Ministria e Kulturës, fond për përkthimin e letërsisë shqipe

Në vijim të nismave të ndërmarra për mbështetjen dhe promovimin e letërsisë shqipe jashtë vendit si hartimi I Faqes në internet të veprave të letërsisë shqipe bashkëkohore në gjuhën angleze, hartimi i Katalogut të autorëve shqiptarë në gjuhën angleze, mbështetja e procesit krijues të autorëve shqiptarë, Ministria e Kulturës hap për herë të parë Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj. Ky fond synon mbështetjen e përkthimit të veprave më të rëndësishme të letërsisë shqipe bashkëkohore që kanë tashmë një kontratë botimi me shtëpi botuese të huaja. Afati i aplikimit është nga data 23 prill 2016 deri më 23 maj 2016, ora 14.00. Aplikimi duhet të bëhet nga Botuesi i huaj, që është i pajisur me një liçensë botimi, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor. Botuesi duhet të ketë siguruar të drejtat e autorit përpara se të aplikojë ose të jetë në proces përmbyllës të sigurimit të këtyre të drejtave, proces që duhet të kryhet brenda afatit të dorëzimit të përkthimit parashikuar nga kontrata, si edhe të paraqesë gjithashtu dhe kontratën e lidhur me përkthyesin. Pas miratimit për mbështetje financiare të përkthimit, Ministria e Kulturës nënshkruan një kontratë dypalëshe me botuesin.
– Financimi (i plotë ose i pjesshëm) i përkthimit të veprës do të mundësohet nga Ministria e Kulturës dhe i shkon botuesit. Fondi i përkthimeve letrare që ka krijuar Ministria e Kulturës për vitin 2016 mbështet përkthime të letërsisë artistike nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj. Kufiri i financimit nga MK për një aplikim nuk mund të jetë më shumë se 300 000 lekë, pavarësisht numrit të faqeve të librit që është përzgjedhur nga MK. Teksti duhet të përkthehet nga gjuha origjinale dhe dorëzohet në Ministrinë e Kulturës brenda datës 23 maj, 2016. Aplikuesi duhet të tregojë nëse ka aplikuar apo ka siguruar mbështetje financiare nga burime të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *