SHERLOK HOLMS, 130 vjet!
Si sot 130 vjet më parë, personazhi i Sherlok Holmsit u shfaq për herë të parë në veprën “A Study in Scarlet” nga Arthur Conan Doyle, kujton Shtëpia Botuese “Çabej”.
“Qeni i Baskërvilëve” është romani i tretë dhe mbase më i njohuri i serisë së Sherlok Holmsit, personazh kult i letërsisë e kinematografisë angleze e botërore.
Më poshtë mund të lexoni një pjesë të përzgjedhur prej Shtëpisë Botuese “Çabej” dhe një grimcë urtie nën titullin “Grimca letrare”. Nëse më pas ju pëlqen aq sa të doni të mësoni me çdo kusht si vijon historia plot mistere që veç Holmsi di t’i ftillojë, botimin e gjeni në librari.
‘Qeni i Baskërvilëve’ është një nga klasikët e mëdhenj të librave të verdhë e një nga më të lexuarit mes tyre. Sherlok Holmsi është nga personazhet më të famshëm të letërsisë së verdhë. Që kur u botua së pari pjesë-pjesë në “Strand Magazine” e deri më sot, “Qeni i Baskërvilëve” është përshtatur në dhjetra e dhjetra forma të ndryshme artistike: është filmuar për kinemanë të paktën 18 herë e për televizionin 24 herë, si dhe është përshtatur si shfaqje muzike rock, shfaqje teatrale etj. Kaq i fuqishëm është ndikimi i shkrimtarit anglez Conan Doyle në brezat e shkrimtarëve të shekullit XX, sa gjurmë të këtij libri e të personazheve të tij gjenden në plot autorë e vepra të famshme të mëvonshme, shpesh edhe si referenca të qarta ndaj tij: te Umberto Eco “Emri i Trendafilit”, Nabokovi në shumë nga veprat e veta, Ray Bradbury “Farenheit 451” etj. Një klasik i letërsisë angleze e një nga më të lexuarit mes tyre: “një nga 50 librat që duhen lexuar në jetë”, sipas gazetës “Times”.
Përktheu nga anglishtja, Vjollca Shtylla.
FRAGMENT
“Qeni i Baskervilëve”‘ Arthur Conan Doyle, “Konstelacione 29”.
Deri tani fati s’na kish ecur në asnjë nga hetimet e kryera, por ja më në fund më erdhi në ndihmë. Dhe lajmësi i këtij fati të mirë ishte Z. Frenklend dora vetë, me favoritet e zbardhura e faqet e kuqe, që qëndronte në këmbë para derës së kopshtit të tij. Porta e kopshtit dilte në rrugën e madhe nga po kaloja unë.
– Mirëdita Z. Uotson, – më thirri tërë gaz por në një mënyrë që s’e kishte aspak të vetën. – Lërini pak kuajt të pushojnë. Ejani brenda të pimë nga një gotë vere për të më uruar.
Pas gjithë atyre që kisha dëgjuar për të nga goja e së bijës, s’kisha se si ta honepsja sadopak. Megjithatë desha patjetër të nisja Perkinsin me gjithë karrocë për në shtëpi dhe pretekst më të mirë s’kishte. Ndaj zbrita duke i thënë Perkinsit ta lajmëronte Sër Henrin se do të kthehesha për darkë. Paskëtaj bashkë me Z. Frenklend hymë në dhomën e ngrënies.
– Kjo është një ditë e shënuar për mua, zotëri, një nga ditët më të mëdha të jetës time, – thirri me sa fuqi kishte e qeshi sa s’iu shqye goja. – Kam fituar dy çështje. Jo për gjë, por erdhi dita që këta njerëz ta marrin vesh se ligji është ligj dhe se ka një njeri që s’ka frikë ta përdorë. Fitova një të drejtë kalimi mespërmes parkut të Midëltonit plak, mu në mes, zotëri, 100 metra para derës kryesore të shtëpisë së tij. Si ju duket? Ta marrin vesh këta pasunarë se s’i marrin dot nëpër këmbë si të duan të drejtat e njerëzve, ta marrë djalli ta marrë! Kurse pyllin ku shkonin për piknik banorët e Fernuerthit e bllokova. Jo për gjë, por janë njerëz të ndyrë që s’kanë idenë e të drejtave mbi pronën dhe mendojnë se mund të shkojnë ku të duan duke lëshuar pas ato letrat e shishet e tyre. Të dyja çështjet morën fund, Dr. Uotson, i fitova të dyja. Si sot s’jam gëzuar kurrë, përveç asaj dite kur e hodha Sër Xhon Morlandin në gjyq për shkelje territori, sepse gjuante në rezervatin e vet.
– Si ia dolët mbanë xhanëm?
– Lexoni shënimet përkatëse, zotëri. Nuk do të pendoheni. Frenklendi kundër Morlandit, Gjykata Mbretërore. Më kushtoi 200 stërlina, por ama vendimi i gjyqit ishte ai që doja unë.
– E ç’fituat nga gjithë kjo histori?
– Asgjë, zotëri, as edhe një gjë. Dhe e kam për krenari ta them se s’kisha asnjë interes në gjithë kë