Albanian Vintage/ Kultura dhe historia shqiptare përmes fotografive të vjetra

Argjenda Selmani
Në rrjetin social Facebook prej kohësh funksionon një grup me emrin “Albanian Vintage Photography, People, Cities, Culture and Hstory”, që mëton të mbledhë fotografi që dëshmojnë kulturën dhe të kaluarën e shqiptarëve. Ky grup numëron rreth 20.000 anëtarë.

Për gazetën “Zëri”, administratori i këtij grupi, Micky Haxhiislami, i cili jeton prej vitesh në Tokio të Japonisë, tregon se ky grup i hapur në prill të vitit 2011, sot ka dhjetëra mijë foto të vjetra, si dhe qindra mijë vizitorë anë e mbanë botës.
“ Albanian Vintage Photohraphy..’ është hapur në prill të vitit 2011. Me ndihmën e disa personave të tjerë faqja arriti t’i mbledhë brenda një kohe relativisht të shkurtër më shumë se 2.000 anëtarë dhe po kaq foto të vjetra. Sot pas më shumë se 6 viteve grupi ka gati 20 mijë anëtarë, dhjetëra mijë foto të vjetra, si dhe qindra mijë vizitorë anë e mbanë botës.

Ideja e hapjes së këtij grupi lindi në mars të vitit 2011, dhe konsultimet e vetme që iam pasur në lidhje me këtë ka qenë miku im i vjetër nga Peja, Merkur Beqiri. Fillimisht ishim 5 administratorë, por tani Merkuri dhe unë jemi të vetmit që e menaxhojmë këtë faqe”, tregon Haxhiislami.

Sipas tij, bashkëpunimi me anëtarët e tjerë të grupit bën që administrimi i tij të mos jetë edhe shumë i vështirë.

“Vështirësitë ndoshta nuk janë edhe aq të mëdha pasi që shumë anëtarë tani janë rregullisht aktivë dhe i raportojnë postimet që nuk kanë të bëjnë me fotografi të vjetra nga trojet shqiptare, të cilat Merkuri apo unë i largojmë sa më shpejte ato. Nëse postimet janë totalisht jashtë kontestit ne i bllokojmë ata persona plotësisht nga ky grup. Gjithashtu, pasi që kemi rregullisht kërkesa për anëtarë të rinj, ne e verifikojmë çdo person para se ta pranojmë atë. Nëse do ta pranonim çdo person pa verifikim, ne sot mund të kishim ndoshta edhe 100,000 anëtarë, por faqja do ta humbte kuptimin e saj plotësisht, çka ne nuk mund dhe nuk do ta lejojmë kurrë”, thekson ai.

Në këtë grup mund të postohen vetëm fotografi të vjetra, me motive shqiptare dhe ndalohen gjitha propagandat komerciale, politike, fetare apo tjera të grupeve të ngushta të interesit. Rregullat e tjera të grupit mund t’i lexoni nëse bëheni pjesë e tij.

Për administratorët është shumë e rëndësishme mirësjellja. Pritet që njerëzit që postojnë aty foto dhe komente, të aplikojnë rregullat e pashkruara të mirësjelljes universale dhe në veçanti shqiptare.

I pyetur se si i sigurojnë fotografitë e vjetra, të periudhave e personaliteteve të ndryshme, Haxhiislami tregon se burimet i kanë të ndryshme.

“Fotot i siguroj përmes motorëve të kërkimit siç janë Google dhe Yahoo, arkivave të ndryshme në internet, të gazetave britanike, austro-hungareze, gjermane, italiane, turke, etj., (ca prej tyre me parapagesë), librave te ndryshëm, si dhe përmes miqve të shumtë te cilët shpesh më ofrojnë foto nga arkivat e tyre familjare.

Në saje të teknologjisë informative dhe vullnetit të mirë gjetja e fotografive të vjetra dhe informatave të shumta që ndërlidhen me trojet shqiptare nuk është më edhe aq e vështirë. Siç thotë edhe fraza e vjetër angleze ‘Where there’s a will, there’s a way’, që do thotë se aty ku ka vullnet, ka edhe mënyrë”, thotë Haxhiislami.

Kur i kërkojmë të veçojë diçka nga gjithë kjo arkivë që është grumbulluar në këtë grup, Micky Haxhiislami padyshim flet për fototekën “Marubi”.

“Çdo fotografi është mrekulli ne veti, mirëpo mund të them lirisht se sa i përket fotografive te vjetra nga trojet shqiptare meritat më të mëdha i takojnë familjes MARUBI. Tani në grup kemi një koleksion shumë të pasur të fotografive të vjetra në formë digjitale nga viti 1870 e përmbi, mirëpo dëshiroj ta ceki se deri vonë kam menduar që fotoja e Hamzë Kazazit, e realizuar në Shkodër nga i madhi Pjetër Marubi, në vitin 1858, është fotoja më e vjetër dhe më me vlerë që rrjedhë nga trojet shqiptare. Mirëpo pas shumë hulumtimeve të bëra gjatë viteve të fundit nga studiues të ndryshëm në Shqipëri, u vërtetua se personi në foto nuk është Hamzë Kazazi si dhe ajo nuk është e vitit 1858, por në të paraqitet Konsulli italian Alessandro De Rege di Donato në veshje tradicionale shqiptare, i cili shërbeu në Shkodër nga 20 shkurt 1881 gjer më 18 shkurt 1886, dhe fotoja është e vitit 1885. Sidoqoftë, kjo foto mbetet një thesar i madh për fotografinë e vjetër shqiptare”, thekson Haxhiislami.

“Albanian Vintage Photography People Cities Culture and History” po i ndihmon shqiptarëve që jetojnë kudo në botë të njihen më mirë me kulturën e tyre dhe ta promovojnë atë. Ky grup është bërë një pikëtakim i gjithë atyre që duan të dinë më shumë për të kaluarën, përmes fotografive.

“Falë teknologjisë digjitale sot gjitha këto foto mund të ruhen më lehtë, dhe çka është më me rëndësi, gjithë shqiptarët dhe miqtë tonë kudo që ndodhen mund të kenë qasje në grup dhe përmes fotove atyre ju jepet rasti që të njihen më mirë të kaluarën tonë të pasur. Shpesh ndodhë që nga këto foto anëtarët edhe të i identifikojnë të dashurit e tyre, çka e bën këtë faqe edhe mjaftë emocionuese nganjëherë. Çka ne mësojmë vazhdimisht nga këto foto gjithashtu është se pa marr parasysh jetës së vështirë të shqiptarëve nga koha kur është realizuar fotoja e parë në trojet tona, paralel me të ka ekzistuar edhe një jetë normale dhe mjaft e pasur, për të cilën ne shumë pak kemi ditur. Që ta bëjmë këtë faqe sa më të suksesshme, si një burim i mirëfilltë i fotografive dhe informatave që ndërlidhen me të kaluarën tonë, i lus lexuesit e juaj të nderuar që të bëhen anëtarë të ‘Albanian Vintage Photography..’ dhe njëkohësisht t’i ftojnë edhe miqtë e tyre që ta bëjnë një gjë të tillë po ashtu”, përfundon kështu administratori i ““Albanian vintage photography..”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *