Zeng Yi, fotograf mjaft i njohur në të gjithë botën, ka çelur ekspozita kudo: në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Francë, Itali, Belgjikë, Qipro, Korenë e Jugut, Tajvan etj. Por këtë herë stacioni i tij është Tirana dhe Muzeu Historik Kombëtar. Artist i niohur kinez hapi një ekspozitë personale, duke u mbështetur nga Muzeu Historik Kombëtar, Bashkia e Tiranës, Bashkia Pietrasanta në Itali dhe Ambasada e Republikës Popullore të Kinës. Në ceremoninë e përurimit të kësaj ekspozite merrnin pjesë personalitete të kulturës shqiptare, piktorë e fotografë.
Gjatë fjalës së tij në hapjen së kësaj ekspozite, drejtori i Muzet Historik Kombëtar, z.Melsi Labi pasi e cilësoi ekspozitën si një reflektim mbi të shkuarën dhe të ardhmen, tha: “Ekspozita “Homeland” vjen në kryeqytetin shqiptar, pasi vetë autori i saj mbart nga karriera e tij e gjatë dhe e suksesshme dhe një numër të konsiderueshëm çmimesh vendore e ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, vetë Tirana kthehet në një pikë kureshtje, pasi një fotograf si Zeng Yi tërheq vëmendjen e botës kulturore dhe të mediave kudo që ai hap një ekspozitë. Gjatë karrierës së tij të gjatë dhe të pasur, Zeng Yi i është dashur të përballojë dhe disa pozicione drejtuese administrative, drejtor e president shoqate, por ajo që vërtet të magjeps nga ky njeri ka të bëjë me dimensionin real të fotografisë së tij. Zeng është nga ata fotografë që fokusin e objektivit e ka drejtuar tek ngjarjet që lenë shenjë të pashlyeshme në historinë e një vendi. Në këtë mënyrë ai kërkon të paraqesë një imazh autentik të popullit kinez. Për këtë ai përdor më pak ngjyrat dhe më shumë sfondin bardhë e zi. Një mision të tillë ai jo vetëm e ka marrë me shumë seriozitet, por dhe e bën me një përgjegjësi të madhe. Duke u përqendruar tek e përditshmja dhe e jashtëzakonshmja e saj, ai ka dokumentuar jetën e fshatit, të njerëzve të thjeshtë, të problematikës së përhershme. Ndërsa ekspozitat e realizuara prej tij tanimë janë shumë të rekomanduara për ata që duan të njohin më thellë jetën e zakonshme. Megjithatë, ai tani nuk është më thjesht një fotograf. Me talentin e tij të derdhur pa kursim në çdo imazh që ka mbetur mbi celuloid, në çdo shkrepje aparati që ka fiksuar një çast magjik e të papërsëritshëm, e ka kthyer këtë fotograf popullor dhe në një ambasador kulture të Kinës.
Tanimë fotografitë e tij përbëjnë një arkivë të çmuar të periudhave kur ai ka dokumentuar. Dhe padyshim ato janë pjesë e historisë”.
Vetë autori i ekspozitës Zeng Yi në falën e tij i mëshoi shumë faktit se bashkëpunimi në vite mes njerëzve të kulturës të të dy vendeve, Kinës dhe Shqipërisë, duhet të vazhdojë të njohë arritje të reja. E në këtë kuadër do të influenconte edhe ekspozita e hapur prej tij në Tiranë.
Nga ana e tij kuratori i projektit z.Alfred Milot Marashi, tha se ishte fat për të që kishte njohur një artist kaq të madh sa Zeng Yi. Ai shtoi se së bashku me drejtorin e Muzeut Kombëtar, z.Melsi Labi kishin ndërmarrë një iniciativë të përbashkët, që ta sillnin fotografin e madh kinez në Tiranë. Dhe një gjë e tillë u bë e mundur.
Edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z.Abaz Hado, gjithashtu një piktor në profesion, foli për impresionet e tij rreth ekspozitës së fotografit Zeng Yi.
“Homeland” sjell 40 foto në bardh e zi të jetës së përditshme të të moshuarve dhe njerëzve që jetojnë në provincat kineze. Por duket se fotografia pa ngjyra e Zeng Yi tregon shumë.
Tirana e mirëpret një eveniment të tillë. Kjo e bën edhe më dinamike jetën e saj artistike. Ndërkohë që përvoja e këtij fotografi kinez do të ndahet me kolegët e tjere shqiptarë. Duke e parë në një këndvështrim më të thellë, ndoshta shumë shqiptarë do ta ndjejnë veten të përfaqësuar në fotografinë e Zeng Yi, në atë fokus bardh e zi ku lumturia dhe trishtimi ndahen me një vijë gati të padukshme. Kjo është jeta e përditshme. Ndonjëherë e zymtë, por më shpesh me dritë e plot shpresë.
“Homeland”, do të qëndrojë në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar nga 22 Maj-22 Qershor.