Më 5 gusht të vitit 1962, aktorja Marilyn Monroe gjendet e vdekur në shtëpinë e saj në Los Angeles. Ajo u gjet e zhveshur në krevat me një telefon në dorë. Nëpër dhomë u gjendën shishe të boshatisura ilaçesh, që ajo i përdorte për të kuruar depresionin. Pas investigimeve, policia e Los Angelesit konkludoi që vdekja e saj ishte shkaktuar nga një overdozë ilaçesh qetësuese dhe ndoshta ishte vetëvrasje.
Marilyn Monroe lindi në Los Angeles në 1 qershor të vitit 1926. Emri i saj i vërtetë ishte Norma Jean Mortenson. Mamaja e saj kishte karakter të paqëndrueshëm dhe herë pas here mbyllej në azil. Norma Jean u edukua nga disa familje adoptuese dhe në një jetimore. Në moshën 16 vjeçare, ajo u martua me një punonjës të një fabrike avionësh, por ato u divorcuan disa vjet më vonë. Në vitin 1944, ajo filloi të punojë si modele dhe në vitin 1946 firmosi një kontratë, me 20th Century Fox, duke marrë dhe emrin e saj të artit Marilyn Monroe. Ajo luajti disa role në filma dhe më pas, në vitin 1949, u rikthye të punonte si modele, duke pozuar nudo për një kalendar. Në dekadat e fundit, ka pasur disa teori konspirative rreth vdekjes së saj, shumica e të cilave të çojnë në përfundimin që ajo është vrarë nga John dhe/ose Robert Kennedy, me të cilët supozohej se kishte histori dashurie. Këto teori pretendojnë se vëllezërit Kennedy e vranë atë (ose e çuan në vetëvrasje) sepse kishin frikë se ajo do të bënte publike historitë e tyre të dashurisë dhe disa sekrete qeveritare që ajo dinte. Më 4 gusht të vitit 1962, Robert Kennedy, atëherë prokurore i pergjithshem në kabinetin e vëllait të tij me te madh, ishte në fakt në Los Angeles. Dy dekada më vonë, shërbëtorja e Monrosë, Eunice Murray, shpalli, për herë të parë, se Robert Kennedi kishte vizituar Merlin, në mbrëmjen e vdekjes së saj, dhe ishte grindur me të, por deklaratat e Murray janë të diskutueshme. Pesë dekada pas vdekjes së saj, Marilyn Monroe, mbetet një ikonë e madhe kulturore. Detajet e panjohura të gjendjes së saj, në fund të jetës, e bëjnë akoma më mistike atë.