Algoritmi i superstruktures shpirtërore

Nga Fulvia Shtepani

Çdo krijim poetik në vetvete, është në të njëjtën kohë, një përgjigje dhe një pyetje mbi autenticitetin  e  poezisë, e vendos një gur të çmuar, në ngrehimat e kësaj kështjelle të kristalte të shpirtit, që nuk mbaron kurrë së ndërtuari, ashtu si vetë qënia njerëzore që nuk njeh limite eksplorimi. Megjithatë, ende në ditët tona pyetjet «çfarë është poezia », «Cili është çelësi për ta kuptuar atë», «Cilat janë limitet e saj», marrin ende përgjigje të ndryshme,  jo vetëm nga krijuesit e poezisë, por dhe nga studiuesit e tyre, që shpesh me ngulmim e quajnë atë « magji, enigmë, instikt qiellor, fshehtësi hyjnore, perlë e xhevahireve të shpirtit ». Nuk egziston një përkufizim apo kriter sado apstrakt, që mund ti përmbledhi. Ne studimin e Daniel Vidal,  « Philippe Chométy dhe të filozofuarit ne gjuhën e  e perëndive »  (2008), gjejmë një përshkrim të detajuar  të kompetencave  klasike të poezisë duke u bazuar në një kërkim sa të thelle aq edhe bashkëkohor,  ku asaj i atribohet  «koefiçienti më i lartë» i të vërtetës e pjekurisë, jo vetëm në etike, por edhe ne shkenca, duke e distancuar  së tepërmi me çdo lloj forme tjetër të shkruari.

Një liber me poezi si vëllimi « Adresa ime : poezia n°infinit», me nuanca të fuqishme intelektuale dhe kulturologjike, të implikon që nga titulli nivelin e një leximi intertekstual, pasi ai shquhet për një strukturë shumështresore dhe shumëkuptimore, mbarsur me përsiatje mohuese e vetëmohuese, te përshkruar nga filli i një mendimi filozofik kontemplativ, të thellë e të dëndur,  projektuar  me një vizualitet  mrekullisht të poetizuar, ku dialektika e shndërrimit dhe transformimit  të ambicjeve jetësore nuk ngelet zvarë në pragjet e kohes, ku arkitektura lirike e trajtimit  të simbolikës dhe paralelizmi figurativ nuk bien ne kurthin e tradicionalizmit të konsumuar,  ku meditimi dhe imagjinata evoluojnë në formë spirale në labirinte misteri, ku universi kreativ është ndërtuar e sendërtuar me një materie incandeshente  në irupsion të përhershëm, që harmonizon relievin e  shumësisë së koncepteve e njerëzore duke i dhënë atyre trajtë dhe veshje reflektive .

Kur lexon një libër te tillë nuk ka sesi të mos mendosh për rolin dhe vëndin e poetit si përcjellës të memorjes dhe parkursit të poezisë permes kohërave. Rimbaud e shihte poetin si figuren « supreme të dijetarit», Claudel e konsideronte poezinë si «filozofine e qenies» dhe poetët si filozofë të saj, Hugo mendonte se poetet janë «dijetarët më të mëdhenj të udhëkryqit  midis  fesë, filozofisë dhe shkencës», Baudelaire  mendonte se poeti është « ai shpendi i madhështor që ngrihet më lart se te tjerët  (Albatros, tek «Lulet e se keqes »), apo « mbinjeriu »,  që sheh botën si një «pyll simboles» (Korrespondencat).

Dihet që poezia është forma më e lashtë dhe më  e zgjedhur e artit të fjalës, dhe si e tillë, është në të njëjtën kohë dhe ajo më e studjuara. Në këtë optikë integrohet natyrshem vëllimi poetik i Irena Ngucaj-Scirè-s, « Adresa ime : Poezia n° infinit », me nje titull sa shumshprehësh aq edhe intrigues. Infiniti para se të ishte nocion matematik, në fillesat e tij, ka qënë nocion filozofik, nocion literature apo edhe linguistik. Përdorimi i këtij simboli nuk është rastësi, por një zgjedhje autoriale, pasi ai krijon një substrat logjiko-matematik, një pasqyrim virtual, që në «aparence» është i shkëputur nga jeta, por që në anën tjetër funksionon si «kulla e Babelit»  nëpërmjet  «konfuzionit gjuhësor» dhe mjeteve figurative të përdorura në vepër. Libri vjen dhe gjen vend,  në destinet krijuese bashkëkohore, duke u paraqitur si një « model » origjinal, si ngulm sipëror i shprehjes dhe i përfaqësimit, në tërë kompleksitetin logjistik të krijimit, që frymëzohet e oksigjenohet në abiset e shpirtit, që ndjen e transkripton të padukshmen, duke krijuar e ndërtuar me anë të një algoritmi të sofistikuar figurativ, mesazhin e dukshëm, të lexueshëm,  që i përcjell lexuesit.

Ajo që bien ë sy në këtë vellim poetik, eshte dyvlershmëria (ambivalenca ?) poetike e krijuar si kumt filozofik, dhe e  transmetuar si nje simetri që realizohet permes fjalëve, në përpjekjen për të paraqitur lidhjen midis botës personale dhe asaj në të cilën gjindet realisht qënia e poetes, duke rritur kështu  komunikimin me lexuesin.

Poezia është «nje drejtëz», është një trajektore, që nuk mund të ketë ndalesa, kufij, ndërprerje. Ajo rrotullohet rreth boshtit të qënies njerëzore periodikisht, pafundësisht, si toka rreth diellit, duke krijuar brënda nesh stinët ndjesore.

Duke qënë se poezia është e lidhur me kondicionin e qënies njerëzore në vetvete, në tërë universialitetin e saj, ajo është e pakohëshme dhe e pafund. Simbas Hajdegerit, koha nuk është gjë tjetër veçse horizonti i të kuptuarit të qënies.( Martin Heidegger, Etre et Temps, 1927).

Ky vëllim poetik është një përpjekje e rrafinuar e sofistikimit të shprehjes së ndjenjës, e gjuhës së krijimit të imazhit poetik që përcjell, dhe formën me të cilën e përcjell atë, duke mos lënë më njëanë strukturën konceptuale dhe emocionale, e cila bëhet më e pasur e më e unifikuar, nga integrimi i një ekuilibri mahnitës, që i korespondon ekuilibrit të admirueshëm shpirtëror të vetë poetes ( do fluturoj me heshtjen/tëgjej vetveten, e lirë një ditë).

Hajdegeri thotë që «gjuha është qelë e qënies », dhe,  duke e parë poezinë e I.Ngucaj-Scirè-s, në këtë aspekt, do të afirmoja se ky libër me poezi ka pikturuar me ngjyrat më ngazëlluese, e në formën më të rafinuar «qelën» e poetes, me kaligrafinë më të çuditshme të amebave të shpirtit, me ngadhnjime dehëse, me lulëzim pranveror e gjethërënie vjeshtore, me përgjërime dashurore midis qerpikësh të lagur,  ku formohet disfraksioni i dritës hyjnore, ku koha oshilon ndërmjet momentit të çastit, të sapokaluarit dhe të paardhurit.

Duhet një lloj durimi balzakian për të qëmtuar figurat e krijuara nga këto poezi, e për të zbërthyer mesazhin poetik, të lëvruar prej tyre, herë me një lakonizëm të tejskajshm, e herë me kontraste të fuqishme, duke artikuluar mesazhe filozofike shumë aktuale.

Dobrolunov thotë se «figurat që krijon shkrimtari, duke grumbulluar në vetvete si një fokus fakte nga jeta reale, ndihmojnë jashtëmase, për krijimin  dhe përhapjen mes njerëzve të nocioneve të drejta për dukuritë e jetës», pasi me gjuhen poetike shprehet shu, pasi me gjuhen poetike shprehet shumeherë interpretimimi i çeshtjeve madhore te ekzistences.

Të kuptuarit e një vepre letrare ka tre  shkallë, që fillojnë nga kuptimi i fjalës, kuptimi i shprehjes dhe kuptimi i tekstit, sipas studiuesit Xhonatan Keller. Të kuptosh poezinë e I.Ngucaj-Scirè-s,  kërkon imagjinatë dhe përgatitje për provim emocionesh. Lirikat e poezive të saj shprehin momente psikologjike të ndjeshmërisë njerzore në tërë spektrin e saj, duke përfshirë shpresën, konfrontimin dhe zgënjimin, të integruara në një «makro e mikrostrukture», të cilat përbëjnë edhe elementet e një përsiatje krahasimtare në poezinë e saj.

Këto poezi janë një shpalim tejet i guzimshëm i një shpirti të begatë, plot etje dhe dashuri për jetën, janë një thirje e fuqishme me zërin e sublimuar të femrës shqiptare që zgjidh vargjet e hipokrizisë konvencionale, me një  krenari e sfidim pakompromis, duke shkallmuar themelet e moralit të rremë me një sinqeritet drithërues. Dihet që ligjet e veta, jeta ia inponon së pari  gruas, duke i besuar asaj dashurinë, dhe pavdekësinë, dhe poetja e ka kuptuar këtë më së miri, duke shfrytëzuar çdo okazion për ta pushtuar jetën me një fuqi të jashtëzakonshme, në shumëanësine e saj, së bashku dhe mrekullitë që ajo të ofron. Të duket sikur vargjet përngjyhen me një materie fosforeshente, ku poetja vizaton me rrezen e diellit, flet me gjuhën e ajrit, kompozon me dritën e hënës, amëson rrjedhjen e kohës, me kapërcimin imagjinar përtej të mundshmes, duke shkallmuar binomin jetë-dashuri, detyron natyrën të çlirojë sekretet e saj. Diçka të tillë mund ta bëjë  vetëm një krijim letrar i mbështetur në një kornizë kulturore të larmishmë, që duhet të realizojë virtualisht «ekzagjerimin», duhet të çlirohet nga çdo lloj patetizmi anakronik, duhet të shkatërrojë paradigmat dhe tabutë censuruese, duke ruajtur  njëkohësisht të pacënuar natyrën estetike të veprës, që është një nga thelbet e përhershme të letërsisë.

Ritmi tepër lirik i ligjërimit, na bën të mendojmë sipas teoricienit gjerman Kajzer, se veprës i përgjigjet stili i evokimit, në të cilën mbështetet, me ose pa vetëdije, ky vëllim me poezi, duke plotësuar kërkimin e natyrshëm të kuptimit të egzistencës, të dashurisë, të gëzimit, të dhimbjes dhe të humbjes, në formë sa personale aq dhe të përgjithësuar.

Lirika e dashurisë zë një vend të veçantë në libër. Dashuria, ky moment i mëkatit biblik, mbart brënda vetes magjepsjen e ëndrrave, peisazhet lirike, forcën dhe energjinë e palimit, mitet e gjeografisë dashurore, të mistershmen  e gjallimit, përpjekjen për të gjetur të veçantën në parëndomtësinë e gjërave që kemi parë dhe prekur, strumbullarin filozofik të ardhjes së njeriut në jetë,  zjarrit të dashurisë, atij që harlis qëniet, shpirtëzon botën e ripërtërin jetën.

Në poezitë e Irena Ngucaj-Scirè-s gjejmë shiun e ëndrës nerudiane të dashurisë, imagjinacionin dhe forcën e vargut hikmetian, shpirtin e trishtimit esenian, brishtësinë dhe fuqinë asociative  pushkiniane. Poetja ka aftësinë magjike ta bëjë të ndjeshme, të prekshme dhe ta lartësojë gjuhën poetike, e cila nëpërmjet stilit dhe konotacioneve të saj ngrihet mbi kuptimin metaforik e emocional të jetës njerëzore.

Autorja është një nga ato poetesha,  që mendon si Dostojevski, që bukuria do të shpëtojë botën. Vizioni i saj përqafon, vizionin metaforik lorkian me një shtrirje shumëdimensionale ashtu si edhe  Borgesi e Eko, duke na u shfaqur si një autore me një individualitet të spikatur, me maturitet dhe detaje befasuese, që në librin e saj të parë, duke nxjerrë në kështu në dukje, përpjekjen e saj të vazhdueshme për krijimin e një stili personal, mbështjellur me butësi lirike, i cili përkon njëkohësisht me krijimin e vetvetes, në aureolën e atributeve njerëzore, mes kompleksitetit dhe kontrastit ndaj vetvetes dhe të qënurit ndryshe, midis të përkohshmes dhe të përhershmes. Autorja vë në rolin e protagonistit jo vetëm lexuesin por edhe objektin e aktivitetit receptiv. Ajo i zbulon lexuesit dëshirën për të dashur,  atë që duhet dashur, edhe nëse ky i fundit akoma nuk e di. Ajo krijon një bashkëbisedim kritik dhe jo kritik me lexuesin, si tek poezia « Lindja e një poezie », kur poezia lind/, shuan flakën e brishtë/ e pret me ndrojtje që foshnjen e tij/lexuesi ta vesh/me kujtesë e pëlqim.

Në këtë aspekt, vëllimi poetik të bën të kujtosh veprën e U.Eko-s  « Emri i trëndafilit, një ngaveprat më të rëndësishme të postmodernizimit. Jam e sigurt qe autorja me koherencën e ligjërimit të saj  poetik, do të krijojë në horizontin e lexuesit-kërkues apo lexues-pritës, ashtu si dhe Manxoni,  publikun e vet, të cilit vëllimi poetik nuk ka si të mos i pëlqejë. Jauss-i thotë për horizontin pritës se « karakteri artistik i një vepre në horizontin e shfaqjes së tij të parë, në asnjë mënyrë, nuk mund të jetë i vëzhgueshëm menjëherë ». Duke ditur se estetika e receptimit, është e pandashme prej prespektivës fenomenologjike ku theksohet objekti artistik, kur fantazia nuk është latente, dhe materiali  nga i cili lexuesi mund të krijojë trillin e tij eshte i pasur,  leximi kthehet  në akt konstruktiv,  dhe jam e bindur që ,« Adresa ime : Poezia n°infinit »,  do t’ja dalë mbanë me sukses kësaj eksperience letrare.

Duke u inkuadruar në poezinë lirike, si shprehja më e flaktë e subjektivitetit dhe temave ekzistenciale, duke shfrytëzuar  burimet e muzikalitetit, ritmeve, evokimit vizual e afektiv, i cili  është i lidhur ngushtësisht me gjuhën, poezia e Irena Ngucaj-Scirè-s, preludon dhe ushqehet nga preludimi, i jep vetes dimension, unitet dhe ritëm, deri aty ku sensibiliteti dhe thellësia e ndjenjës posedon (sundon ?) senset.

Do të ishte gabim, po të mendonim pa u thelluar, që poezitë e këtij vëllimi janë narcisike apo kanë shumë nota të tilla. Megjithëse veta e parë «Unë» është prezente, ajo është difraktuar nëpërmjet dialogut me figurat e tjera si «ti», «ai». Poetja, po aq sa ndahet nga njeriu si qënie njerëzore, aq dhe zhytet në humanitetin e botës së tij emocionale, dëshirës për të bukurën, përjetësimin e jetës dhe të dashurisë, këtë filigram blu të shpirtit. Ajo krijon një korrespondencë ndërmjet sentimenteve dhe natyrës që përdor për përshkrimin e tyre, ashtu si Baudelaire tek «Lulet e së keqes», ku melankonia gërshetohet me elementët e peisazhit, dhe  si tek Verlaine « Këngë vjeshte», duke përdorur figura të pasura stili, si përsëritjet, metaforat, krahasimet, anaforat e alegoritë.

Unë-i i poetes nuk shpreh identitetin e shkrimtares si në autobiografi. «Vetja» është në të njëjtën kohë «krijuese dhe destinuese», ajo nuk egziston para krijimit, por formohet gjatë prodhimit të saj, hapësira dhe koha të evokuara nga poetja, janë shpesh « fillim e mbarim», momente kalimi kufijsh, dileme, ndarje, nostalgjie, janë momente të kontaktit të fundësisë dhe pafundësisë. Shprehja «Unë» në këto poezi lirike përshkruan topografinë e shpirtit të njeriut. Ajo bazohet me një penetrim vendimtar në thellësinë e qënies së tij, duke angazhuar vetë themelet e kësaj qënie, deri aty ku ka humbje tërësore të ndërgjegjes individuale, duke kaluar në rrafshet më të thella, aty ku ai vetë nuk egziston më, aty ku shkrihet me materien e kozmosit, si tek poezia « Viktimë  e vetes » si një klesider të zbraza nga zemra në fund të këmbëve, apo tek poezia « Mos », mos bli të ardhmen me bindjen për të më harruar/mos i shit ndjenjat në tregun «kam frikë të dashuroj».

Poezija e I.Ngucaj-Scirè-s shquhet për një vijim harmonik shkallësh intensiteti, për lëvizje ngjitëse – zbritëse, të alternuara me akumulime dhe shkarkime emocionale, për një larmi figurash të tingëlluara të shprehura nga një seri «fjalësh–kyç», që duke u gërshetuar ndërmjet  tyre realizojnë përshkrimet e sendeve dhe tipareve përmes sintezash lirike te rafinuara, që konfirmojnë shqetësimin e poetes për unitetin e universit artistik, « Po depërtomë mishin, nervat, kockat palcën si/një shigjetëQë të vdesim bashkë në portën e ferrit, me/parajsën në sy ».

Ajo mbështetet me mjeshtri në mënyrë konsekuente tek magja e gjuhës, duke shfrytëzuar të githa mundësitë associative të fjalës, duke lidhur e çlidhur përmbajtje nganjëherë edhe të errta(si ferri), me ato me fuqi misterioze(si parajsa), duke refuzuar gjuhësisht vendngjarjen dhe kohëndodhjen, e duke fituar në këtë mënyrë hapësira e shtrirje në poezinë e saj, që e bëjnë atë të na shfaqet me një profil të kultivuar, e një elegancë ligjërimi sa moderne aq edhe bashkëkohore. Kumptimet me masë e natyrshmëri, gjërësia dhe thellësia e përfytyrimeve, i japin veprës një ton bashkëbisedor në rrafshin ndjesor, ku të duket sikur « shpirti i flet shpirtrave », pasi për këtë mjeshtre të fjalës, shpirti është më i rëdësishëm se gërmat, të cilat jo rrallë ndodh që vetizohen, izolohen e ngurtësohen.

Shquhet ne liber gjithashtu një aspekt i verifikimit dhe i konsolidimit të vetëdijes ndjesoro–estetike si simbol përfaqsueshmerie, duke i dhënë një rritje eksponenciale pjekurisë artistike të veprës në gjithë kuptimet polisematike e tensoinet e brëndëshme emocionale të saj. Kjo, nga ana tjetër, dëshmon edhe për guximin e autores , inkandeshencën e unitetit të mendimit midis qënies e mosqënies, ku përfitohet minuta e amëshuar, ndjesia e bllokimit të kohës, dëshira për të pavdekësuar gjithçka që vdes, apo është e vdekshme.

Poezia e Irena Ngucaj-Scirè-s dallohet  për një lirizëm meditativ e vizionar, me ngjyrime filozofike, ku metafora e jetës dhe respekti ndaj sublimes «dashurisë njerëzore», mbetet gjithnjë unike. Dashuria, kjo ndjenjë polivalente, sa njerzore aq dhe hyjnore, është dhe ka qënë një burim i përhershëm frymëzimi, ajo i ka dhuruar poetëve çaste të mrekullueshme të shumëfishuara me kohën e përjetësisë, të tejndara nga malli, nga mungesa, nga ndarja, nga ankthi i humbjes, por në të njëjtën kohë ajo është dhe katedralja e shëmbëllyrës së lirisë njerëzore.

André Breton thoshte se «vetë dashuria e çmëndur kondicionon një sjellje reagimi lirik», dashuria për personin e dashur na mjafton për të na shnërruar në një «fabrikë imazhesh». Duke i parë gjërat në këtë optikë, A.Breton shton se «panvarësisht se çfarë ndodh apo nuk ndodh, vetëm pritja në vetvete është fantastike. Pritja, mendimi për të dashur(ë)in, shumëzon lidhjet dhe raportet që ky person krijon, është një «ethe» që asgjë s’i shpëton. Nga kjo gjëndje mendore, shpirtërore e fizike komplekse, lind natyrshëm njëgjendje poetike, një «konfuzion» i orientuar, një rrjet fijesh emocionale rrotull një boshllëku, si një vello e padukshme që mbështjell një trup fizik që mungon, ku parandjenja dhe pasiguria, shndërrohen në një farë «dije» të çuditshme njohje. Në këto rrethana vetë llogjika s’është prezente, nuk ka më dallim midis nocionit objektiv e subjektiv, dhe krijimi rrjedh vetvetiu si e vetmja «zgjedhje». Është ajo që Stéphane Mallarmé quan «L’amplifikation à mille joies de l’instict du ciel», amplifikimi i njëmijë gëzimeve të instiktit qiellor, ku intimiteti strikt gjallon që të gjitha etjet, kthehet në principë hapjeje, komunikimi me të tjerët dhe botën që na rrethon, duke i dhënë vetë substancën poezisë. Ashtu si A.Rimbaud, kemi përshtypjen se poetja komunikon me një botë tjetër, ka një rol mistik, «Unë» është një tjetër, e të duket sikur vepra në momente të caktuara nuk i përket autores, duke u çliruar prej saj për tu kompletuar nga leximi dhe refleksionet që i sjell lexuesi. Madje autorja e reklamon këtë tek lindja e një poezie :

E kur poezia lind, shuan flakën e brishtë/e prêt me ndrojtje që foshnjen e tij/lexuesi ta vesh me kujtesë dhe pëlqim, apo edhe tek poezia «Requiem për Ty», Po të lë me vargun tim të pashkruar/do fluturoj me heshtjen/të gjej vetveten, e lirë një ditë.

Të komentosh poezitë e Irena Ngucaj Scirè-s, është njësoj si të mundohesh ti japësh formë e vëllim një lënde inkandeshente, sepse lexuesi ngarkohet me imazhe,  me ndjesi të pazbuluara, të paprovuara, që në vetvete krijojnë një unitet, jashtë të cilit nuk është e lehtë të dalësh pa lënë diçka nga vetja. Poezija e saj është si drita që na detyron të hapim sytë.

Karakteristikë tjetër e poezive të këtij vëllimi është dhe mesazhi humanist e pozitiv që ato përcjellin edhe në momentet e dhimbjes, zhgënjimit, apo të humbjes së njeriut të dashur, është ajo që pa frikë mund ta quajmë «dashuria e dashurisë». Qënjet njerëzore, mbit të gjitha, janë bërë për tu dashur, për tu takuar, për tu ndarë dhe për të provuar sëbashku emocione të forta. Jean-Pierre Siméon (autori i parathënies së vellimit poetik te Paul Eluard «Poemat e fundit te dashurisë») thotë se « Në kontekstin kontemporan, asnjë nuk mund të dyshojë që kjo zgjedhje e pozitivitetit, dhe vënia e dashurisë mbi të gjitha, të tingëllojë si «mospërfillje», pasi,  në fund të fundit, ky është dhe misioni i vetë poezisë.

Në poezitë e «Adresa ime : Poezija n° infinit», çdo gjë është transparente, por në të njëjtën kohë sensi i saj na «shpëton», ka një thjeshtësi dhe një kompleksitet në vargjet e tij, një ritëm të ri të panjohur, që flirton me «trupin fizik» duke e shndërruar atë nëpërmjet një kaskade imazhesh, në objektin e një erotizmi sa të rrafinuar aq dhe fuqiplotë.

Këtë e shohim perveç te tjerash, tek poezitë «Abetarja e trupit», «Trupat tanë» apo «Humba brënda teje». Collin Jones në librin « Poemat e Shënimeve »(2007) thotë që poezia duhet të jetë dritarja nga ku gumëzhijnë zërat e shpirtrave reale, dhe këtë mesazh jetik për vetë poezinë, e gjejmë në thelbësoren e këtij vëllimi poetik me një nivel të strukturuar inteligjence intuitive. Ky detaij i paneglizhueshëm, kompozon një ftesë të hapur për refleksion, duke na imponuar, në të njëjtën kohë, një pëkujdesje për një lexim me sinqeritet, e duke na shpaluar skutat me sekrete të qënies njerëzore, ku e shkuara  dhe e ardhmja zgjedhohen së bashku me kohën që përzihet.

Gerard de Nerval (1808-1855) thotë : «Une femme est l’amour», gruaja është personifikimi i dashurisë, dhe dashuria është një konsekuencë e vërtetë i ekzistencës së gruas, pasi bukuria dinjitoze që femra mbart në vetvete, ngjall admiracion. Platoni, duke zbuluar Erosin në dimensionin e dashurisë për të bukurën, thotë se është ai që e udhëheq njeriun, nga bota e ndjesive e perceptimeve, në atë të ideve, ai na shtyn ta braktisim aparencën për të kapur atë që është transhendente, ai është ndërmjetësi nëpërmjet të cilit njeriu lidh njerzoren me divinen.( Lexomë p.37).

Duke bërë një paralel ndërmjet « Antologjisë se Poezisë të grave te Kebekut »me autore Nicole Brossard e Lisette Girouard, që përmbledh  rreth 500 poezi të 138 poeteve femra, dhe vëllimit poetik «Adresa ime : Poezia n° infinit»,  gjejmë si të përbashkët,  vetësimin dhe vetëndërgjegjësimin, forcën e mesazhit që përcjellin, atë të refuzimit, per te luajtur si femra, vetëm rolin e «muzës» në poezi.

Përmes tyre dhe poezive të Irena Ngucaj-Scirè-s njihemi me mënyrën origjinale të mendimit, të ëndërrimit, të perceptimit, të të dashurit, të dhimbjes, zhgënjimit apo edhe të vdekjes, si një «hap-shpirt-mëndje» universale, që nuk njeh kufinj. (« Mungesa  jote », peshon mungesa jote/më njollos, më flamos me helm shekspirian/E duke pirë dhe pikën e fundit/bëhen mungesë e mungesës tënde, apo « Sublime », pyll shpellë gulçima…..)

Ndihet fuqishëm në vargjet e librit toni mahnitës, ekzaltimi përballë njeriut të dashur (që kemi dashur apo duam përjetësisht), i cili shoqërohet me një ndjenjë fitoreje, fuqie, pamposhtësie, ku na duket se qënia njerëzore me posedimin e këtij «porcioni mirakuloz dashurie», mund të përballojë gjithshka.

Dashuria transfiguron botën e jashtme që rrethon individin dhe e kthen atë në sensuale, në burim lumturie, paqeje, që ngop senset e uritura e i jep krahë imagjinatës. Dëshira për tjetrin qëndron në eksperiencën që çdokush mund të bëj duke gjetur limitet e vetes, pasi qënia njerëzore në vetvete është gjysma e një të tëre, ku çdo gjysëm kërkon me ngulm kompletimin me gjysmën tjetër, kërkon të provojë ngazëllimin e kënaqësisë trupore, plotësimin e dëshirës për të kënaqur veten. Forca e kësaj eksperience jetësore qëndron në parezistueshmërinë e thirrjes për tjetrin, në « pangopësinë » e dëshirës për të kënaqur veten. Autorja e sheh dashurinë si një përjetim universal, vargu i saj të pushton e të bën të vibrosh së bashku me të, deri në rezonancë, të bën të humbësh në figuracionin e tij, të shtosh « kreshendo » intensitetin e ndjesive, që zgjon brënda nesh nëpërmjet kapërcimeve që e thërmojnë vetë kohën, duke na krijuar në sfond telajon e një pikture që flet. («Me heshtjen», nje jetë të tërë qëbëj dashuri/ Me fantazmën tënde të modeluar.. )

Vizioni poetik i autores, simbolika e fuqishme (me heshtjen as kush s’ka bërë dashuri) dhe preambula filozofike krijon para nesh një kënd vështrim panoramik, me një larmi ideore dhe një tingëllimë qetësuese e të besueshme.

Të pres»,  Koha jonë dhe e dashurisë/ janë përpara gjithmonë bashkë.)

«Mos u zëmëro»,  Dua thjesht të të mbaj/ jashtë atij burgu të frikshëm fjalësh/ ku pranga      janë premtimet), «Zbathur»,  Ç’të duhen këpucët i gjorë/ Të zbathur ti ke zemrën/

« Ti mbete», Ti mbete në ashensorin e mendjes sime/që ngjit dhe zbret historinë tonë pa destinacion/ Ti mbete në të ardhmen e pashkruar akoma.

Këto poezi më bëjnë të kujtoj strukturën simbolike që kristalizohet nëpërmjet fjalëve shumëvlerëshe e të spikatura të poezisë  «Eseninit» të Ilirjana Sulkuqit (Ku më gjete që më zhveshe/ gjer në palcë të trupit tim/ me ty puthem, qaj me vete/ Unë jetime, ti jetim).

Poezitë e sipër përmëndura janë një urë lidhëse midis filozofisë dhe poezisë si art më vete, ato na japin mundësinë të kuptojmë se autorja  e sheh filozofinë, si një akt hetimi intelektual të domosdoshëm, që ndjek të vërtetat e jetës përtej sensit të përbashkët, si një proces arsyetimi abstrakt të pasqyruar në analizat logjike, por që në të njëjtën kohë formon dhe elasticitetin e simbolikës poetike për atë që është e pashprehëshme apo multishqisore ( Barthes 1982, Mbi prespektivën semiotike të poezisë), duke e shndërruar vetë poezinë në  një koncentrat ndjesish të sinqerta e drithëruese të një momenti të privilegjuar. Kampi leksikal ka forcë dhe pushtet, duke afirmuar punën kolosale të poezisë me fjalën, dhe artin e shprehimit, nëpëmjet të cilit, poetja amplifikon ekon e jetës, modelizon ëndrrat, kompozon në pentagramin e ndjenjave e manipulon kodin binar « jetë–dashuri».

Për Irena Ngucaj–Sciré-n, ashtu si edhe për P.Eluard, dashuria është absolute, në sensin që ajo bashkon gjithshka që e kompozon atë, sentimentet, sensualitetin, fizikun, djegien nga dëshira, vuajtjen, imagjinimin e kënaqësisë ku trupat janë memorabël.

Ashtu si Ranier Maria Rilke, poetja vizaton nëpërmjet poezisë së saj gjeografinë universale të dashurisë, duke përdorur transmutacionin e diskursit dashuror në diskur poetik. Për autoren «planeti-jetë» rrotullohet në aksin e dashurisë dhe lexuesi pluskon në atmosferën emocionale të krijuar nga vargjet, duke pasur më shumë nevojë të ndjejë sesa të kuptoj, pasi kuptimi vjen mbas ngacmimit të senseve, ngacmim ky që na bën të zhytemi në transluciditetin e një abstraksioni përhumbësisht human. Në një aspekt krahasimtar, elemente të tilla i gjejmë në « antologjinë e poezisë femërore franceze «Kur femrat flasin për dashurinë » të Françoise Chandernager-it dhe në edicionin e ri «Poemat më të bukura të dashurisë », të André Giovanni-t.

Poezia, ky « lluks » i domosdoshëm i jetës, kjo orkestër gjigande, ku sinkronizimi bëhet nga dirigjenti virtuoz «shpirt»,  na jep mundësinë të lundrojmë në pafundësinë e oqeanit të diversitetit, duke u tërhequr nga manjetizmi i universit të saj poetik, i cili është i pakrahasueshëm me format e tjera të artit. Shpresoj që një ditë, poezia te rrëzoj muret linguistike izoluese, e të gjej si muzika,  gjuhën e saj universale pa pasur nevojë për përkthim, pasi bota e sotme, në muzeun e saj shpirtëror, ka nevojë për këto pasuri.

Vepra letrare është një partiture e krijuar për një rezonancë përherë të re të lexuesit (R.H.Jauss), dhe shpresoj që ky i fundit do të dij të përfitoj në maximalisht nga ky «bymim shpirtëror e sensor » që provokojnë vargjet e këtij vëllimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *