në vitin 1961; “Lirika dhe satira”, e shkruar në vitet 1937-1944, botuar në 1994; “Polimnia dhe Melpomena”, I,II, botuar në Prishtinë, në vitin 2006 dhe “Këngë për Kosovën”, poema botuar në 2007.
Jehona e këtyre librave nuk është përçuar siç duhet dhe të pakta janë studimet për të. Gjithashtu, poezia e Kasëm Trebeshinës rezulton të mos jetë pjesë e antologjive poetike më të rëndësishme të prezantimit të poezisë shqipe sot. Arsyet e këtij përjashtimi, ose mospëlqimi, sigurisht nuk lidhen me atë çfarë përfaqëson kjo poezi, por duhen kërkuar gjetkë, jashtë kontekstit estetik nga njëra anë, por edhe nga një lloj ngarendjeje preferenciale e studiuesve për t’u marrë më tepër me studimin e zhanreve prozaike të këtij autori, nga ana tjetër. Edhe pse është botuar një pjesë shumë e vogël e poezive të Trebeshinës (në raport me atë që ka shkruar), ne kemi mundësi të kuptojnë tiparet karakterizuese të saj dhe mbi të gjitha evoluimin e stilit krijues ndër vite, pasi poezitë e botuara janë krijuar në një hark të gjerë kohor, përkatësisht nga viti 1937 e deri në dhjetëvjeçarin e fundit.
Poezia e Kasem Trebeshinës shënjon një gjedhe origjinale të poezisë shqipe bashkëkohore, me pikëtakime të shumta me poezinë e traditës, por edhe me atë evropiane.
Kjo poezi ka shëmbëlltyra origjinale me forcë të madhe shprehëse për realitetin shoqëror në të cilin jetoi autori, por edhe për botën e brendshme intelektualo-emocionale të tij. Kjo larmishmëri poetike, e komplikon ravijëzimin e tipareve të kësaj poezie, mbi të gjitha nëse rrekemi ta kanonizojmë atë brenda një rryme letrare të caktuar. Megjithatë, duke parë dinamikën e zhvillimit të stilit nga poezitë e para, tek ato më të fundit, rezulton se poetika e Trebeshinës shpërfaq dy prirje kryesore: Së pari, prirja klasike, që karakterizohet prej ligjërimit të drejtpërdrejtë, e që ndryshe njihet edhe si stil tradicional i të shkruarit. Së dyti, prirja e ndërmjetme, që karakterizohet prej ligjërimit të përzier, herë me shprehje moderne dhe përmbajtje klasike, e herë e anasjellta.
Për të dëshmuar këtë prani prirjesh të larmishme artshkruese, do të paraqesim disa nga elementet kryesore që përbëjnë secilën prej tyre, duke iu referuar gjithnjë lëndës poetike.
Në planin formal, është krijuar përgjithësisht në vazhdën e traditës poetike shqiptare. Ka huazuar elemente të poezisë popullore e deri tek poezia e Rilindjes Kombëtare shqiptare dhe këto përbërës i ka integruar në bashkëkohësi, duke i paraqitur në një mënyrë origjinale sipas individualitetit të vet krijues dhe jo përmes bartjes shabllone.
Struktura vargore ka shumë afri me poezinë popullore. Përdorimen lloje të ndryshme të vargjeve, nga 6 e deri 16-rrokëshi, ku dominues është vargu 9-rrokësh dhe strofikimi tipik i poezisë shqipe, katrena. Vargëzimi shfaqet edhe me struktura të tjera përves strofimit katërsh, sepse kemi edhe kombinime të larmishme me 3, 5 e 6 strofa, por edhe me strukturën monokolonë, që përgjithësisht e ndeshim në poemat e tij.
Shumë prej poezive janë ndërtuar me vargun e lirë dhe me një strukturë krejt moderne që nuk i nënshtrohet asnjë lloj ligjësie formale. P.sh. në poezitë “Ëndrra”, “Ëndrra dhe mendimi”, “Drita dhe hija” etj., me anë të vargjeve të lira vrullojnë përjetimet e subjektit lirik për mungesën e lirisë dhe për frikën e pasigurinë ekzistenciale. Përgjithësisht, poezitë përçuese të gjendjeve psikologjike, ndërtohen me vargje të lira. Në to mendimi zhvillohet nëpërmjet një loje këmbyese mes përcaktueshmërisë dhe papërcaktueshmërisë, ku metonimia, metafora e simboli janë figurat më të përdorura në këto vargje.
Pjesë e fjalorit të tij poetik janë elemente e mjedise konkrete të detajizuara, ku dominuese janë elemente të natyrës, të botës së femrës, etj, por ndryshe nga poezia e traditës, këto elemente të fjalorit poetik nuk vijnë thjesht si refleksione e përshkrime, por vijnë si kundërshti të brendshme të poetit mes dëshirës dhe mungesës, emocionales dhe racionales, reales dhe irreales, të cilat e shtyjnë dhe e tërheqin fort njëra-tjetrën. Pra, ai ka poetizuar ato elemente që i kanë munguar dhe që i ka dëshiruar fort.
Poezia e Trebeshinës nuk është vetëm konkretizuese, por është edhe poezi e nëntekstit, që hera-herës përmes simbolikës së shumëllojshme, kryesisht historike dhe kozmike ngrihet në nivelet më të larta. Me anë të këtyre figurave kalohet në përgjithësime universale për mbytjen e së vërtetës, përballjen me padrejtësinë, mungesën e lirisë përballë tiranisë dhe për çështjet ekzistenciale të njeriut nën peshën e dhunës në përgjithësi.
Poezia e tij shpesh herë ka strukturën e kundërshtisë poetike, ku pranëvihen dualizma- elemente të ndryshme kontrastuese, si e mira dhe e keqja, virtyti dhe vesi, dija dhe injoranca.
Me po të njëjtat oshilacione luhatet edhe fryma e shprehjes poetike, e cila herë është optimiste e herë pesimiste. Kemi ulje-ngitje të mëdha e të befta. Optimizmi nuk del si një ndjesi reale, por del në trajtë imagjinare dhe ëndërrimtare nga subjekti lirik, ku ai e shpik realitetin që dëshiron dhe e shpërfaq si real. Gjatë gjithë kohës të duket sikur po përjeton një situatë reale, por nga një detaj përmbyset gjithçka dhe të çon tek përbërësi i poetizuar dhe i dëshiruar njëherësh. Në këtë pikëpamje, poezia e Trebeshinës është surrealiste, sepse ai e kapërcen sipërfaqësoren, duke parë realitetin misterioz dhe raportet e imagjinatës që lidhin subjektin lirik me ngjarjet e vendet.
Surrealizmi do të thotë që t’i konsiderosh dëshirat e tua si realitete, të përqendrosh gjithë fuqinë tënde tek imagjinata, dhe të hedhësh tutje banalitetin e përditshëm. Nëse do të tentonim të bënim një përllogaritje matematikore për fjalën që gjendet me dendur në poezinë e Trebeshinës, jemi të bindur se fjala “ëndërr” do të renditej ndër të parat. Prania kaq e dendur e ëndrrës na e përforcon idenë e përdorimit të teknikës surrealiste, si një trajtë për të shpikur një realitet tjetër që nuk ekziston në të vërtetë. Ai disponon mjetet nga alkimia e fjalës dhe e halucinacionit, ku hekurat e burgut i duken kënde për të parë pafundësinë e hapësirës.
Ëndrra, revolta dhe shumë elemente të tjera përmbajtësore na çojnë tek thelbi i trinomit surrealist; liri-dashuri-poezi, ku të tria formojnë një realitet absolut që përbën realitetin e humbur të subjektit lirik. Vënia e referencave kohore në fund të poezive na orienton për zbërthimin e botës së figurave dhe si lidhen ato edhe me vetë jetën reale të poetit.
Një nga përftesat për realizimin e kësaj situale është edhe përdorimi i humorit dhe i satirës, por edhe i ironisë, të cilat janë kategori shprehëse që dëshmojnë një inteligjenca të lartë letrare, ku nëpërmjet pohimit të diçkaje thuhet një gjë e përkundërt me të. Ai stigmatizon kategori të caktuara njerëzish si pseudointelektualë, arrivistë e puthadorë të pushtetit. Ai stigmatizon servilët, spiunët, të cilët i sheh si re çimkash që i qëndrojnë në krye në errësirë, dhe njerëzit që kërkojnë lavdinë i sheh si njerëz që rrojnë me zhurmë dhe kur vdesin harrohen. Ngjyrimet më popullore satirike, formulat më të spikatura vihen pranë krahasimeve e metaforave nofka, pranë situatave krahasuese e metaforike fyese. Këto krijojnë një atmosferë gjuhësore satirike të veçantë, ku vlen të vegojmë figurat e poezive: kërriçi, lejlekët, Pelikanët, çimkat, mediokrit, qentë, etj.
Nga të gjitha këto tipare të stilit të tij, konkludojmë se poezia e Trebeshinës përveç lëvrimin të disa trajtave të poezisë klasike, ka sjellë edhe elemente avanguardiste në përgjithësi dhe futuriste në veçanti.