80 Vjetori i “Muzeut Arkeologjik dhe Historik Zogu I”

Ph.D.C. Melsi Labi

Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar

80-vjetori i çeljes së muzeut të parë arkeologjik në Shqipëri u kalua në heshtje, sepse vëmendja u përqendrua tek martesa e princit Leka II, ndonëse muzeu i parë mbante emrin e mbretit Zogu I. Ndërkohë që zhvillohej ceremonia martesore e princit Leka II, në qytetin e Vlorës u zhvillua një ceremoni përkujtiore me rastin e çeljes së muzeut të parë arkelogjik. Në këtë artikull modest, si titullar i institucionit që drejtoj e ndiej obligim të bëj një rezyme se çfarë përfaqësonte ky muze.

Në “Muzeun Arkeologjik dhe Historik Zogu I”, i cili u përurua më 8 tetor 1936, u vendosën objektet arkeologjike të zbuluara nga misioni arkeologjik francez. Ky i fundit ka kryer gërmime arkeologjike sipas marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Shqipërisë dhe Francës që më 1923. Merita kryesore i takon arkeologut Leon Rey, i cili drejtoi gërmimet arkeologjike të misionit arkeologjik francez në Apoloni. Në muajin prill të vitit 1924 objektet e zbuluara u depozituan në një sallë në godinën e Bashkisë së Fierit. Leon Rey në relacionet e tij ka shkruar për gjendjen e objekteve të zbuluara: “Arkat me sendet ishin lënë në një sallë të katit të parë dhe me shumë mundime statujat prej mermeri qenë mbështetur pas muri, ndërsa kapitelet, copa arkitektonike, relieve, epitafe dhe mbishkrime të ndryshme gjendeshin në dysheme”. Për ngritjen e ekspozitës muzeore ka kontribuar arkeologu Hasan Ceka, ndërsa drejtor i parë i muzeut ka qenë arkeologu Yzeir Ismaili. (S.Adhami, Muzeologjia shqiptare, Gervis,Tiranë 2001, faqe 32).

Në mbledhjen e objekteve arkeologjike një ndihmesë të çmuar ka dhënë Eqerem bej Vlora. Muzeu u ngrit në ndërtesën ku e pati selinë qeveria provizore e Ismail Qemalit. Për çeljen e muzeut u zgjodh data 8 tetor, e cila përkonte me ditëlindjen e mbretit Zogu I. Arkeologu Yzeir Ismaili e ka drejtuar “Muzeun Arkeologjik dhe Historik Zogu I” në periudhën kohore 1936-1939. Muzeu i parë arkeologjik u vendos në qytetin e Vlorës, sepse ky ishte pranë Apolonisë dhe turistët mund të vizitonin brenda ditës muzeun dhe sitin arkeologjik. Ai u krijua me objektet e zbuluara në Apoloni dhe kishte parametrat e një muzeu publik. Në të qenë ekspozuar rreth 1000 objekte. Në dy sallat e katit të parë të ndërtesës qenë vendosur skulpturat dhe mbishkrimet, ndërsa nëpër sallat e tjera vazot, monedhat antike etj. Objektet e ekspozuara qenë vendosur sipas natyrës dhe llojit, duke respektuar rendin kronologjik.

Salla e parë ishte një holl ku tregtoheshin karta-postale dhe fotografi të ndryshme. Në vitrinat e para të sallës së dytë, Leon Rey kishte vendosur koleksionin e vazove korintase, që kishte zbuluar në nekropolin e Kryegjatës. Në vijim qenë objektet e bronzit, statuja e Afërditës në miniaturë si edhe koleksioni i monedhave antike. Në sallën e tretë qenë vendosur kandilat, që mbanin parfumet dhe vajërat e çmuara të grave të gjetura pranë Odeonit. Më tej vijonin vazot e zeza athinase me figurina të kuqe. Në vitrinat që pasonin qenë vendosur qeramika, relievet dhe skulpturat. (M. Haxhimihali, Apolonia, zanafilla e të parit muze të sitit arkeologjik në Shqipëri, Studime Muzeologjike, Nr, 4, Tiranë 2014, faqe 91).

Këtyre koleksioneve do tu shtoheshin edhe objektet që do të dilnin nga gërmimet arkeologjike të mëtejshme të Apolonisë, si edhe ato që do të zbuloheshin në qytetet antike të Amantias dhe Orikut. Një sallë e muzeut ishte rezervuar për kujtimet historike të pavarësisë shqiptare. (S. Adhami, Muzeologjia shqiptare, Gervis,Tiranë 2001, faqe 32).

Fatkeqësisht më 7 prill të vitit 1939 “Muzeu Arkeologjik dhe historik Zogu I” u përfshi nga bombardimet e luftës së dytë botërore dhe mjaft nga objektet arkeologjike u dëmtuan. Drejtori i muzeut Yzeir Ismaili bëri inventarin e dëmeve, duke i bërë publike në shtypin e kohës. Gjithashtu edhe Leon Rey, më 25 prill 1939 i shkroi kryetarit të Akademisë së Mbishkrimeve dhe Letrave të Bukura të Francës. Ndër të tjera në letër ai shkruante: “Kam nderin tu njoftoj se bombardimi i trupave italiane ka shkatërruar pjesërisht muzeun e Vlorës. Çatia është shembur. Si pasojë, vitrinat e sallave të katit të parë, të cilat mbanin koleksionet e vazove, figurinave, monedhave dhe objektet prej xhami janë shqyer e vjedhur”.

Më 28 nëntor të vitit 1962, me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë muzeu u rihap, duke u quajtur “Muzeu i Pavarësisë Kombëtare”. Godina e muzeut shquhet për vlera të mëdha historike dhe kombëtare lidhur me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ajo ka qenë rezidenca e Qeverisë Provizire të Ismail Qemalit, prandaj në vitin 1963 është shpallur monument kulture. Në muze janë ekspozuar rreth 30-40 objekte origjinale ndër të cilat mund të përmendim karrigen ku është ulur Ismail Qemali, kallamari me shqiponjën e bronztë që ka përdorur për të ngjyer penën. Kjo e fundit gjendet në “Muzeun Historik Kombëtar” në Tiranë. (M. Labi, D. Koçi, Udhërrëfyes i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë 2014, faqe 51).

Në muze është ekspozuar fermani, sipas të cilit sulltani emëronte Ismail Qemalin në poste të larta, fotografi të Ismail Qemalit, kutia e duhanit e Isa Boletinit etj. Veç atyre që përmenda më sipër është për të ardhur keq se pjesa më e madhe e dokumentacionit, që është ekspozuar në “Muzeun e Pavarësisë Kombëtare” nuk gjendet në origjinal, por e fotokopjuar. Ndonëse janë bërë përpjekje për të siguruar materiale origjinale, përsëri gjendja ka mbetur e njenjtë nga mungesa e fondeve. (O. Lila, Muzeu i Pavarësisë vuan nga fotokopjet, Shqip, 25 gusht 2012).

Duke u nisur nga shqetësimet dhe problemet e kohëve të fundit, kemi krijuar bindjen se sistemi muzeor shqiptar, ka nevojë për një ristrukturim tërësor, prandaj mendoj se ka ardhur momenti i përshtatshëm për të promovuar Qendrën Kombëtare të Muzeologjisë, e cila do të shërbejë si rregullator i gjithë sistemit të muzeologjisë shqiptare. Kjo qendër mbarëkombëtare, duhet të ketë status juridik të ngjashëm me atë të institucioneve shkencore.

Qendra Kombëtare e Muzeologjisë do të bashkëpunojë me muzetë e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, me arbëreshët e Italisë, si dhe me arvanitasit e Greqisë, për të promovuar kulturën mbarëkombëtare të trevave shqiptare. Organizimi i konferencave muzeologjike, do të ketë impakte pozitive në promovimin e Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë, në rajon dhe më gjerë. Këto konferenca, do të shërbejnë në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm, debatues dhe progresiv të muzeologjisë shqiptare.

Domosdoshmëria e Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë është një zgjidhje juridike dhe praktike, duke u konsideruar edhe si një çështje e mirëfilltë shkencore. Sistemi muzeor është i lidhur me turizmin, prandaj duhet t’i përgjigjet kërkesave të kohës, në kushtet e globalizmit dhe të një shoqërie të hapur, prandaj synim parësor i Qendrës Kombëtare të Muzeologjisë, do të jetë ristrukturimi tërësor i sistemit muzeor shqiptar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *