115-vjeçarja ju tregon sekretin shqiptar të jetëgjatësisë

Ka pak ditë që ka mbushur plot 115 vite, ndërsa thotë se ka kohë që nuk i numëron më ato. Por ajo është me mendje të kthjellët edhe në këtë shekull të dytë të jetës së saj. Qerime Ballobani nga fshati Snosen i Gramshit, kujton me saktësi çdo periudhë historike: “Ka hyrë Italia në mars, lufta është hapur në krye të vitit. Erdhi greku dhe vuri kufirin në Komjan. Greku në Grabovë, Italia ishte këtu. Ishte luftë, vlonin aeroplanët”,- kujton ajo. Nuk i mungojnë as detajet. Për 12 ditë thotë se familja e saj ka strehuar Mehmet Shehun së bashku me njerëzit e tij: “Mehmet Shehu ishte këtu me 10 veta dhe rojet e ruanin gjithë kohës”- thotë ajo. Përveç luftës, Qerimja tregon se një periudhë e vështirë ishte diktatura. “U dërrmuam në kooperativë. Kemi punuar fort dhe po të mos dilje nuk merrje bukën, rrogën”, thotë Qerimja. Nëna e ka lënë të re, ndërsa babai ka ndërruar jetë rreth 80 vjeç. Ajo rriti 10 fëmijë, 2 prej të cilëve janë ndarë nga jeta. Por Qerimja falënderon Zotin që ka një familje të madhe dhe një jetë kaq të gjatë. 10 fëmijët e saj lindën në shtëpi, me ndihmën e së vjehrrës, si të gjitha gratë e asaj kohe. Ndërsa gjatë gjithë jetës së saj nuk ka shkuar asnjëherë tek doktori, por vetëm një herë tek dentisti për një dhëmballë. Jetëgjatësia e saj duket se ka të bëjë me mënyrën e ushqimit. 115-vjeçarja nga Gramshi gjatë gjithë jetës ka ngrënë bukë misri dhe ka pirë dhallë. Ajo tregon se asnjëherë nuk ka ngrënë bukë gruri: “Unë jam rritur me bukë misri edhe tani me bukë misri jetoj. Atë ha vetëm. Nuk e kam me qejf bukën e grurit”, rrëfen ajo. Vetëm vitet e fundit, gruaja më e vjetër në Shqipëri ka filluar të ketë probleme me zemrën dhe me shikimin. Por ajo ende nuk i është dorëzuar shtratit, e ndihmuar edhe nga familjarët Qerimja vazhdon të dalë deri në qendër të fshatit. /TCH

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *