Një intervsitë e mrekullueshme e Rexhep Qosjes për magjinë e filmit sipas kryemjeshtrave të ekranit, nga Sir Alfred Joseph Hitchcock, Stanley Kubrick, Andrei Tarkovksy etj.
Në intervistën e dhënë për revistën SYMBOL para gazetarit Ag Apolloni, ai ka folur për shumëçka.
“Besoj se nuk i kam “shpëtuar” ndikimit të filmit. Filmin e Hiçkokut, “Zogjtë”, e kam shikuar jo vetëm një herë dhe e kam shikuar me fletore në dorë. Edhe filmat e Akiro Kurosavës, “Rashomoni” dhe “Makbethi”, i kam shikuar, po ashtu, me fletore në dorë. Ashtu e kam shikuar dhe filmin e njohur të Stenli Kubrikut, “2001 – Odise në hapësirë”. Anë të veçanta shikimi të jetës a të vdekjes më kanë frymëzuar, besoj, edhe filmi i Ingmar Bergmanit, “Vula e shtatë”, filmi i Federiko Felinit, “Amarkordi”, filmi i Andrej Tarkovskit, “Nostalgjia”, ka thënë Qosja.
Sipas akademikut, “Lokalistët harrojnë, ndërkaq, se ndjenja e tyre e shprehur si “atdhetarizëm” i mëhallës, shpesh e nxit nderimin, përkrahjen e shumë të tjerëve për të mosduruarin e tyre. Kështu ndodh shpesh në këtë jetë: shpirtvogli kur përpiqet të të bëjë keq, në të vërtetë padashur të bën mirë”.
Së shpejti del në treg numri 8 i revistës “Symbol”, me një intervistë ekskluzive me shkrimtarin Rexhep Qosja. Në intervistë ai flet për fëmijërinë dhe rininë e tij, për familjen dhe shkollën, për librat dhe letërsinë, për teatrin (Strindbergun, Kamynë, Beketin etj.), dhe kinematografinë (Kubrikun, Hiçkokun, Kurosavën, Bergmanin etj.), si dhe për arsyen pse nuk pranoi të bëhej lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Qosja është konsideruar si “Kafka i Lindjes”, apo “Havel i Kosovës” (La montagne), ndërsa romani i tij, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, është vlerësuar si “një roman që na ra nga qielli, një zbulim i vërtetë” (Le Nouvel Observateur).
Sipas studiuesit Robert Elsie, Qosja është një ndër kritikët më të mëdhenj të Ballkanit, kurse nga Ibrahim Rugova Qosja është cilësuar kritik që shpesh ka zgjidhur probleme vitale për letërsinë shqipe. Për Ismail Kadarenë, Rexhep Qosja është shkrimtari më i madh ndër shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të vendit (Shqipërisë shtetërore), të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e kombit shqiptar, kurse, sipas Sabri Hamitit, Rexhep Qosja në fund të viteve gjashtëdhjetë ka përmbysur metodën e socrealizmit.
Revista “Symbol”, e kataloguar me ISSN në dy versionet (Online dhe Print), e pranuar këtë vit në rrjetin e revistave më të mëdha të Europës (Eurozine), sjell shkrime të ndryshme kulturore në dy gjuhë (shqip/anglisht). Deri tani për këtë revistë kanë dhënë intervista: Linda Hutcheon, Raoul Eshelman, Gottfried Helnëein, Andreas Huyssen, Mieke Bal, D.M. Thomas, Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja.