Nallbani: Dua ti bëj njerëzit të ndalojnë para luftës

 

Sot  në  Galerinë Kombëtare të Arteve u zhvillua konferenca për shtyp mbi ekspozitën: “Eksploratorët” të Alkan Nallbani, e cila u hap për publikun në orën 19:00. Kjo ekspozitë u prezantua nga dy kuratorët e saj,  Artan Shabani dhe Esmeralda Dalipi, si edhe nga vetë autori Alkan Nallbani

Artan Shabani, drejtori i GKA, pasi shprehu kënaqësinë për punën me këtë ekspozitë theksoi:

Alkan Nallbani punon dhe jeton tashmë në SHBA pas një periudhe kohore në Firenze të Italisë. Ai është i njohur në skenën e artit ndërkombëtar dhe duhet të shtoj që është pjesë  e një emigracioni të gjatë kulturor. Është uria e artistit e cila e ka bërë Alkanin të ketë një bashkëbisedim me të gjitha vendet ku ai ka shkuar. Ai eksploron kujtimet, i rimerr dhe i sjell në tablotë e tij. Në këtë ekspozitë midis 90 punëve të ekspozuara gjejmë edhe punime në gravurë. Pas viteve 90 Alkani shkon në kryeqytetin e Toskanës, ku ndjehesh i përkëdhelur nga gjithçka dhe sidomos nga arkitektura,  qytet me të cilin ai merr e jep shumë. Ai bëhet pjesë grupesh artistike dhe ekspozitash të rëndësishme në Itali e Evropë përmes krijimtarisë së tij, e së fundmi pjesë e grupit prestigjioz të profesionistëve APE në New York. Mbi të gjitha ishte një kënaqësi për të gjithë ne, për stafin e Galerisë, e ndjehemi të nderuar që kemi këtë ekspozitë këtu mes nesh. Ku ndjehet puna e serioziteti, pasioni për punën, pasioni për artin. Unë uroj artistinpër këtë ekspozitë të parë të këtij niveli në Shqipëri”.

Bashkëkuratorja Esmeralda Dalipi bëri një përmbledhje të platformës kuratoriale në përgjithësi duke u ndalur tek logjika që është ndjekur në ndërtimin e kësaj ekspozite:

“Kjo ekspozitë është një ndërthurje punësh të hershme dhe aktuale. Megjithë shtrirjen kohore të punëve nuk mund ta quaj një ekspozitë kronologjike por më tepër një ekspozitë analitike nga mënyra se si është konceptuar. Kjo ekspozitë ndahet në disa cikle, një prej të cilëve është edhe cikli “Eksploratorët” nga I cili merr edhe emrin vetë ekspozita. Në të mbizotërojnë imazhet nga jeta e përditshme, të marra këto nga ngacmimet si nga mediat ashtu edhe kthimi në kohë përmes memories”

Artisti Alkan Nallbani me thjeshtësi dhe qartësi spjegoi duke u ndalur në disa specifika të punës së tij si edhe në procesin e përzgjedhjes dhe procesimit të subjekteve të cilat ai trajton.

“Është hera ime e parë që ekspozoj në Galerinë Kombëtare, dhe kudo prezantimi në një Galeri Kombëtare është një eveniment I rëndësishëm për një artist, sikundër është edhe hapja e kësaj ekspozite këtu. Për të kaluar tek punët, rrugëtimi në vite dhe si janë zhvilluar ato e kanë ardhur në këtë pikë. Duke parë këtë ekspozitë unë do të përqëndrohesha në katër projektë kryesore që e përshkojnë atë nga kreu në fund. E filloj me projektin e “Ikjes”. Unë bëj pjesë në brezin e artistëve që e lanë shqipërinë pas përfundimit të Akademisë në vitet 90, dhe pata fatin të vendosem në Firence. Ndjesia e ikjes nga Shqipëria, sidomos tek të rinjtë shqiptarë, ishte shumë e pranishme kudo. Unë këtë ndjesi e mora me vete dhe u mundova ta kap e ta vendos në punët e mija në periudhën e Firences. Figurat janë në ikje dhe ngjyrat janë të errëta. Më vonë me stabilizimin tim në jetë në përgjithësi fillova të punoj me figurën e fshatarit, i cili vinte nga kujtimet e fëmijërisë. Me gjithë ndryshimet në jetën time këto kujtime nuk kishin ndryshuar. Gjithë ndjesitë  e të qënit në fshat, përjetimi i jetës, puna që bëhet aty me tokën, me kafshët, ndikimi I natyrës, era e tokës, vështirësitë që vijnë nga ekspozimi ndaj natyres, djersa etj, u rikthyen tek unë për ti përdorur si subjekte. Edhe pas Italisë, në fillimet e mija në Amerikë, këtë temë e vazhdova edhe aty. Fati deshi që të shpërngulem në New York, dhe ky qytet me madhështinë e tij në fillim më zbrapsi. Fillova nga pak të vendosem e të influencohem pak edhe nga piktura abstrakte që lëvrohej aty në atë kohë. Ndryshoi mënyra ime e të përafruarit me veten dhe punën. Mua nuk më mjafton ta përdor subjektin vetëm për një pikturë por për një seri më të gjatë punësh, duke i shkuar më në thellësi këtij subjekti. Puna eksploruese është shumë e rëndësishme dhe proçesi në studio, qëndrimi aty nga mëngjesi deri në pasdite, është shumë i shenjtë për mua. Dhe kështu hap pas hapi ngrihen edhe projektet. Me kthimet e herë pas hershme në Firence, në dyqanet e antikuareve mes gjërave të tjera gjeta një revistë të viti 51, fillimet e shtypit me ngjyra, një lloj shtypi ku ngjyrat dukeshin si akuarel, ku koha kishte punuar mbi to. Disa imazhe mu dukën interesante aty. Nga këto imazhe mu kujtua fëmijëria, dokumentarët që shikonim në ato kohë me eksploratorë të ndryshëm. Duke mos pasur heronj si Spider Man, heronjtë e fëmijërisë time ishin këto personazhe të këtyre dokumentarëve. Ky projekt ka filluar në 2012 dhe vazhdon për katër vite, e unë dua ta vazhdoj si një kërkim në kujtesë. Dhe në fund dua të shkoj tek informacioni i tepërt i cili na ka bërë indifferent pasi e shohim përditë. Në konfliktet e botës së sotme bombardimi I një fshati apo vrasje nuk na bëjnë përshtypje dhe i kalojmë shpejt.Unë nuk dua ti kaloj kaq shpejt, por dua ti bëj njerëzit të ndalojnë. Nuk them të ndaloj patjetër në momentet e luftës por të jetë ky si një moment meditimi, moment ndalese nga stresi i  përditshëm. E gjithë kjo është historia e dy dekadave të krijimtarisë sime. Mënyra si është vendosur kjo ekspozitë në mënyrë jo lineare, të jep mundësinë ta eksplorosh në mënyrë të ndryshme këtë udhëtim njëzet vjeçar.”

20160819_113059

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 4 shtator 2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *