Novelë është “bija e adoptuar” zhanreve letrare. Është shumë e gjatë për të qenë një tregim i shkurtër, dhe tepër e shkurtër për të qenë një roman. Botuesit nuk i kanë shumë me sy të mirë, sepse janë të vështira për t’u shitur. Ka madje konfuzion në lidhje me kuptimin e vërtetë të fjalës. Fjalë për fjalë, është italisht për një “risi të vogël.” Fillimisht fjala është përdorur për tregimet në përmbledhjet si “Netët arabe” dhe “Dekameroni” i Boccaccios.
Megjithatë, në kuptimin e saj modern, është një tregim në prozë me gjatësi të ndërmjetme. Edhe pse nuk ka konsensus, kjo gjatësi shkon afërsisht nga 20.000 deri në 40.000 fjalë, apo mesatarisht 60 deri 120 faqe. Mund ta përfundosh një novelë në një ose dy ditë, pa lexuar diagonalisht ose duke kapërcyer faqe të saj. Krahasuar me një histori të shkurtër ka më shumë hapësirë për të zhvilluar karaktere të plota dhe një fabul interesante.
Dallimi kryesor me një roman është se ajo përqendrohet rreth një karakteri kryesor dhe nuk ka nënfabula. Disa nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore kanë një ose më shumë novela, mes titujve të tyre më të mirë. (bota.al)
“Njeriu i tretë”. Graham Greene (1949)
Graham Greene e shkroi këtë novelë si një përgatitje për skenarin, jo me qëllim për publikim. Është e vendosur në Vjenën e pasluftës, një qytet që ishte e ndarë në katër zona, duke përfshirë një zonë të kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik. Shkrimtari amerikan, Holly Martins, viziton Vjenën për shkak se shoku i tij, Harry Lime, i ka premtuar atij një punë atje. Njerëzit i thonë se Harry ka vdekur dhe se tre njerëz e kanë nxjerrë trupin e tij jashtë. Holly gjurmon lehtësisht dy burra e parë, por ata mohojnë që të ketë pasur një të tretë. Ky është fillimi i një historie me një kthesë të habitshme. Filmi, i drejtuar nga Carol Reed, dhe me Joseph Cotten e Orson Uelles në rolet kryesore, është konsideruar një kryevepër. Edhe pse Greene fillimisht nuk kishte ndërmend të botonte novelën, ia vlen shumë që të lexohet edhe sot.
“Candid”. Voltaire (1759)
François-Marie Arouet, ose Voltaire, ishte një filozof i Iluminizmit francez. Në librin “Candid” personazhi i titullit është një i ri që jeton në një mjedis të mbrojtur: kalaja e Baronit. Candid dhe e dhe vajza e Baronit, Cunegonde janë indoktrinuar nga Dr Pangloss, një optimist filozofik, që u mëson atyre se ne jetojmë në më të mirën e të gjitha botëve të mundshme. Pasi puth Cunegonde, Candidi dëbohet nga kalaja. Ai dhe Dr Pangloss udhëtojnë në shumë vende, duke përfshirë Prusinë, Holandën, Portugalinë, Argjentinën, Paraguain, El Doradon, Surinamin dhe Turqinë. Ata përballen me të gjitha vuajtjet e botës, por Dr Pangloss përsërit se ne jetojmë në më të mirën, e të gjitha botëve të mundshme. Ky ishte në fakt një pohim nga filozofi gjerman Gottfried Leibniz. Voltaire kritikon optimizmin Leibnizit, pas ngjarjeve negative si Lufta e shtatë vjetëve (1756-63) dhe tërmeti i Lisbonës, i vitit 1755.
“Mëngjes tek Tiffany’s”. Truman Capote (1958)
Capote do të mbahet mend kryesisht për romanin e tij të vërtetë kriminal, “Gjakftohtësi”, dhe për këtë novelë. Holly Golightly është një grua e re, disi misterioze në Nju Jork. Asaj i pëlqen të vizitojë dyqanin e bizhuterive, Tiffany & Co. Ajo duket që të jetë e pasur, por në të vërtetë, vetëm sa është duke u përpjekur për të kapur një burrë të pasur. Holly takohet me një djalë të ri që ajo e quan Fred, rrëfyesi në vetë të parë, emrin e vërtetë të të cilit ne nuk e mësojmë kurrë. Gradualisht Fred gjen më shumë informacione për të kaluarën e Hollyt. Blake Eduards ishte regjisori i një përshtatjeje në film, i cili u bë më popullor edhe se vetë novela, me aktoren Audrey Hepburn që këndon këngën “Moon River”, në rolin e Holly Golightlyt.
“Në shenjën e maces dhe topit”. Honoré de Balzac (1829)
“La Maison du chat-qui-pelote” është pjesa e parë e “Skena të jetës private”, e cila është, në vetvete, pjesa e parë e “Komedisë njerëzore” të Balzacut. Augustine Guillaume është vajza e një tregtari parizian teshash. Kundër vullnetit të babait të saj, ajo vendos të martohet me artistin Theodor de Sommervieux, i cili ka pikturuar dhe ekspozuar një portret të saj. Martesa është e palumtur. Ai është jo besnik dhe ajo vdes tetë vjet më vonë. Në fund të novelës, një burrë i paidentifikuar viziton varrin e saj, ndoshta vetë Balzacu. Ky autor ishte një pionier i realizmit letrar, dhe historia është një hyrje e mirë për veprën e tij, si dhe në letërsinë franceze në përgjithësi.
“Tre minj të verbër”. Agatha Christie (1948)
“Tre minj të verbër” është një nga shumë titujt e librave të Agatha Christiet, të huazuar nga këngë për fëmijë. Historia është një roman policor klasik, me ngjarje të vendosura në një mjedis të izoluar: një pronë e madhe, ku nuk mund të shkohet për shkak të borës së madhe. Fillimisht, ajo ishte një radiodramë në BBC në vitin 1947, por Christie e shndërroi në novelë. Shpesh e quajnë tregim të shkurtër, por ajo është më shumë se 20.000 fjalë. Më vonë, Christie e zgjeroi në shfaqjen “Kurthi i miut” (1952), me një titull të ri të marrë nga “Hamleti”. Christie nuk dëshironte që novela të botohej në Britaninë e Madhe, për sa kohë që drama po luhej Uest End. Ajo ndoshta nuk priste që kjo shfaqje do të vazhdonte të luhej sot e kësaj dite, kështu që novela ende nuk është botuar në Britaninë e Madhe, por vetëm në vende të tjera.
Loja mbretërore. Stefan Zweig (1942)
“Novela e Shahut” do të kish qenë një përkthim i fjalëpërfjalshëm i titullin origjinal gjermanisht, “Schachnovelle”, por botuesit ndoshta kanë menduar se do të shitej më mirë si “Loja Mbretërore.” Zweig ishte një hebre austriak, i cili u largua në Londër shkak të Luftës së Dytë Botërore. Ai kreu vetëvrasje në Brazil, në vitin 1942. Kjo novelë, e shkruar mes viteve 1938 dhe 1941 u botua pas vdekjes. Ajo flet për një njeri misterioz, në një anije udhëtarësh, i cili, çuditërisht, mund kampionin e botës në një lojë shahu. Rezulton se ai ka mësuar të luajë, ndërsa ishte i burgosur nga nazistët. Pavarësisht se është një lojtar i madh shah, bëhet e qartë se ai nuk e ka kapërcyer përvojën e tij traumatike dhe ende vuan mendërisht. Gerd Osvald e përshtati në film, në vitin 1960.
“Mirëdita trishtim”. Françoise Sagan (1954)
Sagan ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeç kur u botua ky debutim, por ai mbetet vepra e saj më e njohur. Është në lidhje me një vajzë shtatëmbëdhjetë vjeçare, Cecilia, që shkon me pushime në rivierën franceze me babain e saj dhe të dashurë e tij më të fundit, Elsa. Ata takohen me Anne, që përfshihet në lidhje romantike me babain e Cecile-së. Ndryshe nga të dashurat e tij të mëparshme, Anne është shumë serioze në lidhje me marrëdhënien e tyre dhe dëshiron të martohet me të. Ajo fillon të sillet si një njerkë për Cecilian, e cila dëshiron t’i ndajë. Historia ka një fund tragjik, prandaj dhe titulli “Mirëdita trishtim”. Në vitin 1958, Otto Preminger drejtoi një përshtatje në film në gjuhën angleze, me Deborah Kerr në rolin e Anne.
Billy Budd. Herman Melville (1891)
Nëse doni të mësoni rreth Herman Melville, dhe nuk jeni në humor për të lexuar tetëqind faqe për gjuetinë për një balenë, atëherë “Billy Budd” është alternativa më e mirë. Melville punoi me të nga viti 1888 deri kur vdiq, në vitin 1891. Gati njëzet vjet më vonë, dorëshkrimi u zbulua nga një student. Ai u botua për herë të parë në vitin 1924, por u desh të rishikohet disa herë më pas. Billy Budd është një detar në HMS Bellipotent, një anije e Marinës Mbretërore. Ai akuzohet për konspiracion për kryengritje nga komandanti, John Claggart. Billy, i cili vuan nga një probleme me të folurit, godet jo qëllimisht, për vdekje Claggartin. Kapiteni Vere tani duhet të vendosë se çfarë do të ndodhë me Billyn. Ka patur shumë përshtatje të novelës për media të ndryshme.
Rasti i çuditshëm i Dr Jekyll dhe zotit Hyde. Robert Louis Stevenson (1886)
Autori skocez, Stevenson është i njohur kryesisht për dy tregime: romanin e tij të aventurës “Ishulli i Thesarit” dhe këtë novelë. Rrëfyesi është Z. Utterson, një avokat i cili vëzhgon dy njerëz: shkencëtarin Dr. Henry Jekyll dhe vrasësin, Z. Eduard Hyde. Ai konstaton se Dr. Jekyll ka në fakt një personalitet të dyfishtë dhe se Jekyll dhe Hyde janë një person i vetëm. Dr Hyde besonte se çdo njeri ka të mirën dhe të keqen brenda vetes, dhe ai shpiku një ilaç për të ndarë këto të dyja. Ka shumë përshtatje për skenë, radio dhe film, por shumica e tyre nuk i kanë qëndruar shumë besnike origjinalit.
Makina e kohës. H. G. Uells (1895)
Herbert George Uells ishte një pionier i letërsisë fantastiko shkencore. Dy veprat e tij më të famshme janë romani “Lufta e Botëve” dhe kjo novelë. Një shkencëtar anglez sajon një makinë për të udhëtuar në kohë. Ai udhëton në vitin 802,701 para Krishtit dhe zbulon dy specie: e vogla Eloi, dhe Morlock, një specie agresive e ngjashme me majmunin, që jetojnë nën tokë. Ai konstaton se njerëzimi është zhvilluar mbi këta dy lloje, një rezultat i ndarjes mes klasës së “qejfit” dhe klasës së punës. Një detaj interesant është se Eloit kanë ende libra, por nuk mund t’i lexojnë, për shkak se janë të gjithë analfabetë. Ka disa përshtatje në filma, duke përfshirë një të vitit 1960 nga George Pal.
Vdekja e Ivan Iliçit. Leon Tolstoi (1886)
Shkrimtari rus, Tolstoi është i njohur për romanet e tij të mëdhenj, si “Lufta dhe paqja” e “Anna Karenina”, por ai shkroi edhe prozë të shkurtër të mrekullueshme. Ivan Ilyich kishte një jetë të suksesshme në shoqëri, duke u bërë një gjykatës i lartë, por ai nuk kishte një martesë të lumtur. Në kapitullin e parë ne mësojmë që ai sapo ka vdekur, dhe shohim reagimet hipokrite të gruas e familjes. Pastaj hidhemi prapa në kohë dhe përjetojmë ditët e fundit të Ivan Ilyichit, brenda në kokën e tij. Njeriut që po vdes, i vjen keq se jeta e tij ishte aq egoiste dhe hipokrite. Ai gjen ngushëllim në prani të djaloshit që i shërben, Gjerasimit. Kjo është një vepër e thellë filozofike rreth kuptimit të jetës dhe vdekjes.
Mbi burrat dhe minjtë. John Steinbeck (1937)
Nëse doni të mësoni në lidhje me fituesin e Çmimit Nobel John Steinbeck, dhe nuk keni kohë për të lexuar “Në lindje të Edenit”, ose “Vilet e zemërimit”, kjo është zgjidhja. George Milton dhe Lennie Small dy punëtorë fushe udhëtojnë përmes Kalifornisë, në kërkim të punës. Lennie është një burrë i gjatë, me aftësi të kufizuara mendore, i cili pëlqen të godasë objekte të buta. George vepron si mbrojtësi të tij. Ata gjejnë një punë në një fermë pranë Soledad, por problemet e Lenniet u sjellin gjithmonë në telashe. Ai vret aksidentalisht konen e tij, dhe një incident me gruan e punëdhënësit të tyre, çon në një kulm tragjik. Ka disa përshtatje në filma, ndër të cilët një film i vitit 1939 nga Leuis Milestone.
Ethan Frome. Edith Uharton (1911)
Edith Uharton është një nga autoret më të mëdha femra amerikane, e njohur për”Mosha e pafajësisë” dhe “Ethan Frome”, e cila është mjaftueshëm e shkurtër për t’u quajtur novelë. Në hyrje një rrëfyes i paidentifikuar takon Ethan Frome, një burrë në Nju England, cili është pesëdhjetë e dy vjeç, por duket shumë më i madh, dhe ecën me vështirësi, për shkak të një aksidenti shumë vite më parë. Rezulton se Ethan kishte një martesë të palumtur me hipokondriaken Zeena, dhe ndihej i tërhequr nga mbesa e të shoqes, Mattie, e cila jetonte me ta si një ndihmëse e amvisës. E zemëruar nga xhelozia, Zeena kërkoi ta zëvendësojë Mattien me një shërbyese. Ky konflikt çoi në një përfundim tragjik. Ka patur një përshtatje film në vitin 1993, me Liam Neeson dhe Patricia Arquette.
Rrotullimi i vidës. Henry James (1898)
Autori amerikan Henry James, romanet e të cilit përfshijnë “Portret i një Zonje” dhe “Krahët e Pëllumbit” mund të ishte përfshirë më shumë se një herë në këtë listë, për shkak se “Daisy Miller”, “Një Episod Ndërkombëtar” dhe “Dokumentat e Aspernit”, të gjitha kanë gjatësinë e një novele. Megjithatë, “Rrotullimi i vidës” mbetet vepra e tij e shkurtër më e admiruar. Ndonëse James është një përfaqësues i realizmit letrar, kjo është një përrallë gotike. Në hyrje, një rrëfyes i paemër dëgjon një njeri i cili fillon të lexojë një dorëshkrim të shkruar nga një kujdestare. Së bashku me një shërbyese, ajo eu bë përgjegjëse për Miles dhe Flora, një djalë jetim dhe një vajzë që jeton në një shtëpi fshati, pa xhaxhanë e tyre. Kujdestarja nis të shohë fantazmat e dy ish punëdhënësve përreth shtëpisë. Në këtë atmosferë të frikshme rritet shqetësimi i saj për sigurinë e fëmijëve. Ka disa përshtatje, duke përfshirë një opera të Benjamin Britten dhe filmi i vitit 1961 “Të pafajshmit”, me Deborah Kerr.
Metamorfoza. Franz Kafka (1915)
Kafka, i cili kishte lindur në një familje hebreje në Pragë, jetoi nga viti 1883, deri në vitin 1924. Vepra e tij më e famshme është romani “Gjyqi” (1925), por përmes novelës “Die Verëandlung” ka më shumë gjasa të mësoni më shumë për të, sepse keni më tepër shanse të arrini deri në fund. Një tregtar shëtitës, Gregor Samsa, zgjohet i transformuar në një insekt gjigand. Për shkak të kësaj ai nuk mund të shkojë në punë. Pyetja interesante është se si familja dhe punëdhënësi i tij do të përballen me këtë situatë absurde. Historia mund të lexohet si një reflektim se si shoqëria i trajton njerëzit që janë të ndryshëm, në një mënyrë ose në një tjetër.
“Vdekje në Venecia”. Thomas Mann (1912)
“Der Tod in Venedig” është një nga veprat më të mira të Mann, dhe kjo është shumë më e shkurtër se sa “Buddenbrooks”, “Mali magjik” ose “Doctor Fausti.” Shkrimtari Gustav von Aschenbach udhëton për në Venecia, ku ai bëhet i fiksuar nga adoleshent polak, Tadzio. Ai e sheh këtë djalë si idealin e bukurisë. Pastaj Aschenbach zbulon se ka një epidemi kolere. Tadzio ishte i bazuar tek një djalë që Mann e kishte parë me të vërtetë në Venecia, në 1911. Opinionet ndryshojnë në se ky admirim për një djalë rreth 13 vjec, mund të interpretohet si platonik apo jo. Në adaptimin në film në vitin 1971, Von Aschenbach është një kompozitor, në vend të një shkrimtari. Muzika e tij ishte shkruar vërtetë nga Gustav Mahler.
“Plaku dhe deti”. Ernest Heminguay (1952)
Heminguay, që shihte ekonomizimin e fjalës dhe eleminimin e teprimeve si një ideal estetik, ka shkëlqyer sidomos në prozën e shkurtër. Kjo novelë, që ai e shkruajti në Kubë, ishte vepera e fundit që u botua sa ishte gjallë, dhe është më e mira. Për shkak se peshkatari Santiago nuk ka kapur një peshk në 84 ditë, ndihmësit të tij të ri, Manolin nuk i lejohet t’i bashkohet më atij. Kështu plaku niset vetë dhe kap një peshk gjigand. Ky është fillimi i një beteje epike mes një njeriu dhe forcave të natyrës. John Sturges ishte regjisor i një përshtatjeje në film në vitin 1958.
“Një përrallë Krishtlindjesh”. Charles Dickens
Dickens është ndoshta shkrimtari më i madh anglez i prozës imagjinare, me kryevepra si “ Rrëfim për dy qytete”, “Pritjet e Mëdha”, “David Copperfield” dhe “Dorriti i vogël”, por kjo novelë mbetet, në konkurrencë me “Oliver Tuistin”, krijimi i tij më popullor. Në natën e Krishtlindjeve, Ebenezer Scrooge vizitohet nga fantazma e një partneri biznesi të vdekur, Jacob Marley, dhe me fantazmat e Krishtlindjeve të kaluara, Krishtlindjeve të tashme dhe Krishtlindjeve të ardhshme. Kjo përfundimisht e bind atë të ndryshojë qëndrim, dhe të bëhet më bujar kundrejt shoqërisë në përgjithësi, dhe kundrejt nëpunësit të tij Bob Cratchit, si dhe djalit invalid, Tiny Tim.
“Ferma e Kafshëve”. George Oruell (1945)
Eric Arthur Blair, apo George Oruell, shkroi dy vepra të famshme që kritikonin ekzistencën e regjimeve totalitare: “Ferma e Kafshëve” dhe “1984”. Në këtë alegori, personazhet kryesore janë kafshë inteligjente. Edhe pse të gjithë është menduar të jenë të barabartë, derrat janë më të barabartë se të tjerët. Historia tregon se si ide utopike mund të çojnë pikërisht në të kundërtën e asaj që ishte planifikuar: një shoqëri distopike. Ferma përfaqëson Bashkimin Sovjetik. Napoleoni dhe Snouballi janë të bazuar tek Stalini dhe Trocki. Vetë Oruelli mori pjesë në Luftën Civile të Spanjës, në anën komuniste, por ai ishte kundër totalitarizmit të Stalinit. Ka dy përshtatje në film të “Ferma e Kafshëve” – një film i animuar në vitin 1954, si dhe një film televiziv në vitin 1999.
“Sonata e Krojcerit”. Leon Tolstoi (1889)
Në këtë novelë, një rrëfyes paidentifikuar përfshihet në një debat në lidhje me gratë dhe martesën. Një burrë me emrin Pozdnyshev ndërhn dhe fillon të tregojë historinë e martesës së tij të palumtur. Kur ishte i ri, ai kishte një mënyrë jetese të shthurur dhe ishte i lidhur me shumë gra. Pastaj ai u martua. Epshi i trupit alternohej me grindjet martesore. Gruaja e tij u njoh me një pianist, dhe ata filluan të luajnë sonatën e nëntë të Bethovenit për violinë dhe piano, e quajtur Sonata e Krojcerit, sepse i dedikohej violinistit Rudolf Krojcer. Pozdnyshev që e urrente fort këtë muzikë dhe atë çfarë ajo mund t’i bëjë gjendjes shpirtërore të njeriut, filloi të dyshojë tek gruaja e tij për tradhëti bashkëshortore dhe bëri një plan për ta kapur “me presh në duar”. Tolstoi ishte në favor të abstinencës seksuale dhe atij nuk i pëlqente Beethoveni, por nuk është e thënë të pajtoheni me të gjitha këndvështrimet e tij për të shijuar rrëfimin e Pozdnyshevit. /www.bota.al