15 Orë Maratonë Vallëzimi në Park! Parku Rinia për herë të parë shndërrohet në një skenë vallëzimi për rreth 15 orë në datë 30 Prill, Në një atmosferë të vërtetë energjie do të performojnë për rreth 15 orë, kërcimtarë të 16 shkollave dhe studiove të ndryshme të kërcimit, pikërisht në Parkun Rinia.
Profesionistë, amatorë, të apasionuar, të gjithë do të kenë të njëjtën moto: “Vallëzim non-stop”. E konceptuar si një ftesë e hapur për këdo që dëshiron të marrë pjesë si spektator, në një ditë ndryshe dhe të pasur me tinguj muzike.
Prej orës 09.00 të mëngjesit të së shtunës, Maratona e Vallëzimit në Park, do të jetë një mënyrë më shumë për të nxitur qytetarët, sidomos fëmijët dhe të rinjtë, për jetë aktive dhe aktivitete rekreative në natyrë.
Nën kujdesin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Promovimit të Qytetit, deri në mesnatë valltarë nga 16 shkolla dhe studio kërcimi, koreografë dhe balerinë profesionistë, do të përpiqen të përfshijnë sa më shumë njerëz në botën e tyre; duke qenë se kërcimi është jo vetëm talent, impuls natyral dhe përçues, por edhe një aktivitet sportiv.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kërcimit. Nuk do të mungojnë artistët e ftuar dhe surprizat e që përmban një festë e vërtetë. Publiku do të ketë kënaqësinë të shijojë artin e vallëzimit dhe njëkohësisht të bëhet pjesë e kërcimeve masive në drejtimin e kërcimtarëve profesionistë.