Racizmi etnocentrik i Kadaresë dhe hapja e Blushit

 Nga Halil Matoshi

Natyrisht, në kontekstin aktual nuk flitet për armiq të tipit metafizik që mund të gjenden në “Shkretëtirën e tartarëve” të Dino Buxatit ose nga ata paranojakë të tipit stalinist, që u duhet ta fabrikojnë një armik, i cili na merr çdo gjë, i cili vjen papandehur në gjumë e na vret!?

Dhe sidomos në letërsinë e re, na shpërfaqet një armik, që nuk është estetikisht më i shëmtuar se ne, as moralisht më i prishur se ne, por ai është vetja jonë e pasqyruar tek tjetri. Hiq disa nga veprat klasike të letërsisë shqipe, e veçanërisht disa nga veprat e Ismail Kadaresë, ku tjetri përbuzet si racë më e ulët (Dimri i madh) megjithëse tek “Gjenerali…” ky autor është shumë më i kujdesshëm në të parë, porse për dallim të disa nga novelat dhe esetë e tij, ku shpërfillen e madje përbuzen turqit, grekët, serbët, vendasve “u thuhet” se perëndimorët na shohin me sy armiqësor dhe ata kanë për të na zhdukur nëse ne nuk mbyllemi në guaskë.

Klishe të njohura këto që përmes medias si dhe historiografisë së interpretuar ideologjikisht janë ngrehur në nivel të një nomosi, por në fakt është sall një klishe (stereotip) që krijon mendësi kolektiviste për tjetrin, madje edhe për një njeri që kurrë në jetë s’ka pasur përvoja dhe interaksion me tjetrin/tjetrën, në kontekstin kosovar, një shqiptar etnik me një serb kosovar dhe anasjelltas. “Tjetri” në kulturën dhe në letërsinë shqipe pra, nuk është detyrimisht “kundërshtari”/ armiku. Zakonisht “tjetri” në shtresat më të hershme të kulturës shqiptare është një “i ndryshëm nga vetja”. Nëse është dalluar “tjetri”, kjo ka qenë më shumë një nevojë vetë-identifikimi. Lahutari i këngëve legjendare thotë se kreshniku u foli shokëve “në gjuhë të vet”, thjesht për të konstatuar se ishte ndryshe, ishte një “alter”, pa kurrfarë konotacioni ndaj atij që nuk ishte “i vet”.

Një prej bagazheve më të rëndë të Ballkanit është barazimi i “tjetrit” me kundërshtarin. Kjo sindromë diku-diku ka marrë formën e ‘racizmit etnocentrik” (Robert Miles.) Sëkëndejmi, Kadare duke e kombinuar kombëtaren (patriotizmin?) me stalinizëm përligj dhe justifikon mbylljen, pra doktrinën izolacioniste të Enver Hoxhës, veçmas në raport me Perëndimin. Ndërsa Blushi i bën apologji hapjes, përkatësisht idesë se tjetri jemi “ne”, sepse tjetri tashmë (duke jetuar gjatë bashkë) është përbrendësuar në “ne dhe në një mënyrë, po ashtu, jemi të njëjtë. Duke bërë një sprovë krahasimtare mes katër kulturash, përmes vështrimit të pesë romaneve, (dy nga letërsia shqiptare dhe tre nga letërsia botërore) mund të themi se po e afirmojmë tezën se “jemi të njëjtë” ndonëse ideologjitë (pra edhe letërsia e normës real-socialiste) na ndajnë përmes diskursit të urrejtjes, përkatësisht përmes gjuhës si pushtet!

(Variant i shkurtuar nga autori për Gazetën Zëri i kumtesës së mbajtur në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në temën “Koncepti i tjetrit në letërsi”, ndërsa titulli është i redaksisë).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *