Nga Lutfi Dervishi
Ka plot folës/gazetarë që intervistën e quajnë punën më të lehtë. Një intervistues i papërgatitur dhe që mendon se pyetje është çdo fjali që ka pikëpyetje në fund – bën pyetjet e më poshtme.
Këto pyetje i kam dëgjuar shpesh si të veçuara dhe për fat të keq edhe si “paketë”
1. Cili është mendimi juaj për zhvillimet e fundit?
2. Në këndvështrimin tuaj si i gjykoni zhvillimet e këtyre ditëve?
3. Ç’mund të na thoni më shumë rreth kësaj çështje?
4. X thotë se ….ju si e komentoni këtë deklaratë?
5. Cilat janë shqetësimet tuaja kryesore?
6. Domethënë ju ka bërë përshtypje….po tjetër?
7. Për teleshikuesit më tepër a mund të sqaroni pak më hollësisht?
8. Le të ndalemi tek një çështje që është debatuar gjatë këto ditë. Aksidentet. Janë shtuar dhe po shtohen. Ju si i keni parë këto?
9. Po mbaron edhe koha që kemi në dispozicion nga regjia….a keni diçka për të shtuar….
10. Jo. Atëherë kam një pyetje: ku do të kaloni pushimet? Nëse i keni bërë. Po. Dmth.. ku I kaluat? Si ishte?
Pyetja që të vjen natyrshëm kur dëgjon xhevahire të tilla, është: pse është bërë kjo bisedë?
Dhe pyetja më e rëndësishme që mungon dhe më e mira që mund të ndihmojë në intervistë është pyetja e thjeshtë, e shkurtër, e qartë: PSE?
Nëse nuk njeh problemin, nëse nuk njeh personazhin e ftuar, nëse nuk ke hulumtuar rreth temës që do të flasësh, nëse nuk di të komunikosh dhe të ndërtosh intervistën, nëse nuk e ke idenë se çfarë do të thuash…atëherë nise dhe bitise intervistën me 10 “pyetjet” e mësipërme. Është e provuar se i mbush 10-25 minuta. Nëse jo, atëherë tund kokën dhe bëj shenjë me duar të ftuarit t’i japë gojës. Vetë bëj sikur mendohesh, merr një pozicion… sikur i di mirë këto gjëra, por nuk ja ke shumë ngenë. Tunde kokën lehtë….