Në finalen për çmimin prestigjioz “Operalia”, tenori i mirënjohur kosovar, Ramë Lahaj, ka rrëmbyer vendin e tretë. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij çmimi, ky sukses del të jetë një arritje shumë e madhe në karrierën e tenorit. Lahaj është shprehur se kjo është një ngjarje e madhe për të. Në ceremoninë e dhënies së çmimeve tenori kosovar pranoi çmimin nga tenori i famshëm Placido Domingo.
Duke folur për suksesin e arritur në Meksikë, Lahaj ka theksuar se është i kënaqur me vendin që ka zënë dhe ka falënderuar të gjithë për përkrahjen që ia kanë bërë gjatë gjithë karrierës së vet. “Operalia është ëndërr e çdo këngëtari të ri lirik pasi që është i themeluar nga Domingo, një nga legjendat e lirikës. Sigurisht që ka qenë një prej qëllimeve të mia edhe pse nuk e kam pas të lehtë me marrë vendimin me u futë në konkurrencë pasi që unë tani më jam në vitin tim të 5 të karrierës Internacionale dukë kënduar në operat më të rëndësishme të botës dhe kjo komplekson pak termin konkurs, por gjithsesi e vendosa dhe jam tejet i kënaqur me rezultatin”, ka thënë Lahaj për KTV. Ai më tutje ka thënë se çmimi për të është një vulë që bën pjesë në historinë e Operalias. “Çmimi në botëkuptimin tim është vetëm një vulë, e cila të bën pjesë të historisë së Operalias, sigurisht është ndjesi e mirë kur t’i vulosë një nga ëndrrat e tua ndërkombëtarisht”, është shprehur ai. Në një postim në facebook, Lahaj ka shkruar “I bekuar që kemi bërë muzikë së bashku, i bekuar që e mora çmimin nga ju Maestro Placido Domingo! Faleminderit që ekzistoni dhe që ndani me ne çdo gjë”. Ai ka falënderuar të gjithë për mbështetjen, në veçanti Saimir Pirgun.
“Një të falënderim të madh do i thosha si fillim familjes për mbështetjen në çdo hap në fillimin tim, por profesionalisht një falënderim të përzemërt kisha me ia bo kolegut tim, i cili më dha mundësinë që bota ta dëgjojë zërin tim e ai është Saimir Pirgu. Por, pjesë e pandashme e suksesit tim janë shumë e shumë miq që kanë kontribuar gjithësecili në formën e vet”, ka thënë Ramë Lahaj.
Çmimi prestigjioz “Operalia”, i themeluar nga Placido Domingo ka mbledhur 12 finalistë, të cilët kanë synuar këtë çmim prestigjioz që ndahet që nga viti 1993. Tenori kosovar Ramë Lahaj ka dalë të fitojë çmimin e tretë në këtë garë, kurse vendi i parë ka shkuar për Elsa Dreisig, për femrat, kurse për meshkujt vendi i parë i ka takuar Keonëoo Kim. Çmimin e parë për femra në këtë garë prestigjioze, në vitin 1993 e pat fituar edhe sopranoja e famshme shqiptare Inva Mula. Tenori kosovar, Ramë Lahaj, është fitues i dy çmimeve të para nga tri kategoritë e festivalit “Ritorna Vincitor”, në Napoli të Italisë, në edicionin XVI të tij. Lahaj është fitues edhe i dy çmimeve tjera me karakter ndërkombëtar, “Marie Kraja” dhe “Riva del Gardes”.
Në një intervistë për Gazeta Shqiptare vite më parë ai shprehej se “Saimir Pirgu është këngëtari i preferuar, tenori i preferuar dhe është idhulli im. Jam i lumtur që ne sot kemi këngëtarë si Saimir Pirgu dhe Ermonela Jaho. Para pak kohësh kam pasur një bashkëpunim së fundmi me Ermonelën dhe mund të them se në opinionin tim ajo është një divë shqiptare”. Atë kohë, ai pat rrëfyer se në në Tiranë e ka kaluar shumë mirë, po ka pasur edhe vështirësi.”Kam ardhur në Akademinë e Arteve pa mbaruar një shkollë muzike dhe më është dashur t’i kapërdij programin për gjashtë muaj dhe më tej kam ardhur këtu ku jam”. Ardhur prej Istogut drejt kryeqytetit të shqiptarëve, Tiranës, përveç shkollimit, këtu do të zinte fill edhe suksesi i tij. Konkursi ndërkombëtar “Marie Kraja” i dha atij hovin e parë drejt suksesit, e më tej, do të vinin me radhë skenat e konkurset italiane e gjermane, prej ku do të dilte duar plot.