Duket si një qytet zotash, qytet arti, qytet skulpturash, engjëjsh, grash, hijeshie femërore, ndërsa syri të kap një puthje të gurtë. Drejt qiellit në dritën e diellit a në mungesën e tij, lartësohen mermere që rast pas rasti përcjellin imazhe të ndryshme. Shpesh, ngjan se qyteti nuk është më tokë, por është një mbitokë, pa arritur në qiell, është veçse ajri, ku bluja e qiellit përkundet mbi të bardhën e skulpturës, a grinë e valëve që lëkunden, një gri ku herë-herë pasqyrohet një arkitekturë marramendëse, por është veçse pasqyrim, derisa irrealja bëhet reale duke dhënë dy të ngjashmet e së njëjtës, figurën e pasqyrimin njëherësh… teksa kamera shëtit dhe ofron kënde të ndryshme, për rrjedhojë edhe ‘realitete’ të ndryshme, secili çast, shpërfaq imazhe që deri pak më parë, s’kishe mundur ti shihje.
Përkundër muraleve të pikturuara, maskave veneciane, pishave, kolonadave, portave, kullave, mbindërtesat para kamerës, fokusit dhe të turbulltës që të zë pamjen, fëshfërimë ere, gjethesh a melodi shiu, të grishin njëherësh me tingujt e Said Muradit. Mund të ndjesh ëndrrën përreth, si dallgë që i përqafohen bregut, a si kambana që bien njëherësh, tejelarg çastit të dhënë. Ka një bashkim mes orientit e oksidentit, ku njësoj si në vijën e horizontit, nuk mund të kuptosh, ku fundi i së parës e lë të zërë fill të dytën. Kjo botë e njëjtësuar të të kundërtave në një, veçohet vetëm kur beza e kuqe në gjysmëhenë, valëvitet diku lart, duke i lënë vendin mandej një gjysmëgrije të errët nën një qiell pa dritë. Luanë, kuaj, dallgë ndën një urë, dhe një gjysmë hënë e bardhë e pafuqishme në një qiell të zbehtë.
“Historia është si një mbretëri: e bazuar pjesërisht në dokumentacion, pjesërisht e rikrijuar nga kujtimet e përfundimisht e qeverisur nga dëshira. Si ia atribuojmë funksionin historisë ne sot?”
Driant Zeneli vendosi të realizojë një film duke përfshirë muzikën e kompozitorit Said Murad, drejtues i “Sabreen Studio” në Jerusalem, për të prezantuar arkitekturën e Venicias përmes imazheve në lëvizje dhe muzikës. Në këtë film, nuk kemi të bëjmë me Venecian në Itali, por me një tjetër që më pak vite jetë dhe histori.
Ky vend është vendosur në Antalia, jugu i Turqisë, aty ku Egjeu takon Detin Mesdhe. Artisti zgjedh Venecian si simbol ku enden a lëkunden ndikimet kulturore e arkitektonike. Çfarë ndodh kur Lindja takon Perëndimin ose e kundërta? Çafrë është e vërtetë dhe çfarë është false? Mbase një ditë rrënojat e Venecias do të gjenden në Antalia e jo në Itali. Duke gërmuar si një arkeolog virtual bashkëkohor, filmi i Zenelit “Venecia” sjell një vëzhgim mbi historinë duke fokusuar në imazhin dhe në imagjinaren e shkaktuar nga disa struktura të reja, që herë-herë duket se të ofrojnë sheshin “Shën Marko” në Venecia.
Ekspozita “Otomanë e Europianë: E shkuara dhe perspektiva”(për të cilën u realizua filmi i srtistit shqiptar) u mbajt në datat 4 deri 27 mars në Qendrën e Artit dhe Kulturës në “Tophane-i Amire”. E organizuar si bashkëpunim mes Fondacionit të Stambollit për Art e Kulturë dhe “Cittadellarte-Pistoletto Foundation” me mbështetjen e Programit të Kulturës të Bashkimit Europian, ekspozita u kurua nga Beral Madra dhe prezantonte punët e Leone Contini, Erol Eskici, Eda Gecikmez, Naci Günec Güven, Driant Zeneli dhe Mary Zygouri. Vitin e shkuar në qershor e korrik, ekspozita bashkoi artistë në programin rezidencial të titulluar “Blind Date Sessions” në qendrën e “Cittadellarte-Pistoletto Foundation” në Biella të Italisë. Aty, patën mundësi të ndërtonin bashkëpunime teorike dhe dialog artistët pjesëmarrës Gülçin Aksoy, Ergin Çavucoclu, Güven Cncirlioclu, Adrian Paci, Michelangelo Pistoletto dhe Igiaba Scego. Që prej vitit 2012, projekti “Otomanë dhe Europianë: Reflektim mbi pesë shekuj marrëdhëniesh kulturore” ka propozuar udhëtime mes pesë shekujve që kanë ndarë së bashku histori kulture mes Europës dhe Turqisë, për të ndryshuar perceptimet e e qytetarëve dhe artistëve nga të dy anët. Partnerë të projektit janë: Qendra për Arte të Bukura (BOZAR) Bruksel nga Belgjika CKSV nga Turqia, Muzeu Kombëtar në Krakov nga Polonia, Fondacioni “Cittadellarte-Pistoletto” nga Italia, Muzeu “Kunsthistorisches” në Vienë nga Austria, “Witte de With for Contemporary Art” nga Suedia. Partnerët e projektit organizojnë ekspozita, konferenca dhe rezidenca artistike në vende të ndryshme.(Fatmira Nikolli-GSH)