Tish Daia – Nder i Kombit u lind në 30 janar të vitit 1926 në Shkodër. Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e Padër Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore. Në moshën 10 vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga Prenk. Jakova. Muzika e tij është shumë dimensionale dhe spikat fryma e tij patriotike, dashuria për Shqipërinë dhe vendin e tij të lindjes, Shkodrën. Këngët, të cilat kanë mbetur në arkivën e pacmuar të muzikës shqiptare si, “Çikë o mori çikë”, “Sylarysha”, “Ndal, bre vash”, “ Kënga e krushqëve”, “Me lule t’bukra” u krijuan nga mjeshtri i muzikës, i cili la një trashëgimi të jashtëzakonshme.
Në vitin 1946 pasi mbaroi shkollën e mesme në Shkodër dhe u emërua mësues muzike në Vlorë. Studimet e larta për kompozicion i kreu në Konservatorin e famshëm “P.I. Çajkovski” të Moskës. Në 1956 diplomohet në katedrën muzikore të kryesuar nga Dimitri Shostakoviç, duke sjell në atdhe përveç diplomës edhe një numër veprash të arrira si: “Uverturë festive”; Suitën“Një ditë pikniku” Kuartet harqesh” etj.
Pas disa vite punë në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës, vazhdon karrierën profesionale ku spikat roli i tij si udhëheqës artistik i Ansamblit Shtetëror Këngëve dhe Valleve Popullore (1962–1980). Nën drejtimin artistik të Tish Daisë, për disa dekada, ansambli lëvroi dhe zhvilloi traditën muzikore dhe të valleve të të gjitha trevave shqiptare, duke u shëndërruar në një pishtar të kulturës kombëtare dhe e shtriu aktivitetin e tij jo vetëm në Shqipëri por edhe në shumë vende të botës ku u nderua me çmime ndërkombëtare, përfshi këtu edhe Gjerdanin e Artë në Dizhon të Francës (1970). Diapazoni krijues i Tish Daisë është i gjerë e i larmishëm. Nuk mund të flasësh për baletin shqiptar pa Tish Dainë, si kompozitori i baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajrija” (1963), por edhe të baletit “Bijtë e Peshkatarit” (1972). Njëherazi , ai kompozoi disa nga operat e njohura të repertorit shqiptar, ndër të cilat përfshihen opereta “Lejlaja” (1957), opera “Pranvera” (1960), opera “Vjosa”(1980). Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike. Së bashku me Çesk Zadenë e Tonin Harapin krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij të vyer si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh.
Me propozim të Akademisë së Shkencave, akademiku dhe kompozitori i shquar Tish Daija u vlerësua me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” në 90 vjetorin e lindjes nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani.”Kompozitor i baletit të parë shqiptar, autor i qindra krijimeve muzikore me njohje kombëtare dhe ndërkombëtare, pedagog e akademik, drejtues historik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Me krijimtarinë e Tij ndër vite popullarizoi vlerat e artit muzikor dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi”, thuhet në motivacionin e këtij vlerësimi. Mjeshti i madh ndërroi jetë në 3 tetor të vitit 2003, në moshën 77- vjeçare.