Exterminator (në shqip-Shfarosësi) është një seri portretesh të diktatorit Enver Hoxha- të mbuluara sipër me një letër të hollë, transparente e të ngjyrosur, duke e transformuar portretin e njeriut nën një personazh monstruoz, duke dokumentuar kështu gjithë qëndrimet e diktatorit: pozën e ftohtë, duke i bërë thirrje turmës për t’i shkuar pas, duke përshëndetur popullin…”
Nga Fatmira Nikolli
Kjo është vepra e Fani Zguros- një prej atyre veprave që prej Lindjes udhëtojnë në Perëndim për të treguar realitetin e identitetin e një tjetër copë toke- afër e larg Francës- kulturalisht e gjeografikisht. “Ndërhyrja ime me laps të zi konsiston në një manipulim total të portreteve të Hoxhës, duke i shndërruar ato në portrete të tjera”, – do shprehej vetë Zguro.
1207 kilometra në Lindje
1207 kilometra i ndajnë Marsejën me Tiranën, qytetin në Lindje. Kjo largësi është bërë shkas edhe për titullin e ekspozitës së artit pamor shqiptar, që çelet në Marsejë me vepra të artit bashkëkohor të 11 artistëve të njohur e të rinj: Endri Dani, Yllka Gjollesha, Ilir Kaso, Adrian Paci, Edit Pulaj, Leonard Qylafi, Anri Sala, Ermela Teli, Driant Zeneli, Fani Zguro dhe Enkelejd Zonja. “Në këtë ekspozitë shihen lidhjet mes artit, pushtetit, fotografisë, historisë, propagandës, lidhjet midis folklorit dhe identitetit dhe fuqia e artistëve për të ndryshuar qytetin dhe jetën, sidomos përmes projektit artistik e urbanistik të viteve 2000 në Tiranë”, njoftohet nga muzeu.
Në sajtin e “MuCEM – Musée des civilisations de l’Europe et de la Méditerranée” shkruhet se “qëllimi i këtij projekti është tërheqja e vëmendjes te një vend i Ballkanit, gjeografikisht dhe kulturalisht afër nesh, historia dhe identiteti i të cilit i përket plotësisht kulturës mesdhetare, por mbetet ende relativisht i panjohur për francezët”. Sipas MuCEM, rezulton se historia dhe identiteti shqiptar janë në qendër të shqetësimeve të artistëve, shumë syresh ende të shënjuar nga rënia e komunizmit në vitin 1991. Muzeu vë në dukje se pas dialogut të viteve të fundit, me artistë nga Maroku, Greqia e Tunizia, “MuCEM propozon një diskutim me njëmbëdhjetë artistë bashkëkohorë shqiptarë, të gjithë të përfshirë në një mënyrë ose në një tjetër me pikëpyetjet rreth identitetit të vendit të tyre. Çdo punë(vepër) mbart me vete një aspiratë universale edhe nëse ajo është e rrënjosur në një tokë të caktuar. Tani duket se toka shqiptare është e pasur…”
E shkuara komuniste nuk lihet pas dore nga MuCEM, kur shkruhet se pasi i mbijetoi një prej diktaturave më të këqija pas Luftës së Dytë Botërore, trazirave postkomuniste dhe pasoja të luftërave ballkanike, Shqipëria që nga viti 2009 është kandidate për në Bashkimin Evropian. “Ajo është gjithashtu një nga vendet e pakta në botë që ka një artist kryeministër që prej vitit 2013, Edi Rama, i mprehtë në artin bashkëkohor ndërkombëtar. Ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 2000-2011 dhe njihet tashmë për faktin se ka pikturuar me ngjyra të gjalla qytetin”, çka sipas MuCEM përfshin një utopi artistike të shprehur shpesh, por që rrallë është vënë në jetë. Sipas muzeut, kjo ekspozitë sjell së bashku punë artistësh që ngrenë pyetje, mandej shtohet se artistët janë zgjedhur nga një juri ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e Christine Macel dhe Alicia Knock nga Qendra Pompidou.
PËRMBAJTJA
Referencat nga historia, folklori shqiptar, realizmi socialist apo pikat kryesore të “periudhës së tranzicionit” janë kudo në këto vepra. Kjo është arsyeja pse MuCEM ka zgjedhur t’i vërë ato të ndërveprojnë me një pikturë të realizmit socialist marrë nga Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë (një pikturë e Zef Soshit, “Krijimi i Kooperativës në malësi”, 1974) dhe me koleksione historike shqiptare të nxjerra nga koleksionet MuCEM (fondet e Muzeut Kombëtar të Historisë). Ky koleksion është përzgjedhur, interpretuar dhe vënë përballë veprash të tjera nga artistja bashkëkohore shqiptar Edit Pulaj, njohëse e mirë e artit popullor shqiptar. Po aty vihet në dukje se një pjesë e këtyre artistëve kanë qenë pjesë e Sallonit të Artit Bashkëkohor mbajtur në Tiranë më 2015-ën, e organizuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Ambasada e Francës në Tiranë. Mandej bëhet me dije se kjo ekspozitë që hapet në Marsejë është pjesë e një axhende mes Francës dhe Shqipërisë, pas nënshkrimit të kohëve të fundit të një marrëveshjeje për zhvillimin kulturor dhe bashkëpunimin Francë-Shqipëri.
Tematikat dhe mesazhi i veprave janë të ndryshme.
Ilir Kaso paraqitet me videon “My Mother”, Ermela Teli me “Arkitektura e trishtimit”, Yllka Gjollesha me “Flamuri”, Adrian Paci me “Albanian Stories” dhe “A Real Game”, Leonard Qylafi me “Imagery”, Anri Sala me “Dammi i Colori”, Driant Zeneli me “This is a castle!”, ndërsa përcjellin punët e tyre edhe Enkelejd Zonja e Edit Pulaj, apo Fani Zguro me veprën “Exterminator”, titull i huazuar nga libri me të njëjtin titull të William Burroughs, i cili i referohet një elementi kimik që asgjëson insektet.
Katalogu i ekspozitës është “ALBANIE, 1207 KM EST” dhe është realizuar me vëmendjen e drejtimin e kuratorit të përgjithshëm të ekspozitës, Jean-Roch Bouiller dhe me kontributin e Ismail Kadare, Angelin Preljocaj, Francis Corabœuf, Guillaume Monsaingeon, Anri Sala, Valentina Koca e Adrian Paci.(GSH)