5 projekte turistike që përfitojnë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit

Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ka përzgjedhur 5 projekte në fushën e turizmit, të cilat do të përfitojnë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit.

Sipas burimeve zyrtare projektet e përzgjedhura janë “Korça me biçikletë”, “Rritja e Konkurrueshmërisë së turizmit rajonal nëpërmjet rritjes së kapaciteteve njerëzore të bizneseve turistike”, “Platforma all in one booking online Visit Albania Now”, “Projekt ide për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik në Itali” dhe “Korridori Ali Pashë Tepelena”.

Qeveria përcaktoi me anë të një vendimi të datës 13 prill të këtij viti edhe kriteret për mbështejten financiare të projekteve në fushën e turizmit. Vendimi po ashtu përcaktonte edhe se ministria e Ekonomisë, nëpërmjet fondeve të parashikuara në buxhetin e shtetit, financon projekte studimi, promovimi dhe edukimi apo modele inovative të produkteve turistike, në funksion të turizmit, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, privatë ose publikë.

Për realizimin e projekteve konkurruese turistike, skema e financimit do të mbulojë deri në 50% të kostove të pranuara e të miratuara nga ministria përgjegjëse për turizmin.

Projektet, për të cilat kërkohet një financim që kalon 50% të fondit buxhetor vjetor të parashikuar në buxhetin e shtetit, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Vendimi përcakton se projektet, që do të përzgjidhen, do të synojnë në përgatitjen e studimeve apo të modeleve të produkteve turistike; promovimin e destinacioneve turistike e të vlerave të trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit; edukimin profesional të burimeve njerëzore të subjekteve që zhvillojnë veprimtari në fushën e turizmit me qëllim rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e shërbimit.

Ministria e Ekonomisë në datë 21 qershor shpalli thirrjet për paraqitjen e projekt-propozimeve nga persona fizik ose juridik vendas ose të huaj. Në datë 21.07.2016, u mbyllën aplikimet dhe pasi u shqyrtuan, vlerësuan dhe klasifikuan nga Komisioni i Përzgjedhjes së Projekteve këto 5 projekte u miratuan nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik,Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *