Nga Alisa VELAJ
Nëse poezia ngjizet para së gjithash si blatim në heshtje i Fjalës, atëherë edhe recipienti i saj e percepton në mënyra të tjera mesazhin që i vjen mes vargjesh. Kur ne lexojmë një tekst që zhvillon një vlerë mbi përvojën shpirtërore dhe përfshin perceptimin shpirtëror nga akti i leximit, atëherë lind një përvojë shpirtërore brenda nesh.
Poezia e poetit Zvika
Szternfeld është fund e krye një perceptim shpirtëror, një dialogim zërash njerëzorë që zë fill në kohën e Minça-s dhe transformohet më pas në trajta nga më tragjiket nën hijen e ankthit të frikës, e cila nuk e mposht poetin,
përkundrazi, ai e shndërron atë me anën e fjalës poetike aq sa tragjike, po aq komike. Duhet të përqendrohesh në të gjitha përmasat për të gjetur atë kufi të hollë, të padukshëm, që ndan tragjiken nga komikja në poezitë
tepër simbolike dhe të ngjeshura me metafora konceptuale të poetit Zvika Szterfeld. Frika e tij nuk është si në Shkrimet e Shenjta, fillimi i njohjes së Zotit, por është një frikë e ankthshme e qenieve që enden si busulla të
ç’orientuara drejt tempujve të vetmisë, ku mbretëron ai soj engjëjsh që asnjëherë nuk do t’i fashojnë as qiejt, as ndjenjat.
Çdo lloj skeme shpërfaqet e përmbysur në këto poezi. Kjo lloj përmbysjeje ka brenda atë ironinë e
hollë, humorin, që është një pikë e fortë në poezinë e Zvika Szternfeld, që dallohet nga shakaja që është thumbuese, që nuk lëndon njeriun, por të metat, dobësitë e tij. Pikën kulmore të humorit që gërsheton një brendi
të dyfishtë, atë zbavitëse dhe serioze, ku për ta arritur përdoren dy lloj mekanizmash, humor situatash dhe humor fjalësh, poeti Zvika Szterfeld e ka ngërthyer te poezia “Vala e të Nxehtit”. Pikërisht te kjo poezi, ku njeriu perceptohet si morr që luan lojën e çmorritjes, goditet me një humor tepër inteligjent racizmi që thelbin e njeriut si qenie shoqërore e redukton në tiparet biologjike dhe racore:
Edhe pse poeti Zvika Szterfeld brenda një poezie arrin të krijojë kontraste të ndryshme, prapëseprapë ai është mjeshtër i ruajtjes së drejtpeshimit dhe harmonisë. Harmonia për të është një nostalgji e trashëguar
nga kohërat edenike. Një nostalgji ku përmasa e përmallimit sa vjen e tkurret, duke e kthyer kohën e gjallimit dhe përtëritjes në kohë moskuptimi të gjuhëve të tokës.
“Njeriun do ta krijoj sipas shëmbëlltyrës së një stalaktiti
dhe dashuria në kraharorin e tij do të jetë pellgu ku do të mblidhen
ai, pikëlat dhe stalaktitet e veta te dashura.
“Pikë pikë”
Përmasa parababelike i dhemb qenies poet dhe qenies lexues gjer në palcë, ndërsa në anë tjetër ajo konfiguron mes vargjesh ironinë ndërtekstuale.
Tashmë nuk janë tokësorët që e krijojnë botën e tyre nën shëmbëlltyrën e qiellorëve, por janë këta të fundit që si yj’ të rënë, veshin petkun e vdekëtarëve. Jo më njerëzit e shndërruar në engjëj, por engjëjt e shndërruar në njerëz. Ironia ndërtekstuale hamendëson në këtë shpërfytyrim të parë të qenies një imantetizëm absolut, parashikon zbulime për ata që kanë humbur kuptimin e transcendencës
Kraharori i njeriut do të nis të mbledhë më shumë se tre elementë. Uniteti parësor i largohet kështu
trajtës fillestare dhe për çdo element të mbishtuar fitohet një trajtë e re.
Trajtat krijojnë pak nga pak familje, familjet popullata dhe popullatat tejkalojnë ndjenjën e masës dhe themelojnë botën e frymorëve që bëhen përherë e më të denjë nën frymëzimin e engjëjve të riatdhesuar në parajsën
tokësore. Krijuesi i universit shpërfillet krejtësisht dhe në fronin e qiejve të tyre ulet shantazhisti i universit që thur e shthur fijet e agonisë me anë paparacësh që shpikin lente të tipit Aushvic. Trajtat përkëmbehen gjithashtu edhe ndër shpirtrat e qenieve që nuk shndërrohen nën dirigjimin e ligjit të masës. Ky lloj transformimi nuk përmban brenda tij asnjë lloj tragjiciteti, por i mëshon idesë se ekzistenca nuk është gjë tjetër në thelbin e saj, veçse rikthim tek e njëjta bërthamë. Është mashtrimi njerëzor ndaj vetvetes se ne mundemi të jemi një tjetër frymëmarrje, krejt e shkëputur nga mushkëria universale,ndërkohë që gdhihemi e ngrysemi nën të njëjtin qiell. Në këtë lloj gjendje transcendenca
nuk e bjerr kuptimin e saj, por thjesht harrohet për pak dhe vjen sërish në kujtesë shumë shpejt. është si një lloj dege jo dhe shumë e përndritur, por ende e papërkapur nga errësira.
Ajo qëndron në buzë të pellgut./Asnjë ndryshim nuk ka në gurgullimë,
rrathët vazhdojnë të zhduken/dhe në thellësi/një fulterëz e zezë/
e konsideron veten balenë.
“Një rast”
Të vetmet vet-harrime të ëmbla i realizon dashuria absolute. Ajo tokësorja që i mëshon kohës së Minça-s vetëdijshëm dhe pavetëdijshëm. E kthjellëta e panjohur me ankthin e frikës. Gjeneruesja me imazhet
statike të blatimeve të paqta që përmbledh në kraharorin e saj Njeriun, pikëlat dhe stalaktitet e veta të dashura. Shprehur me gjuhën poetike të Szternfeldit, ajo lloj dashurie që i bën fotografi qetësisë për të dashurën e
zemrës.